MITHAT FRASHËRI – PËRBALLË ELITËS PA POPULL DHE POPULLIT PA ELITË

Nga Artur Shkurti

Duket që qeveria ka bashkëpunuar me opozitën që ceremonia e datës 14 nëntor 2018 të ishe pa popull (as të djathtë, as të majtë), por vetëm me elitë politike. Duke mos marrë popullin me vete në ceremoni, varri u la pa një shenjtërinë që do ta mbronte nga goditjet. Kjo shentëri do t’i jepej pikërisht në atë ditë, ditën e ceremonisë dhe jo më vonë. Kjo mungesë popullore e bëri varrin lehtësisht të dëmtueshëm, jo aq fizikisht, sa në psikologji dhe në propagandë dhe tashmë ky dëm është i pariparueshëm. Populli nuk mundet të thërritet si kofini pas të vjeli. Reagimet tepër të dobta në rrjete sociale nuk janë në gjendje të japin “shentëri” figurës dhe varrit.

1. PROBLEMI

 

 

 

  • Dhunimi për herë të parë i varrit të Mithat Frashërit (9 muaj pas ceremonisë)

 

12 gusht 2019 – (pra vetëm 9 muaj më vonë)  kemi këtë lajm në Javanews “Dhunohet varri i Mithat Frashërit, i hiqet mermeri” (Linku: “https://javanews.al/foto-dhunohet-varri-i-mithat-frasherit-i-hiqet-mermeri-dhe/”). Raportohet se ngjarja ka ndodhur “ditët e fundit” pra jo në 12 gusht 2019, por më parë. (kur shkarkon foton shoqëruese, ilustruese emri i dokumentit është IMG-20190811 që do të thotë e datës 11 gusht)

Raportimi: ” Ngjarja ka ndodhur ditët e fundit dhe shumë të paktë janë ata që e kanë marrë vesh se është dhunuar varri i Mit’hat Frashërit. Kjo fotografi është bërë sot dje pasdite nga Gazeta Dita. Sikurse duket nga fotografitë, janë hequr pllakat e mermerit nga pjesa ballore e piedestalit që mban kokën e Mit’hatit, si dhe një pllakë e madhe në anën e majtë të tij. Rreth bustit tani janë vendosur shirita të verdhë plastmasi, ndërsa aty ku duhej të ishte emri i Mit’hatit, është vënë një tabelë e verdhe ku lexohet: “KUJDES! KËTU PUNOHET”. Në 14 nëntor të vitit të kaluar kryeministri Edi Rama, me një ceremoni shtetërore solli eshtrat e ish-kryeballistit Frashëri, ngjarje kjo që provokoi debat.”

Pra për gazetën është “ish-kryeballisti Frashëri” që qartësisht kuptohet që është një përshkrim në zhargonin më negativ të komunizmit. Një gjuhë korrekte do të ishe “kreu i Ballit Kombëtar” dhe jo “ishkryeballisti Frashëri”.

Cilësia e punimeve që reflekton dëmi: Mermeri rrethues nuk paskësh qenë aq mirë i vendosur dhe aq solid sa t’i rrezistonte dëmit të tillë, nga një dorë. Do të duhej pak më shumë punë për ta prishur, por paska qenë e lehtë dhe këtë lehtësi e shkatkon cilësia e ndërtimit të varrit.

 

  • Dhunimi edhe më i rëndë për herë të dytë  i varrit të Mithat Frashërit 4 vjet pas ceremonisë

 

23 dhjetor 2022 – dhunohet plotësisht varri i Mithat Frashërit

Varri dëmtohet. Koka skulpturë hidhet mbi merrmerin që mbulon trupin dhe mermeri thyhet në një formë që tregon sikur të kishte qenë xham dhe jo mermer, duke e bërë gropë mermerin, pra që i bie që koka paska qenë material i fortë, por vendosja në piadestal paska qenë e dobët, e shkëputshme dhe vetë mermeri shumë i dobët dhe pa një mbështetje të mirë. Kështu koka bën dhe koka pëson. Një varr publik do të duhej të kishte edhe një fortësi të tillë.

