OBSH-ja përfshihet në skandal

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se është e tmerruar nga zbulimet e një raporti në lidhje me pretendimet për abuzime seksuale ndaj grave në Republikën Demokratike të Kongos nga punonjësit e OBSH-së që po ndihmonin për luftimin e Ebolas, raporton BBC.

Drejtori i OBSH-së për Afrikën, Matshidiso Moeti, i ka kërkuar falje grave dhe vajzave nga vuajtjet që kanë përjetuar nga veprimet e stafit të OBSH-së mes vitit 2018 dhe 2020.

Gratë lokale kanë thënë se u janë dhënë pije dhe janë detyruar të kenë marrëdhënie seksuale.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se është e pafalshme kjo.

Ai ka thënë se në një raport 35 faqe janë zbuluar detaje të tmerrshme dhe ai i ka kërkuar falje drejtpërdrejt viktimave dhe të mbijetuarave të shfrytëzimit seksual dhe abuzimit.

“Kërkoj falje për atë që ju kanë bërë ju njerëzit e punësuar nga OBSH-ja për t’ju shërbyer dhe mbrojtur ju. Është prioritet i imi që këta persona ta vuajnë dënimin”.

Në raport është zbuluar se 21 nga 83 sulmuesit e pretenduar ishin të punësuar nga OBSH-ja. Abuzimet, ku janë përfshirë nëntë pretendime për përdhunim, janë kryer nga stafi nacional dhe ndërkombëtar.

Read Previous

Foto/Kate Middleton i bën homazh Princeshës Diana, vesh fustanin e ngjashëm në premierën e filmit të ri të agjentit 007

Read Next

Nënkomisari Saimir Hoxha shpallet “Dëshmor i Atdheut”/Përfitimet që marrin familjarët