Shtatë vjet pa babën

Poezi nga Meti Disha:

Babë,
u bënë shtatë vjet.
S’është vdekja veçse një shkrepje aparati,
një ngrirje në përjetësi,
që atëherë nuk je plakur më.
ndodh që mëngjeseve në dritaren time
përplaset kollitja jote.
është gjithnjë herët për të harruar.

Piktorët e mirë, kur u bie verbëria,
arrijnë ta pikturojnë një kalë
gjer në detajet më të imëta,
edhe pas dymbëdhjetë vjetësh kujtesë.
Pikturoj fytyrën tënde babë
dhe rri përballë saj:
një pasqyrë ku shoh veten.

kjo është tjetër kujtesë,
ç’mirë krijon o Zot!
mbi humusin e harresës
në fytyrën time
ngrihet fytyra e babës.

para shtatë vjetësh
si numri shtatë që s’ndahet dot në mes
e ndava jetën time dhe doli me presje.
Njashtu babë, veç vdekja na plotëson,
kur në çastin e fundit,
teksa jemi ashtu të zbehtë,
të lodhur, të buzëqeshur ndaj njerëzve
që i deshëm, që na deshën,
dëgjohen duartrokitje kujtimesh
dhe shkrep jeta blicin e saj të përjetshëm.

Read Previous

Parashikimi i motit për fundjavën

Read Next

Basha është tashmë i vdekur politikisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published.