Sfidat e integrimit të Ballkanit Perëndimor

DASHNOR DERVISHI

Përmbledhje e shënimeve të përgatitura për takime e konsulta të kohës, në kolegjiumet e MPJ-së, një pjesë e të cilave janë publikuar në revistën profesionale të MPJ-së, “NEGOTIUM”, mars 2004 dhe në revistën e specializuar “Diplomacia”, janar-qershor 2005.

Politika Rajonale, marrëdhëniet me fqinjët, kanë qenë dhe mbeten pa dyshim në themel të politikës së jashtme të vendit tonë. Dinamika e zhvillimeve në rajon është mjaft intensive në të gjithë komponentët e vet. Ka një progres të dukshëm në përmirësimin e klimës së përgjithshme politike të rajonit, gjë që shprehet si në marrëdhëniet bilaterale ashtu edhe në bashkëpunimin ndërajonal, në drejtim të forcimit të stabilitetit, të sigurisë dhe bashkëpunimit në fushën e krijimit të një infrastrukture ekonomike rajonale. Kjo veprimtari ka edhe një sërë vështirësish tashmë të njohura, ndër të tjera edhe për shkak të përfshirjes së vendeve të rajonit tonë në shkallë të ndryshme integrimi në BE.

Vihet re një mentalitet i ri që po zë vend gjithnjë e më shumë në rajon dhe po kthehet në një filozofi emancipuese të punës në grup, por edhe me kontribute individuale, për krijimin e një imazhi pozitiv të rajonit tonë në raport me partnerët tanë kryesorë të BE-së, SHBA-së, si dhe në kuadrin e ridimensionimeve të politikës globale botërore. Kjo gjë, në mënyrën më të thjeshtë mund të shprehet nëpërmjet kombinimit të tre elementëve: partneritet, “wonership” dhe paternitet.

Pas ezaurimit të termit “ballkanizim” si dukuri, bashkësia ndërkombëtare ka formuluar një koncept tjetër diplomatik, që do ta vendoste në një tjetër trajektore përqasjen e këtyre faktorëve ndaj realiteteve të reja, në disa pika kyç të pjesës së kontinentit europian. Shpërbërja e Jugosllavisë, konfliktet e njëpasnjëshme në pjesët e mbetura dhe të formuara prej saj, si dhe pozicioni gjeo-strategjiko-historik i Shqipërisë, nxorën në pah nevojën e ridimensionimit të politikës në rajonin tonë, gjë që u pasqyrua edhe në pagëzimin me një emërtim të ri, atë të “Ballkanit Perëndimor”. Ky entitet i ri gjeopolitik është pjesë e rajonit të “Europës Juglindore” që tashmë ka zëvendësuar emrin historik “Ballkan”.

Zgjidhja e konflikteve në Europën Juglindore dhe krijimi i kushteve të stabilitetit politik dhe ekonomik është pjesë e rëndësishme e proceseve, që prekin integrimin në strukturat Europiane dhe Euroatlantike, të cilat tani janë koncentruar në “Ballkanin Perëndimor”, të konceptuar jo vetëm si një realitet gjeografik, por edhe që mbart një pjesë të mire të “problemeve ballkanike”: çështja shqiptare dhe raportet e saj me sllavët dhe ortodoksinë ballkanike, çështja maqedonase dhe ajo boshnjake.

Jemi shprehur qartë kundër qëndrimeve të elementëve apo grupimeve të caktuara ekstremiste të të gjitha krahëve, apo kundër debateve jo produktive që evokojnë qëndrime jo profesionale dhe personale. Këto qëndrime dëmtojnë procesin politik në rajonin tonë, duke mos kuptuar se koha e protagonizmit nëpërmjet ekstremizmit dhe rrugës ka mbaruar.

Shqipëria është distancuar dhe ka dënuar me forcë ushqimin e ndjenjave nacionaliste për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, frymëzuar nga segmente që e kanë burimin te krimi i organizuar ndërnacional. Debatet shterpë për “Shqipërinë e Madhe” kanë nxjerrë si konkluzion të përbashkët se ky është vetëm një term që përdoret për të legjitimuar sulmet ndaj shqiptarëve në zonat e banuara prej tyre në Ballkan. Ata duhet të kuptojnë se nuk duhet të shërbejnë më si pretekst për të dëmtuar imazhin e shqiptarëve në rajonin tonë si një faktor paqedashës, konstruktiv, demokratizues dhe europianizues. Ata kanë vetëm një rrugë, t’u bashkohen proceseve politikë dhe demokratizues.