Tashmë dëmi është bërë i plotë nga pikëpamja e historisë dhe nuk ka rëndësi më nëse këtej e tutje varri do të jetë më solid apo jo. E rëndësishme është që fotot e varrit të dëmtuar do të jetojnë, duke e bërë atë “varr me cen në biografi” pra me një të shkuar “problematike” dhe për më tepër “pa autor të dënuar” por thjesht me autor “anonim”, me të cilin çdokush që nuk do ta donte Mithat Frashërin të mund të identifikohej.

2. CEREMONIA E VARRIMIT: “Pa popull, por vetëm elitë”

Dukej e vështirë të gjeje difekte në ceremoni, nga ana formale. Madje m’u duk që arti ishte në majën e vet. Askush nuk pengohej për të marrë pjesë. Mjedisi ku ishin mbajtur eshtrat ishte artistikisht i shkëlqyer dhe video e tregon këtë.

Sikur shkolla “Udha e shkronjave” të mos merrte pjesë në të, në ceremoni nuk do të kishe asnjë shkollë të përfaqësuar. Ne nuk na ftoi kush për të vajtur. Vajtëm vetë dhe nuk lajmëruam askënd. As na pengoi kush. Nuk na u desh ndonjë diskutim që të organizonim fëmijët, prindërit e të cilëve ishin socialistë. Punën na e lehtësonte fakti që ajo që e organizonte ceremoninë ishte një qeveri socialiste. Vetëm një nga prindërit na tha sinqerisht “Unë nuk e sjell dot fëmijën sepse familja jonë ka qenë e lidhur me partizanët”.

Duke kuptuar që ceremonia po shoqërohej me një farë “indiferentizmi” popullor dhe me nderime “individuale” më shumë sesa kolektive, menduam që t’ua kujtonim këtë detyrim disa shkollave private. Askush prej tyre nuk erdhi. Duket që e kishin kuptuar që nuk duhej të shkonin, prej faktit që asnjë shkollë nuk po dukej në ceremoni dhe qartësisht mesazhi “nën rrogoz” ishte “jo kolektiva”. Shkollat duhej t’i vinin vulën një figure historike nderimit dhe çfarë vule i vunë shkollat shtetërore e private që nuk vajtën në ceremoni?! Vulën e indiferentizmit.

Duket se qeveria e bëri punën, por populli nuk deshte. Por qeveria ka popullin e drejtorëve të shkollave shtetërore në dorë, ka popullin e dekanëve dhe rektorëve në dorë, ka popullin e zyrtarëve në dorë. Pse nuk u tha atyre “Është koha që ne të rivlerësojmë figurën e Mithat Frashërit. Ndaj ky vlerësim nuk ka kuptim që ta bëjmë vetëm ne si qeveri, por le ta shfrytëzojmë që bashkë me ne të “ndriçohen” edhe fëmijët tanë, njerëzit e Partisë Socialiste, zyrtarët që kemi”. Le të ecim në një rrugë të re. Asgjë e tillë nuk ndodhi sepse qeveria nuk donte që “ndriçimi të shkonte poshtë”, por e ndriçuar të ishte vetëm elita.

Është paradoksale që një qeveri e majtë të vendosë të kthejë eshtrat, të bëjë një ceremoni dhe të mos jetë e shoqëruar në këtë veprim nga masa që ajo drejton. Unë vetë kisha me vete mësues që ishin socialistë dhe ata mbetën të kënaqur dhe të vlerësuar që morën pjesë në ceremoni. Kjo do të ndodhte edhe me shumicën e socialistëve nëse ata do të ftoheshin nga qeveria e tyre. Ky do të ishte rasti më i mirë i edukimit të tyre kombëtar dhe i afrimit në vlera me pjesën tjetër. Kujdesi ishe maksimal që ata të mos ishin aty. Duhej humbur ky shans.

