“Presim që Ballkanit të Hapur t’i bashkohet edhe Mali i Zi”- Rama: Ne jemi 100% me Kosovën, na vjen keq për Serbinë

Kryeministri Edi Rama nga Brukseli ka deklaruar se nisma e Ballkanit të Hapur do të vazhdojë, madje siç u shpreh ai presin që shumë shpejt t’i bashkohet edhe Mali i Zi.

Sipas tij, është çështje kohe që t’i bashkohen të gjithë. Ai i bëri thirrje që të gjitha vendet e Ballkanit t’i bashkohen në mënyrë që të mos humbet më kohë, pasi duhet bashkëpunim.

“Ballkani i Hapur funksionon dhe do funksionojë gjithmonë e më mirë. Tani ne presim që edhe Mali i Zi t’i bashkohet, domethënë është çështje kohe, unë e kam thënë gjithmonë, është çështje kohe që t’i bashkohen të gjithë në fakt se nuk ka ku shkon tjetër kjo punë përveçse tek kooperimi, tek bashkëpunimi, kështu që sigurisht që është humbje kohe patjetër për ata që ngurojnë apo refuzojnë të bashkohen, por ne nuk kemi kohë për të humbur” tha Rama.

I pyetur në lidhje me deklaratat e Vuçiç se do të rishikojë qëndrimin e saj nëse Kosova do të kërkojë anëtarësimin e Europës, Rama tha: “Kjo nuk do diskutim fare. Ne jemi shumë të qartë. Ne nuk kemi asnjë ekuivok.

Ne jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap dhe për çdo gjë që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar.

Ndërkohë që ne kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna tek normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi në aspektin ekonomik, në aspektin e lirisë së lëvizjes e të tjera e të tjera, me Serbinë paralelisht me betejën në tryezë, betejën diplomatike për dialog e kështu me radhë sepse besojmë që kjo është rruga, kjo është rruga dhe nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nga autoritetet legjitime, të votuara, të mandatuara, përgjegjëse të Kosovës për të patur një qasje komplet tjetër në këtë aspekt.

Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!”

Read Previous

“Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë”, thonë presidenti dhe kryeministria e vendit

Read Next

Rama i kërkoi të hetonte Berishën/ Reagon për herë të parë kreu i SPAK