Lidhur me problematikën e ndjeshme që paraqet faktori shqiptar në rajon, politika jonë e jashtme është shprehur qartë, duke kërkuar respektimin e të gjithë dokumenteve ndërkombëtare, që rregullojnë këtë kategori marrëdhëniesh dhe beson se integrimi i tij, në bashkëpunim me faktorët e tjerë etnikë, politikë, kulturorë dhe socialë të vendeve në të cilat ai jeton, duhet të jetë rruga drejt së ardhmes në një Rajon me kufij transparentë, ku lëvizja e lirë e qytetarëve, mallrave, vlerave kulturore, shkencore, akademike, bashkëpunimi politik, ngritja e sistemeve që nxisin dhe rrisin ndërvarësinë ekonomike, infrastrukturore, energjetike, etj., janë e vetmja rrugë për një zhvillim të përgjithshëm dhe të qëndrueshëm ballkanik dhe për një rajon të sigurt, stabël dhe të begatë.

Takimi i nivelit të lartë të Bashkimit Europian që u zhvillua në Selanik të Greqisë në vitin 2005, u prit me shumë interes nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ndaj të cilave BE-ja do të reflektonte përqasjen e saj të re, me anën e një politike më kohezive në aspektin ekonomik dhe social, duke dëshmuar edhe një angazhim më konkret për afrimin e tyre me BE-në

Samiti i Selanikut, përveç rëndësisë që mbarte në vetvete, shënoi edhe hapjen e një etape të re zhvillimesh për Kosovën dhe përfaqësuesit e institucioneve të reja të saj. Pjesëmarrja e një delegacioni kosovar gjithëpërfshirës në një aktivitet me përmasa të tilla politike dhe gjeografike ofroi një tablo të plotë rajonale në të cilën u përfshi edhe Kosova, si pjesë integrale e Ballkanit Perëndimor.

Kosova, si një faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit në rajon, nuk është më një pjesë e shkëputur e realitetit rajonal, por një pjesë integrale e aspiratës së përbashkët për një integrim që do të shtrihet në dy nivele, në prerogativën rajonale dhe më tej në familjen europiane.

Çështjen e Kosovës dhe qëndrimet ndaj saj nuk i kemi parë të thjeshtuara, por të lidhura ngushtë me çështjen shqiptare në tërësi. Sipas dokumentit të strategjisë kombëtare të vendit tonë, ajo mbetet një sfidë edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane: Kosova dhe balancat shqiptaro–sllave në rajon do të mbeten edhe sfida e fundit brenda hapësirave të Europës gjeografike edhe për disa vite në 10-vjeçarin e ardhshëm.

Me sa duket, për çështjen shqiptare nuk ka akoma një projekt përfundimtar. Parë kjo, thjesht në kuadrin e procesit të integrimit, statusi i shqiptarëve ndahet në katër nivele të ndryshme; qytetarëve shqiptarë në Kosovë nuk u lejohet të qarkullojnë në zonën Shengen; ndërsa në Shqipëri lëvizin lirshëm por presin konferencën e parë të hapjes së negociatave; në Maqedoni janë hapur negociatat; në Mal të Zi janë në prag të aderimit në BE.

MAQEDONIA

Në radhën e veprimeve për Ballkanin Perëndimor, në kuadrin e proceseve integruese, Maqedonia po renditet në vendin e parë: pa stabilizim të Maqedonisë, pa siguruar kufijtë e saj dhe pa u përcaktuar identiteti i Maqedonisë, në çdo hap që hedhim do të dalë në dritë ndonjë kufizim drejt proceseve integruese në BE.