Tani e lëmë të majtën e zëmë të djathtën. Edhe ata e bënë këtë punë si qeveria, pra në elitë dhe jo në masë. Elita shkoi. Masën e tyre e mbajtën larg. Pse nuk e bënë ata në të kundërt të organizimit të qeverisë, pra që e donte vetëm “me elitë” dhe të çonin popullin e djathtë në ceremoni?! I ndaloi qeveria të shkonin? Jo. Atëherë pse nuk shkuan “si popull” por vajtën sikur po shkonin në ndonjë qokë në lagje.

Edhe ne mund të shkonim vetëm në ceremoni e të bënim ndonjë foto me lule siç edhe e bëmë, por vajtëm me mësues e nxënës sepse donim t’i edukonim e t’u jepnim shansin edhe atyre të ishin të pranishëm në një ngjarje kombëtare. Ne na erdhi shumë mirë që një pjesë e familjarëve që ishin dhomën ku bëheshin homazhet u ndriti fytyra kur panë nxënësit që të  bënin nderime dhe një grua plakë megjithëse me shkop, u ngrit në këmbë për nxënësit që ishin mosha 12-15 vjeç (kjo duket edhe në videot më poshtë).

Atëherë pse nuk e shfrytëzuan ngjarjen për edukim? Sepse e duan për vete dhe nuk duan të organizojnë “dalldi popullore kombëtare” e cila u del nga duart. Ndaj e lanë “jetim”. Të donte PD-ja mundet ta mbushte rrugën plot nga Kuvendi deri në Liqenin Artificial. Pse nuk deshi?! Në emër të kujt nuk deshi? PS-ja mund të kishte një justifikim (historik) edhe pse jam i bindur që nëse Edi Rama do t’u kishte thënë “dilni” jashtëzakonisht pak do ta refuzonin për të dalë. Pra do ta mirëprisnin ndryshimin sepse ata në këtë shoqëri jetojnë dhe nuk jetojnë të ndarë nga populli dhe shumica e atyre që janë socialistë nuk kanë edhe fisin plotësisht socialistë, por kanë edhe ata të djathtë andej-këndej, ndaj do ta donin një orientim më kombëtar, por ata nuk mund të bënin me kokën e tyre. E kanë këtë që i qëndrojnë rreshtimit ku u thonë të rrinë. Pra, elita PS-ja e kishte një justifikim (jo argument real), por PD-ja s’kishte asnjë justifikim për të mos e mbushur plot (det) ceremoninë.

Me këtë ata i thanë anëtarësisë së vet “Mithat Frashëri nuk ka edhe aq rëndësi” sa ne ta nderojmë në grup. Por çfarë ka rëndësi?!

Dëmi ndaj varrit të Mithat Frashërit nuk do të ishte bërë nëse elitat do të vendosnin të merrni në ceremoni edhe popullin. Pse nuk bëhet dëm ndaj varrit të At Zef Pllumit, meqë është antikomunist? Sepse aty qartësisht u mor edhe populli me vete. Ose kuptohet fare mirë që nuk ka “numra me atë”. Pra dëmin Mithat Frashërit ia bënë elitat. Ato e lanë atë qëllimisht “jetim” në ceremoni dhe kështu të dobët para opinionit publik. Me masën nuk u punua qëllimisht që ai që me të të punonte ai që do të dëmtonte varrin dhe faktikisht dëmi tashmë është bërë. Nuk mund të ketë ceremoni të dytë për të që t’i vihet nderi në vend. Cermoninë e dytë (2019) e të të tretë (2022) ia kanë bërë prishësit e varrit. Kjo është ditur nga elitat se kështu do të ndodhte. Dëmin e ka vetë kombi dhe jo elitat. Atij “iu thartua” kujtimi, pra iu baltos. Shenjtëria ka shumë nevojë për “paprekshmërinë e varrit”. Tashmë kjo është prishur.

