Në Shqipëri, “dorëheqja” si akt poshtërimi, jo si akt dinjiteti

Nga Kumtari

Thuajse çdo funksionar, i të gjitha niveleve, i qeverisë Rama-1, Rama-2, Rama-3 është larguar nga posti me “dorëheqje”.

Si ka mundësi, në një vend i cili ka 100-vjet që vuan nga kultura e dorëheqjes, të ikin kaq shumë funksionarë me dorëheqje?!

Ministra, zëvendës ministra, deputetë, drejtorë…janë larguar me dorëheqje.

Është absolutisht e pa besueshme çdo dorëheqje e tillë, me përjashtime shumë të rralla, ndonjë rast sporadik.

Të gjitha “dorëheqjet” në këtë vend janë shkarkime nëpërmjet shantazhit.

Pra, nuk është se kemi të bëjmë vetëm me një poshtërim dhe nëpërkëmbje dinjiteti të njerëzve, siç është edhe rasti i Ardi Veliut, por fakti që të gjithë shkojnë si “qingja” dhe dorëzojnë postin me dorëheqje tregon se shumica e tyre e pranon poshtërimin për shkak të pa ndershmërisë që e ka karakterizuar gjatë kryerjes së detyrës publike.

I vetmi që po i reziston “dorëheqjes” në mënyrë vullnetare aktualisht është Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Ky i ka shpëtuar shkarkimit se është i zgjedhur, formalisht.

Megjithëse e gjithë partia ka deklaruar se ka humbur besimin te Leli, ai sërish po reziston të japë dorëheqje me dëshirë.

Dhe, me ç’duket, shkarkimi i tij nuk mund të merret në shqyrtim nga partia pasi ky opsion u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese në rastin e shkarkimit të Zef Hilës në Vaun e Dejës.

Ky precedent i krijuar po vetë nga kjo mazhorancë, duket se favorizon të vetmin socialist, nga i cili partia ka humbur besimin, por që ai po bën rezistencë për t’ia dorëzuar dinjitetin partisë në fund me “dorëheqje.

/kumtari.al/

Read Previous

Bosëve të Amerikës u rritet me 40% pasuria gjatë vitit të shkuar

Read Next

Shqiptarët e facebook-ut