Diplomacia shqiptare, me profesionalizëm dhe maturi, ka ndjekur ngjarjet në Maqedoni duke inkurajuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të dy etnive në të gjitha nivelet, për marrjen në mënyrë reciproke të përgjegjësive, për një bashkëjetesë demokratike dhe në përputhje me standardet e parashikuara nga aktet ndërkombëtare dhe kriteret e përcaktuara nga palët në Marrëveshjen e Ohrit. Nga ana tjetër, kemi shprehur me vendosmëri qëndrimin tonë në mbështetje të akteve ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet mes shteteve dhe parimet e mosndryshimit të kufijve me anë të dhunës, por edhe të respektimit të të drejtave themeltare të shtetasve të çdo vendi, si element të domosdoshëm për stabilitetin, me ndikime në stabilitetin e vetë rajonit.

SERBI-MALI I ZI

Kemi bërë e do të vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet për të zhvilluar marrëdhëniet dypalëshe me filozofinë e nevojës së domosdoshme të dialogut, duke u nisur nga fakti se të dialogosh është akti më civil, gjë që nuk do të thotë se edhe duhet të biesh dakord për çdo gjë. Dialogu ka vlera edhe kur parashtron qëndrimet hapur, qofshin ato edhe të kundërta.

E ardhmja europiane e Serbisë që kushtëzon në një masë të konsiderueshme jo vetëm Shqipërinë, por edhe shqiptarët në tërësi, do të varet në një masë të madhe nga procesi i demokratizimit dhe ecuria e reformave në jetën e brendshme të vetë Serbisë, po ashtu, unifikimi i diversitetit deri në konfuzion i mendimeve nacionaliste, orientimi ekonomik, ushtarak dhe politik për të ardhmen e Serbisë dhe lidhjet e saja historike me fuqitë e Lindjes, do të mbajë peng për një kohë të gjatë vendet fqinje me të, pjesë e Ballkanit Perëndimor.

KROACIA

Kroacia, mbas disa përpjekjeve për t’u “shkëputur” nga rajoni ynë, me vendimin e fundit për të aderuar në SEECP dhe nismat e tjera rajonale, do të mbetet për vendin tonë një aleate dhe bashkëpunëtore e ngushtë. Kroacia do të mbetet “peng” i lidhjeve të saj me Ballkanin Perëndimor, për sa kohë nuk do të marrë rrugë çështja e pjesës kroate të Bosnjë Hercegovinës, “Republika Serbska” dhe pjesa qendrore e saj me popullsi myslimane, do të mbetet një model zviceran apo do të shpërbëhet. Por edhe vet Ballkani Perëndimor do të mbetet peng në proceset integruese në BE, deri në zgjedhjen e modelit përfundimtar për Bosnjë Hercegovinën që gjeografikisht ndodhet në zemër të Europës Qendrore.

Malit i Zi nëpërmjet miratimit të “Kartës Kushtetuese të Serbisë dhe Malit të Zi” çliroi mjaft energji dhe rezerva për të gjithë. Shpallja e shtetit të ri, me gjithë vështirësitë, dyshimet, rezervat dhe “kërcënimet” e rrezikut rus në rajon, po kapërcehen dhe Mali i Zi është gjithmonë e më afër se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për t’u bërë anëtare e plotë e familjes europiane.

TURQIA

Ne përshëndetëm vendimin e BE-së për fillimin e negociatave me Turqinë në tetor 2005, si një shpresë që i afrohet edhe Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, sa larg na duket realiteti turk i zonës së Anadollit dhe problematika që ai mbart me vete për t’u anëtarësuar në familjen europiane, aq më afër dhe fare pa vlerë na duket “problematika shqiptare” në rajonin tonë.

Procesi i integrimit në BE ka edhe një element të rëndësishëm që lidhet me trajtimin e minoriteteve. Përveç atyre të vendeve fqinje, në vendin tonë ndodhen edhe dy minoritete të vogla, me origjinë nga vende fqinje por jo kufitare, arumunë dhe bullgarë. Nën ndikimin e komplekseve të krijuara nga ngacmimi prej minoriteteve greke apo serbo-malazeze në Shqipëri, për një kohë të gjatë u paragjykua në mënyrë artificiale ndjeshmëria edhe ndaj minoriteteve apo më saktë shoqatave gjuhësore e kulturore rumune e bullgare, etj., ku përfshihen edhe Romët.