 

3. Fjalimi i Edi Ramës në ceremoninë e datës 14 nëntor 2022

Ceremonia e pandarë me popullin të cilin kanë nën urdhër u organizua qëllimisht në mënyrë të tillë që ky të ishte një akt reflektimi personal i vetë udhëheqësit ose i të paktën elitës. Reflektimi i popullit duhej bërë në një kohë tjetër dhe jo njëkohësisht me elitën. Elita duhej të ishte para edhe në kohë.

Megjithatë le të shohim i cilit lloj ka qenë reflektimi. Fjala e Edi Ramës në këtë ceremoni është e botuar në faqen e kryeministrisë me titullin “Kthimi në atdhe i eshtrave të Mithat Frashërit”

Po veçoj për koment disa nga thëniet e tij në këtë fjalë:

Citim:

“Kush ishte ky djalosh që më vonë do të hynte në historinë e shqiptarëve si një hije plot dije, me një idetitet të dyfishtë, njërin, Lumo Skëndon për tempullin e letrave, tjetrin, Mid’hat Frashërin për staturën e shtetarit nën mantelin e politikanit me cen në biografi dhe që në fund fare, edhe në banesën e fundme do të qëndronte për shumë kohë si një jabanxhi nën dhe të huaj, sepse i papranuar për 7 dekada në nëndheun e atdheut të tij?” 

Ka disa komente për t’u bërë në këtë paragraf:

Fraza “do të hynte në historinë e shqiptarëve” – nënkupton se ky që thotë Edi Rama është “realiteti i historisë së shqiptarëve” dhe “nuk ka tjetër”. Është e ditur që historia shkruhet e rishkruhet. Edhe kur ka shumë dakortësi përsëri vlen të thuhet se me rezerva duhet pranuar si e mirëqenë një “histori e shqiptarëve”. Ndaj më e drejtë do të ishte që autori të fliste për “historinë e tij të shqiptarëve” pra si e kupton ai dhe jo edhe për të tjerët.

Pasi ka bërë hyrjen që do të gdhend “historinë e shqiptarëve” ai thotë “hyri si hije plot dije”, duke bërë rimën “hije-dije”, me një kundërvënie konceptesh sepse “dijes i shkon dielli dhe jo hija”. Kur hyn “dija” ne presupozojmë që hyn pikërisht “drita” dhe jo “hija”. Ministria e Arsimit e ka bërë të vetën devizën e Naim Frashërit “Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë”. Sipas kësaj thënie të Edi Ramës i bie që ekzistonka “hija e diturisë” ose “dituria me hije”. Në fakt, hyri si hije është një shprehje që ne e përdorim, për të thënë se kemi hyrë “fshehtas” në një situatë, si një faktor i panjohur.

Menjëherë autori ka marrë përsipër ta çajë në dysh “personalitetin” e Mithat Frashërit dhe të thotë se ka hyrë në histori me një “identitet të dyfishtë”. Një prej këtyre identiteteve është pa cen dhe tjetri me cen. Ai që është pa cen është “letrari” dhe ai që është me “cen” është “statura e shtetarit nën mantelin e politikanit me cen në biografi”. Nëse marrim kuptimin komunist të “cenit në biografi”, referimi ka qenë jo për “biografinë personale” por për atë “familjare”, pra dikush tjetër kishte bërë gabim dhe ajo duhet paraqitur si “cen në biografi”. Megjithatë ekziston edhe “cen i biografisë tënde personale”, nëse dikur ke bërë “një gabim”. Nuk mundet që Edi Rama ta ketë për “biografinë familjare” sepse ka një dakortësi edhe nga komunistët që ajo ka qenë e ndritur (Abdyl (babai), Naim dhe Sami (xhaxhallarët)). Ceni në biografi lidhet me qëndrimet e tij politike, dhe dihet që “ceni” më i madh që i njohin komunistët ishte krijimi i “Ballit Kombëtar” si organizatë antikomuniste.

