Basha është tashmë i vdekur politikisht.

Nga Endri Tafani

Është e qartë si drita e diellit që anëtarësia e PD nuk e do më, përkundrazi e shikon si pengesë.
Faji nuk është i Berishës, por i atij vetë.
Në 8 vjet të drejtimit të Partisë nuk u arrit asnjë fitore, përkundrazi, u krye një dorëzim total i pushtetit që ishte akumuluar në vite luftë politike të PD-së.
Nën drejtimin e Bashës PD e gjeti veten jashtë çdo mekanizmi pushteti duke ia dhuruar atë totalisht kundërshtarit, i cili sigurisht abuzoi me të.
PD e gjeti veten jashtë pushtetit lokal i cili siguronte jo vetëm punësim për militantët, por njëkohësisht jepte mundësi të mbajë lidhje interesi me komunitetin dhe bizneset e që në kohë fushate për ktheheshin në vota.
PD e gjeti veten jashtë pushtetit garantues parlamentar. E kam fjalën për rregullat e lojës politike që garantohen nga shumica të posaçme në Parlament. Duke braktisur një këtë pushtet, PD i dha dorë të lirë PS që të ndryshojë rregullat e lojës politike sipas dëshirës së saj. Kushtetute, Kod Zgjedhor u ndryshuan pa pjesëmarrjen e lojtarëve politike por vetëm me vullnetin e një lojtari të quajtur PS.
PD e gjen veten jashtë pushtetit qendror i cili si dhe ai lokal, të jep mundësi për punësime për militante dhe lidhje interesi me komunitetet dhe bizneset që në kohë fushate përkthehen në vota.
E gjitha kjo prej paaftësisë dhe mungesës së vizionit të Kryetarit të saj.
Është e dukshme që Basha nuk është emocional dhe nuk arrin të elektrizoje turmat ashtu siç mund ta bëjnë Berisha apo Rama. Në atë drejtim nuk ka ngjitur asnjëherë dhe kjo është një minus i madh pasi emocioni dhe pasioni luan një rol të madh në politikë. Ky minus i madh emocional mund të superohej me një vizion të qartë, nuhatje politike e një llogaritje shumë të saktë të veprimeve dhe aksioneve politike, pasojave dhe përfitimeve. Pas kaq vitesh është e qartë që përveç anës emotive, Bashes i mungojnë dhe këto aftësi të tjera për të drejtuar një parti të madhe si PD apo dhe një front të gjerë opozitar. Mjafton të kujtojmë që në zgjedhjet e fundit nuk u fut në koalicion apo front bashkë me LSI duke shpërdoruar me dhjetëra mijëra vota opozitës. Veprim i pakuptimtë pasi në donte që PD të ishte e vetme në pushtet nuk kishte pse fuste Idrizin dhe Dulen në listat e PD, por derisa i futi atëherë bënte sens të kishte dhe LSI aty duke parë rezultatet e mëparshme dhe shperndarjen e votave në qarqe.
Për shumë në PD kjo ishte një shitje tjetër pushteti Ramës, por është shumë më normale të themi që Bashes i mungojne aftësitë politike që duhen.
Vazhdimi i tij në krye të PD-së është një fatkeqësi për frontin opozitar dhe në këto momente që flasim.
Lufta ndaj LSI në parlamentin e ri nga ana e grupit parlamentar të PD nën drejtimin e Bashës duke i lënë jashtë komisioneve parlamentare deputetët e LSI megjithëse kanë marrë 100 mijë vota e duke futur deputetë të partive anonime, tregon qartë që minimumi nuk di çfarë bën. Nga ana morale duhej që këta 100 mijë opozitare që votuan LSI të ishin përfaqsuar më mirë në parlament dhe e dyta nga ana praktike, një front i bashkuar do ishte më mirë në prag të zgjedhjeve lokale, aty ku për pak vota fitohen bashkitë.
Mbase Basha e ka harruar që ka fituar për 10 vota Bashkine e Tiranës në 2011 dhe mbi të gjitha që në 2011 kur fitoi Tiranën PD ishte në koalicion me LSI. Sigurisht LSI ka më shumë se 10 vota jo vetëm në Tiranë por në gjithë bashkitë. Ta armiqesosh dhe ta kalosh nga krahu i PS do të thotë të ulesh shancet për fitore në zgjedhjet lokale. Do apo nuk do Basha, LSI është aty dhe ka votat e veta. Nga politika nuk janë zhdukur dhe akoma marrin vota Idrizi e të tjerë. Pse mendohet që LSI do zhduket?!
Përmbledhtazi. Faji për gjendjen e opozitës dhe që kemi këtë qeveri mbi koke nuk është faji i Saliut. Faji është totalisht mbi Bashën me paaftësinë totale dhe mungesën elementare të logjikës apo nuhatjes politike në gjithë veprimet e tij si Kryetar i PD dhe opozitës. Në këto kushte largimi i tij nga drejtimi i PD është një hap pozitiv. Frika se kush vjen mbrapa tij është e pajustifikueshme. Të paaftët duhet të largohen edhe sikur të ekzistojë rreziku që të vijnë të tjerë të paaftë më pas. Sepse njerëzit duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e të paguajnë për gabimet. Epoka e pandëshkueshmerise me arsyetimin që po vazhdojmë ta votojmë një të paaftë apo hajdut se ai që vjen me pas mund të jetë po kot apo hajdut duhet të marrë fund. Minimumi të paaftët apo hajdutet duhet të paguajnë e jo te mbahen në pushtet. Nëse vijnë të paaftë të tjerë duhen ndëshkuar dhe ata. Duhet ndaluar ciki i hedhjes së votës mbi arsyetimin se dhe ata që vijnë janë njësoj të keqinj. Dhe ky cikël duhet mbyllur nga vetë opozita si hap i parë drejt përmirësimit.

Read Previous

Shtatë vjet pa babën

Read Next

“Marksizmi Amerikan” i Mark Levin shet më shumë se 1 milion kopje/ është libri kryesor jo -thriller i vitit 2021