Duke u nisur nga fakti që rruga jonë e integrimit europian është e pakthyeshme; nga ndjeshmëria e madhe që ka marrë e që pritet të rritet edhe më tej ndaj kujdesit për minoritetet në Këshillin e Europës mbi bazë të kritereve të Kopenhagës, si një element i rëndësishëm emancipimi dhe civil; se prania e atyre që konsiderohen me origjinë bullgare apo arumune në këtë territor nuk përbën ndonjë shqetësim apo kërcënim (në të kundërt, kemi pasur vetëm vlera); çdo trajtim me tolerancë, pa paragjykime dhe me transparencë do zbehte apo do të neutralizonte edhe ato pretendime që gjithnjë e më shumë po kthehen në rudimentare në BE e që herë pas here qarkullojnë në formë fletushkash për shtypjen e të drejtave të minoritetit në Shqipëri; qeveria shqiptare u dha statusin e minoritetit këtyre shoqatave, gjë që duhet parë si një vlerë e shtuar.

NISMAT RAJONALE

Në rajonin tonë operojnë një varg nismash, qëllimi të cilave është nxitja e integrimit rajonal, duke krijuar kushte të favorshme për liberalizimin e tregtisë, nxitjen e investimeve të huaja, promovimin e procesit të globalizimit, duke ruajtur dhe pasuruar dimensionet ekonomike, sociale dhe etnokulturore të secilit vend, nëpërmjet një konfiguracioni të veçantë për secilën nismë.

Vendi ynë është aktualisht anëtar i të gjitha nismave që operojnë në rajonin e Europës Juglindore dhe Qendrore, duke e vendosur Shqipërinë në një pozicion të favorshëm gjeopolitik, që fillon nga deti Adriatik dhe përfundon deri në Kaspik. Kjo gjë ka rritur përgjegjësitë tona për të qenë pjesëmarrës dhe palë në një sërë ndërmarrjesh politike dhe ekonomike që kanë si qëllim të përbashkët zhvillimin e rajonit dhe sigurimin e një procesi integrues sa më të shpejtë në strukturat euroatlantike.

Bashkëpunimi dhe integrimi rajonal konsiderohet si një nga shtyllat e politikës sonë të jashtme, është një proces komplementar me atë të Stabilizim-Asociimit dhe integrimit në strukturat euroatlantike. Parimet kryesore në kuadër të nismave shumëpalëshe rajonale janë realizmi, pragmatizmi, prioritarizmi, përmes gërshetimit të objektivave të çastit me ato afatmesme dhe afatgjata. Zbatimi i këtyre qëndrimeve realizohet përmes një diplomacie aktive, ku ndërthuren elementët politikë me ato ekonomikë dhe socialë. Objektivat madhore të këtij procesi janë promovimi i fqinjësisë së mirë, i bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, sigurimi i mbështetjes politike për të realizuar financime të projekteve tona në fushat prioritare për interesat tona kombëtare.

15 vjet më parë, në prill 2006, në Bukuresht u nënshkrua Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis vendeve të Europës Juglindore (CEFTA).

Si një marrëveshje që mbështetet në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Bashkimit European, CEFTA ka qenë një mundësi për të luajtur një rol të rëndësishëm në ndërlidhjen e Ballkani Perëndimor, në rritjen ekonomike dhe në bashkëpunimin e bizneseve me njëri-tjetrin në këtë hapësirë rajonale ekonomike.

Kooperimi ekonomik rajonal nëpërmjet CEFTA-s është mënyra më e mirë për të mobilizuar mjetet ekonomike për të arritur stabilizimin e qëndrueshëm politik dhe ekonomik të të gjitha vendeve të rajonit, Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Serbi.

Nëpërmjet CEFTA-s u krijua një kornizë e bashkëpunimit tregtar rajonal, drejt krijimit të një zone të tregtisë së lirë midis vendeve në tranzicion, kryesisht pjesë e BP-së. Tregtia rajonale ka provuar të jetë më elastike ndaj krizës ekonomike se sa tregtia me BE-në; konsolidimi i këtij bashkëpunimi, e “shkrin” CEFTA-n në mënyrë të natyrshme në tregun e BE-së.

