“Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë”, thonë presidenti dhe kryeministria e vendit

“Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë”, thonë presidenti dhe kryeministria e vendit.

Presidenti Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin bënë njoftimin e përbashkët të enjten në mëngjes.

“Gjatë kësaj pranvere, është zhvilluar një diskutim i rëndësishëm mbi anëtarësimin e mundshëm të Finlandës në NATO,” thanë ata. “Është dashur kohë që parlamenti dhe e gjithë shoqëria të vendosin qëndrimet e tyre për këtë çështje.

“Ka nevojë për kohë për kontakte të ngushta ndërkombëtare me NATO-n dhe vendet anëtare të saj, si dhe me Suedinë, ne kemi dashur t’i japim diskutimit hapësirën që kërkonte.

“Tashmë që momenti i vendimmarrjes është afër, ne shprehim qëndrimet tona të barabarta, edhe për informim e grupeve dhe partive parlamentare.

“Anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës. Si anëtare e NATO-s, Finlanda do të forconte të gjithë aleancën e mbrojtjes.

“Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësimin në NATO pa vonesë. Shpresojmë që hapat kombëtarë që duhen ende për të marrë këtë vendim do të merren me shpejtësi brenda ditëve të ardhshme.”

Marin ka thënë se pushtimi i Ukrainës kishte “ndryshuar gjithçka” në aspektin e sigurisë për Finlandën, e cila ndan një kufi prej 1,340 kilometrash me Rusinë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto, duke folur në komitetin e punëve të jashtme të Parlamentit Evropian rreth kohës së njoftimit, tha se pushtimi rus i Ukrainës kishte “ndryshuar sigurinë evropiane dhe finlandeze”.

Por, shtoi ai, Finlanda nuk po përballet me “një kërcënim të menjëhershëm ushtarak”.

“Partneriteti afatgjatë i Finlandës me NATO-n është i ngushtë dhe i gjerë” dhe anëtarësimi do të “forconte sigurinë dhe stabilitetin e zonës së Detit Baltik”.

Ndërkohë fqinji Suedia pritet gjithashtu të njoftojë nëse do të kërkojë të anëtarësohet në NATO.

Partitë Social Demokratike në pushtet në të dy vendet do të paraqesin qëndrimet e tyre këtë fundjavë.

Dalja në favor të anëtarësimit është një zhvillim historik: Finlanda miratoi neutralitetin pasi u mund nga Bashkimi Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.

©kumtari.al

Read Previous

Kushtojnë gati 2000 dollarë, a do të guxonit t’i vishnit atletet e reja të Balenciagës?

Read Next

“Presim që Ballkanit të Hapur t’i bashkohet edhe Mali i Zi”- Rama: Ne jemi 100% me Kosovën, na vjen keq për Serbinë