Shqipëria, e pa jetueshme për shqiptarët, e “dëshiruar” nga emigrantët

Nga Kumtari

Sipas mediave britanike një skenar i ri po i qaset Shqipërisë.

Parashikohet që emigrantët që kalojnë kanalin nga Franca për në Mbretërinë e Bashkuar do të ndalohen dhe do të sillen në Shqipëri në një kamp, raporton “The Sun”.

Emigrantët e pa ligjshëm që tentojnë të futen në Britani, do të kthehen dhe strehohen në kampe në Shqipëri dhe ndërkohë kërkesat e tyre për azil do të shqyrtohen në UK.

Sipas burimeve të “The Sun”, zyrtarët në Londër dhe Tiranë thuhej se ishin afër arritjes së një marrëveshjeje për qendrën e përpunimit.

Burimi tha: “Sekretarja e Brendshme e ka bërë të qartë se ajo dëshiron që kjo të ndodhë. Negociatat janë në një fazë teknike. Tani jemi në detajet e shkëlqyera siç janë vendndodhja dhe numrat e saktë. ”

A po kthehet Shqipëria në një kamp gjigant emigrantësh?

Sipari i këtij “projekti” u hap me strehimin në Shqipëri të Opozitës Iraniane. Ishte një vendim i qeverisë Berisha dhe më pas qeverisë Rama që solli në Shqipëri mijëra muxhahedinë, të cilët prej vitesh po qëndrojnë në vendin tonë. Nuk ka asnjë informacion se sa do qëndrojnë dhe cili do jetë fati i tyre.

Më pas Shqipëria u përgatit të marrë të larguarit nga konflikti i përgjakshëm në Siri, projekt ky që nuk u realizua plotësisht, por që në vendin tonë tashmë ka me qindra sirianë, numri i saktë i të cilëve nuk dihet e nuk raportohet ekzaktësisht.

Së fundmi, kundërshtarët e regjimit të talibanëve në Afganistan kanë mbërritur në Shqipëri, afati i qëndrimit dhe fati i tyre sërisht është i papërcaktuar qartë.

Ndërkohë emigrantë nga vende si Bangladeshi, Etiopia i sheh nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar dhe qyteteve të mëdha të vendit.

Çfarë po ndodh me Shqipërinë?

Vendasit po e braktisin përditë e më shumë vendin dhe emigrantët nga vende të ndryshme të botës po vërshojnë në trojet tona.

A është ky një projekt, apo një fazë tranzitore?

Askush nuk di të thotë, as institucionet shtetërore, as organizata që merren me çështje të emigracionit.

Ajo që dihet me siguri është se Shqipëria po bëhet një vend i pajetueshëm për vendasit dhe një vend i dëshirueshëm për emigrantët.

Paradoks, por ky është tashmë një realitet.

/kumtari.al/

Read Previous

Meta uron homologun gjerman për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë

Read Next

Skandal në Kishën Katolike në Francë, Gjermani, SHBA