Nga e merr Beogradi zyrtar guximin për të kërcënuar Kosovën?

Nga Isak Bilali

Tensionimi i situatës së sigurisë në veri të Kosovës pas futjes në fuqi të vendimit për trajtimin reciprok për targat e makinave po merr një epilog me përmasa jo të lehta për qeverinë e Kosovës, situatë e cila kërkon maturi dhe integritet në mënyrën se si duhet trajtuar dhe zgjidhur.   

Thirrja urgjente e takimit të sigurisë kombëtare pas bllokimit gjashtëditor të arteries rrugore që lidh Kosovën me Serbinë, zjarrvënia e zyrave të qendrës së regjistrimit të makinave në Zubin Potok dhe veçanërisht spotimi i avionëve serb në afërsi të zonës kufitare janë një mori faktesh që determinoj kompleksitetin e situatës e cila s’do mend që kërkon trajtim serioz.

Por a është situata aq serioze, sa duket dhe a ka potencial eskalimi?

Është normale të përllogaritet dhe të trajtohet me kujdes të veçantë niveli i rrezikshmërisë së kësaj situate përderisa kemi të bëjmë me blindim të kufirit nga fqinjët serb dhe veçanërisht përdorimi i civilëve serb të cilët e mbajnë të bllokuar rrugën në shenjë pakënaqësie të vendimit mbi reciprocitetin që po aplikon Kosova. Por, e gjithë kjo situatë nuk është aq serioze sa thuhet në disa shkrime e analiza që kanë për brumë teori konsipracioni me qëllim nxitje frike se çfarë ndodh nëse forcat serbe kalojnë kufirin dhe fillon një konflikt i ri.

Absolutisht, që këto shqetësime kanë në themel vetëm ndjelljen e frikës, por nëse i shohim gjërat pak më ftohtë rezulton që ky është një tensionim i qëllimshëm me objektiv specifik vetëm matje apo testim të reagimit që Serbia e realizon për të ndërtuar e rindërtuar strategjinë e tyre afatgjatë për të sofistikuar obstruktivitetin që ata planifikojnë ta realizojnë me Kosovën.

Tendenca e Beogradit për ta tensionuar situatën nga brenda dhe mobilizimi me nacionalizëm folklorik duke dërguar trupa e artililieri buzë kufirit nuk është veçse një esperiment i radhës, sepse përqëndrimi i policisë dhe ushtrisë serbe nuk ka se si të interpretohet ndryshe veçse një piknik në natyrë që mund të përshkruhet me një meme me ftyrë zgërlaqjeje kërcënuese. Edhe arkat me birra “të protestuesve” që kanë bllokuar rrugën do të harxhohen dhe nga dehja nacionalizmi i tyre do të përfundojë si një përrallë e harruar.

Pavarësisht, objektivave të qarta që përmes këtij inskenimi Serbia dëshiron të derdh lot krokodili se pse kosovarët po aplikojnë reciprocitet në një çështje teknike synojnë të internacionalizojnë “pafajsinë” e tyre, çështja është se gjithçka po ecën drejt shterimit.

Nëse i vërejmë me kujdes të gjithë elementet e prishjes së rendit publik kuptohet që motivi për mosbindje civile derivon nga standardi i dyfishtë i aplikimit të një mase që tashmë Serbia e aplikon për kosovarët si pjesë e marrëveshjeve teknike të firomosura në Bruksel. Gjithashtu, kur merret për bazë se incidentet që po ndodhin janë në një zonë kufitare me dominancë minoritare që për shkak të ndjeshmërisë së sigurisë publike për të gjithë qytetarët, është forca ushtarake e KFOR-it që është e mandatuar nga NATO në fund duhet të japë vulën e zgjidhjes.

Identifikimi nga dëshmitarët okularë të fluturakes ushtarake serbe në hapsirën ajrore kufitare është elementi bazë që KFOR-i duhet të reagojë dhe të veprojë përtej ndërmjetësimit dhe deklarimit parimor që janë për zgjidhje paqësore që nuk involvon dhunë.

Me pak fjalë, këto janë shkaqet që situata nuk është serioze dhe nuk ka vend për panik sepse mbase në vështrimin e KFOR-it ky është testi i parë serioz me të cilin forcat e rendit në Kosovë përballen dhe është e nevojshme nga ana e tyre të vrojtohet dhe të shikohet nga larg se në çfarë mase forcat e sigurisë në Kosovë kanë arritur shkallë maturiteti për të trajtuar probleme të ndjeshme sigurie.