Edi Rama thotë “I papranuar për 7 dekada  në nëndheun e atdheut të tij”. Cilat janë 7 dekadat? Meqë ka vdekur në 1949, atëherë 1949 + 70 = 2019, që do të thotë se në 7 dekadat, ai fut edhe 28 vjet demokraci. Është tjetër të prehesh jashtë, e tjetër të jesh “i papranuar”. Është e qartë se nga këto 7 dekada, vetëm 4 dekada (pra deri në 1990), ku menaxhimi i atdheut ishte nga komunistët mund të ketë kuptim “i papranuar”, edhe kjo me rezervë sepse pavarësisht se ata kishin pushtetin, nuk mundet të përfaqësonin atdheun. Më vonë, pas 1990, ai do të ishte “i pranuar”, por megjithatë “socialistët” nuk e kanë pranuar edhe për 28 vjet, sepse vetë kryetari i tyre, në çastin e kthimit në atdhe të eshtrave (2018) i fut vitet e demokracisë në 7 dekada mospranimin. Pavarësisht se mospranimi vijon “për inerci” e “kokëfortësi” edhe pas 1990, nuk mundet të barazohet para 1990 me pas 1990.

Termi “jabanxhi” zakonisht përdoret për një vendas, por të një krahine tjetër dhe jo edhe për emigrantin (siç ishte Mithati). Në këtë kuptim, emigranti nuk mund të jetë jabanxhi, pavarësisht se si emigrantin dhe jabanxhiun i bashkon fakti që janë të huaj në atë vend. Nëse në Tiranë shohim një “italian” ne nuk i themi dot “jabanxhi”, por “i huaj”. Jabanxhi në Tiranë i themi një përmetari, apo një dibrani, pra një të ardhuri nga një vend tjetër dhe që është freskët i huaj, pra jo për shumë. Më vonë, kur stabilizohet vetë, krijon familje e të njohur në atë vend, ai mund të mos quhet “jabanxhi”.

Të mos gjeturit e fjalës që duhet është një “parehati” mendore dhe një premisë që gjykimi i Mithat Frashërit duhet t’i nënshtrohet lëvizjes së koncepteve, pra asnjë koncept nuk duhet të jetë rehat, pra i fiksuar mirë. Kjo lëvizshmëri dhe mungesë sigurie karakterizon të gjithë fjalimin.

Më tutje, Edi Rama thotë: “I prirur që në krye të herës të vetëvritet politikisht dhe shoqërisht, Mit’hat Frashëri nuk i negocion bindjet e tij.”

Koment. “I prirur të vetëvritet politikisht” e bën gjykimin e rëndë historik të dhënë nga komunistët jo tipar të komunistëve, të synimeve të tyre, por të vetë personit Mithat  Frashëri që është “i prirur të vetëvritet politikisht dhe shoqërisht”. A ekziston “politika” si një njësi unike koherente? Jo, përveç se në komunizëm, ku “politika” ishte vetëm një. Atëherë pse autori fut në të njëjtin thes (politikisht dhe shoqërisht) edhe kohën kur “politika dhe shoqëria” ishin “pluraliste”, pra të ndryshme, që do të thotë se shumë politika dhe shumë qëndrime të ndryshme e nënkuptonin “integritetin” dhe “mosdakortësinë” dhe nuk e quanin atë “prirje për vetëvrasje”. Prirja për “vetëvrasje politike dhe shoqërore” ka kuptim vetëm në një sistem “monist” siç ishte “komunizmi”, ku personi nëse nuk ishte “konformist” (të paktën) mund të thuhej se kishe prirje për “vetëvrasje politike dhe shoqërore”, pra e dinte se çfarë do të pësonte. A e  dinte Mithat Frashëri se çfarë do të pësonte? Jo, sepse qoftë para luftës, qoftë gjatë luftës ai nuk ishte “vetëm” por me një parti me vete dhe ai e pranonte edhe PKSH-në si alternativë (kur i jepte të kujtonte që duhej të ishte e majtë nacionaliste dhe jo e shitur tek jugosllavët). Pas 1945, ai ishte jashtë dhe jo brenda Shqipërisë dhe për këtë arsye as aty nuk mund të thuhej se ishte “i prirur për t’u vetëvrarë politikisht dhe shoqërisht”. Në të vërtetë Mithati nuk u vetëvra politikisht e shoqërisht, por e vranë politikisht dhe shoqërisht, dhe ndoshta edhe fizikisht. Duket sikur do të thotë “i binte murit historik me kokë” dhe mur historik mund të kuptohet se çfarë quan.

