Rikthehet vetingu, drejtues e policë në “duart” e Ardi Veliut! 

Brenda këtij viti pritet që të kalojë projektligji i ri, i cili pretendohet se do të rregullojë procesin e vetingut në radhët e Policisë së Shtetit.

Ministria e Brendshme e ka dorëzuar në Kuvend projektligjin e nisur që në vitin 2019, ndërkohë që procesi ka pësuar disa ndryshime, që nis me faktin se u vendos përfundimisht që do të jetë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ajo që do të bëjë vlerësimin kalimtar të drejtuesve të policisë, të Gardës së Republikës, por edhe vetë drejtuesve të saj. Po ashtu u propozua në projektin e ri fakti që komponenti i pasurisë të bëhet nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, pasi ky institucioni deri në vitin 2006 ka të arkivuara deklarimet e drejtuesve të Policisë së Shtetit, të paktën të atyre që vijojnë të jenë ende në pozicione drejtues.

Ndryshe nga ligji i vjetër kur Komisioni i Jashtëm merrte informacion nga ILDKPI, tashmë komponenti i pasurisë do të raportohet nga vetë ky inspektorat. Ai i figurës së efektivit do të bëhet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila është propozuar që të ketë në përbërje një komision të përhershëm. Po ashtu, në draftin e ri pritet që aftësitë profesionale të paraqiten nga vetë Policia e Shtetit, e cila do të paraqesë një raport të hollësishëm mbi oficeret që do të vetohen.

Duke iu referuar projektligjit që do të kalojë në kuvend për shqyrtim është konstatuar edhe një tjetër risi. Bëhet fjalë për vlerësimin kalimtar të punonjësve të policisë që lidhet me kohën në të cilën do të vlerësohen. Sipas projektligjit, shtrirja kohore fillon nga viti 2008 e më tej dhe jo nga vitit 2006 që ishte përcaktuar më herët. Afati sipas Ministrisë, bazohet në parashikimet e legjislacionit për ruajtjen dhe arkivimin e dokumentacionit nga institucionet publike dhe afateve të parashkrimit të veprave penale.

Read Previous

Ilir Toska bëhet anëtari më i ri i GJK

Read Next

Pse nuk duhet të publikoni foto të fëmijëve në ditën e parë të shkollës