Pozita gjeografike e Shqipërisë në kontinentin Europian, vendimi për heqjen e vizave në zonën Shengen dhe anëtarësimi në NATO e kanë përcaktuar gjeopolitikisht të ardhmen europiane të vendit tonë. Por, vendimi historik nga pikëpamja gjeostrategjike, në zbatim të kësaj perspektive, ishte zgjedhja e territorit tonë për të kaluar trasenë e gazsjellësit transnacional TAP, duke e përfshirë përfundimisht Shqipërinë në zonën e sigurisë Perëndimore dhe euroatlantike.

Mbetet i hapur problemi nëse Ballkani Perëndimor do të përfshihet në familjen europiane me vendime politike, apo do të ndiqet skema e zbutjes graduale nëpërmjet përafrimit të parametrave ekonomikë, duke spostuar vëmendjen nga ndjenjat nacionaliste në dëshirën për të jetuar më mirë.

Integrimi në BE nuk është një zgjedhje nga ana jonë. Ne nuk kemi alternativë tjetër. Çdo “kërcënim” me rrezikun e mbushjes së boshllëkut me praninë e financimeve, investimeve apo influencës së ndonjë fuqie tjetër nuk ka vend dhe nuk besoj se merret seriozisht. Rasti i Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë e tregon këtë gjë më së miri.

Nga ana tjetër, si një vend i vogël, ende në nevojë për të plotësuar të ardhurat e buxhetit të shtetit për disa sektorë të rëndësishëm me ndihma nga partnerët tanë strategjikë; me një sistem demokratik të brishtë, ku forca e çdo maxhorance qeverisëse varet nga ndihmat që vijnë nga jashtë dhe mbështetja politike e aleatëve potencialë, do ta kishte të vështirë të luante rolin e protagonizmit me ide e veprime gjeneruese, përveç atë të një OJQ-je.

Një kontribut të fuqishëm që mund të japë vendi ynë për t’u faktorizuar në kanceleritë Perëndimore është lufta e vendosur e shtetit shqiptar kundër terrorizmit dhe trafiqeve ilegale. Historikisht nëpër territorin e vendit tonë kalon rruga e vjetër “EGNATIA” që u përdor nga Romakët për të shkuar drejt Lindjes. Tani, kjo trase po përdoret në kahe të kundërt nga trafiqet ilegale dhe emigrantët e Lindjes së Mesme. Ishte ky një nga shqetësimet e MPJ-së të Izraelit, Sharon, që e ngriti me të madhe dhe iu kundërvu bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në mbështetje të myslimanëve të Bosnjës e të Kosovës. Por, nën presionin amerikan të Sekretares së Shtetit, Ollbrajt, dyndja e rrezikut islamik me dalje në Adriatik u pa si një rrezik më i vogël në krahasim me shtrirjen e sllavëve nëpërmjet rajonit tonë në Mesdhe.

Historikisht, këtë rol e kryen më së miri Turqia, me një popullsi 100% myslimane, por me një shtet të fuqishëm e funksional, gjë që i jep të drejtën edhe të kërcënojë Europën, sa herë që ka ndonjë pakënaqësi, apo i preken interesat e saj.

Jemi anëtare aktive e nismës së Detit të Zi pa qenë të bindur se i takojmë këtij rajoni, pasi nuk lagemi as nga Deti i Zi, ndërsa Kaspikun e kemi shumë larg. E kemi trajtuar si fantazi idenë e ish-Presidentit Rumun (Iliesku) se Rajoni ynë është Europë Qendrore, ndërsa rajoni i Detit të Zi dhe Kaspikut i përket Europës Lindore, por zhvillimet e fundit me Turqinë tregojnë se skema e vjetër e shtrirjes kristiane mund të përsëritet. Ashtu siç u nda katolicizmi me ortodoksinë me qendrat në Romë dhe Konstandinopol, ashtu mund edhe të bashkohet përsëri mbi baza të një realiteti krejt të ri.

/panorama.al

Read Previous

Në rrugët plot lapidarë!

Read Next

Takimet me Ramën e Bashën/ Ambasada e SHBA: Reeker nënvizoi vendosmërinë e Biden dhe Blinken se lufta kundër korrupsionit është interes thelbësor