Citim: “Është pikërisht ai që e cilëson me një anakronizëm profetik, lëvizjen haxhiqamiliste si shfaqjen e parë të lëvizjes bolshevike në Europë”

Termi “anakronik” dhe “profetik” bien në kundërshtim me njëri-tjetri. Nëse je “profetik” do të thotë je parashikues i mirë. Bolshevizimi si koncept lindi në 1903, pra të quajturit e një ngjarje të mëvonshme (1914) si “bolshevike” nuk ishte një “anakronizëm” (mospërputhje kronologjike e ngjarjeve) sepse bolshevizmi nuk lindi në 1917, por fitoi në 1917, ndaj termi “boshevizëm” në 1914 (koha e lëvizjes së Haxhi Qamilit) nuk është “anakronizëm”. Në një kuptim ai nuk është as “profetik” por thjesht një interpretim me informacion mbi termin. Autori nuk jep citime se nga e ka marrë që “Mithati e cilëson lëvizjen haxhiqamiliste si shfaqjen e parë bolshevike në Europë” që të themi ndonjë gjë më shumë, por shfaqja e parë “e lëvizjes bolshevike” është vetë “bolshevizmi”, që sipas Wikipedia, që citon Leninin thotë “Bolshevizmi ka ekzistuar si një një korrent i mendimit politik dhe një parti politike që në 1903” (Lenin, Sëmundja foshnjore e “majtizmit” në komunizëm) Lenini e quan periudhën 1903-1917 si më të pasurën me lëvizje revolucionare, pra nuk qenka e vërtetë që “haxhiqamilizmi” i vitit 1914 të rezultojë shfaqja e parë e lëvizjes bolshevike në Europë. Duke ia atribuar Mithat Frashërit si më parë se Enverit këtë cilësim, atëherë vjen një argument më shumë për propagandën komuniste të vlerësimit të ngjarjeve me syrin klasor, që synonte të evidentonte me mikroskop çdo gjë që mund të kishte vlerë në zmadhimin e diferencave klasore. Nëse e ka thënë vërtetë Mithati këtë, dhe kjo nuk është e vërtetë, atëherë nuk i bie që të renditet në gjërat që i bëjnë nder dhe të tilla “të pasakta” mund të gjendet në çdo njeri që shkruan shumë. Kjo është e natyrshme. E panatyrshme është që pas 70 vjetësh të vlerësosh një gjë jo për vërtetësinë e saj, por për përputhjen që ajo ka me një analizë komuniste të ngjarjes. Pra është një përpjekje për t’u dukur sikur po bëhet punë e lavdërueshme politike përbashkuese sepse kryeministri i socialistëve po punon me ta, duke u thënë se Mithati ka gjëra që na bashkojnë dhe na bashkon edhe qëndrimi i tij për lëvizjen haxhiqamiliste si shfaqje e parë e lëvizjes bolshevike në Europë. Natyrisht që ai nuk u drejtohet atyre qartësisht, sepse kërkon t’i mbrojë duke i lënë anonim në adresim si grupi që “e ka baltosur për 7 dekada”. Socialistët nuk kanë të njëjtën përgjegjësi me autorët e propagandës së komunizmit. Dikush është më para e dikush më pas.