Çfarë mbetet të shohim me kalimin e ditëve është se vendimi i qeverisë së Kosovës është i formës së prerë dhe deshën apo nuk deshëm disa qytetarë të imponuar në mendime e veprime do të përballen me realitetin që është i natyrës ligjore dhe mandatore në zbatueshmëri.

Pikërisht për shkak se ky vendim është i mbështetur në parime universale ndërkombëtare dhe në frymë të fqinjësisë së mirë për të patur paqe të qëndrueshme për të dy shtetet, protestimi i qytetarëve serb i takon së drejtës së tyre për ta  përdorur këtë instrument por jo dhunë. Institucionet Kosovare vazhdojnë me zbatimin përkundër vështirësive teknike që vijnë si rrjedhojë e zjarrvënies së qëllimshme të dokumentacionit nga “protestuesit”.

Me pak fjalë, nëse e shtrojmë këtë situatë sipas gjuhës së popullit i bie të jetë ekuivalent i përshtatshëm shprehja: qentë lehin karvani ecën…

Përtej analizës së fakteve dhe projeksioneve së çfarë do të ndodh, kërkohet edhe gërmimi i shkaqeve se pse dhe si erdhëm deri te kjo situatë?

Është krejt e shpjegueshme dhe e logjikshme por para së gjithash është racional vendimi i autoriteteve kosovare të aplikojnë parimin e reciprocitetit dhe ligjshmërinë juridiko-politike që aplikon çdo vend sovran. 

Por, e pashpjegueshme është fuqia dhe motivi që merr Beogradi zyrtar për të mbireaguar në formë kërcënimi duke nxjerrë edhe tankset e avionët nga kazermat ushtarake duke e ditur fare mirë që forca e tij goditëse është disproporcionale me forcën veri-atlantike që është e instaluar në shtetin që ata synojnë ta sulmojnë.

Natyrshëm, Presidentja Osmani reagoi  duke akuzuar Serbinë si  burimi “kryesor i destabilizimit në rajon” dhe ftoi bashkësinë ndërkombëtare që të veprojë sa më shpejt, por cfarë është e nevojshme për opinionin publik më shumë është të gërvishtet pak sipërfaqja dhe të shihet se çfarë ka në substancë të këtij skenari destabilizues.

Është fakt i njohur dhe i mirëqenë që historikisht Serbia ka qenë e mbështetur për projektet ekspanioniste nga Rusia mëmë ndaj dhe ky konkluzion aq sa është fakt i pamohueshëm është i pamjaftuëshem dhe i mangët për një shtet të ndërmarrë nismë të tillë konfliktnxitjeje.

Përfundimisht, Presidenti Vucic është trimëruar nga suksesi i Open Balkans të nxisë konflikt e destabilizim në Kosovë i cili ka gjetur mbështetje të gjerë në faktorin ndërshqiptar, për të eksperimentuar, pse jo mbase edhe realizuar skenare të tillë.

Mbështetja e parezervë nga Kryeministri Rama është një nga faktorët determinant që Serbia po ndërmerr hapa konkret në destabilizimin e rajonit vetëm e vetëm të zyrtarizojë separatizmin e pjesës veriore të Kosovës, pa të cilën ndihmë as nuk do mendohej që një gjë e tillë të ndodhte, jo se Rama është i plotfuqishëm, por sepse gjithçka që bëhet, bëhet me bekimin dhe në koordinim me fondacionin e shoqërisë së hapur në Washington.

Guximi për të destabilizuar Kosovën i dyshes Rama-Vucic buron nga nisma e tyre për një “Ballkan të Hapur” e cila është projektuar nga Shoqëria e Hapur dhe tani me çdo kusht po kërkon zbatim.

Deklarata e Kryeministrit Rama për Zërin e Amerikës i cili shprehet se “Ballkani i Hapur” nuk është arsye për të pasur probleme në marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri, është aq mediokre aq dhe e gënjeshtërt që e dëshmon nivelin e manipulimit të cilin e bën Kryeministri i Shqipërisë në raport me Kosovën. Është pikërisht ky njeri që në kundërshti me vullnetin e popullit të Kosovës dhe në kundërshti me homologun e tij Kosovar ka lançuar dhe mbështetur dhe vazhdon të jetë kryelobuesi i Ballkanit të Hapur që edhe sot hapur minon mardhëniet Kosovë – Shqipëri.

Read Previous

Zbardhet axhenda e Ramës/Nesër vizitë zyrtare në Kosovë

Read Next

Islanda, një Risi në Evropë