Citim: ” Tri dekada më vonë është përsëri ai, që pa marrë parasysh drobitjen që i sjell mërgimi, vë kusht – dhe këtë është mirë ta dëgjojnë të gjithë ata, që pasi e kanë baltosur për shtatë dekada, sot mbajnë në injorancë buzët rrudhur, – vë kusht spastrimin e figurave të kompromentuara me pushtuesit nazifashistë nga çdo ndihmë politike dhe aktivitet kundër regjimit komunist të Tiranës.” 

Cila periudhë i përgjigjet, tri dekadave më vonë? Meqë “regjimi i komunist i Tiranës” është viti 1945-1949 (viti kur vdiq), atëherë bëhet fjalë pikërisht për një çast të kësaj periudhe. Me një kriter komunist gjykimi, autori vë si pozitive vetëm atë aspekt që i leverdis propagandës komuniste. Pra, sipas autorit, vlerë është vetëm diçka e thënë brenda grupit “antikomunist”, ku një pjesë i kundërvihet tjetrës, pa përmendur asnjë kontekst, pa vënë asnjë referencë se kur e si është mbajtur qëndrimi që ne të gjykojmë më shumë. Autori kështu nuk merr përsipër të gjykojë komunizmin në qëndrimin ndaj Mithat Frashërit, por synon që të përforcojë pozitat e komunizmit në atë çfarë ndodhi gjatë luftës së dytë botërore. Meqë kriterin e 7 dekadave “baltosje” ose të “injorancës me buzë rrudhur” (ku 4 dekada janë në komunizëm dhe 3 dekada janë në demokraci) e plotësojnë vetëm socialistët ose një pjesë e tyre, atëherë çfarë po u thotë atyre (të vetëve)? U thotë se kam gjetur një frazë ku Mithat Frashëri ka mbajtur një qëndrim që u shkon për shtat komunistëve dhe propagandës së tyre. Ai e ka të qartë se kjo gjë që po thotë është krejt e parëndësishme si për komunistët ashtu edhe për antikomunistët. Komunistët, por edhe antikomunistët, nuk kanë pse kërkojnë të tilla shenja të vogla për dikë që ka bërë forcën kryesore antikomuniste gjatë luftës, për t’i bërë kriter vlerësimi të ri. Ai e di këtë, por kjo i duhet për të thënë që edhe lufta u analizua në këtë fjalë përcjellje dhe gjetëm diçka përbashkuese, pra përbashkimi kalon nga “ti e ke gabim” por ja ku e gjetëm një “mrekullli” për shenjtërimin që po të japim sot.

Citojmë: “Mit’hat Frashëri ishte mishërimi i një shërbestari të mëmëdheut sipas kokës së tij. Sa herë që qarqe të caktuara, brenda apo jashtë vendit, yshtnin këtë apo atë taraf, fetar, social apo politik, në Shqipëri, për të mbjellë përçarjen, ai shfaqej menjëherë si armiku i tyre natyral.”

Kriter të vlerësimit ai bën “kokën e tij”, pra jo ndonjë parim të gjithëpranuar të Rilindjes Kombëtare. Këtë e bën që të thotë “se ai nuk kishte shokë” në atë që bënte, por megjithatë “e bënte mirë” . Cilët duhej të ishin “shokët” që Mithati të meritonte të mos quhej se vepronte “me kokën e tij” por sipas një rryme kombëtare që kishte shumë ndjekës. A ishte “Balli kombëtar” një “taraf politik” apo “qark brenda vendit” që mbillte “përçarje”, sipas propagandës komuniste? Po, sipas komunistëve. Nuk ka tezë më të përhapur sesa teza komuniste që “balli kombëtar u lind për përçarje”.  A synon Edi Rama që ta zhbëjë këtë tezë të propagandës komuniste? Duket sikur është po, por thjesht e lë të patrajtuar, duke bërë një “elozh” në përgjithësi.

Citim “Shumë prekës – këtë përsëri duhet ta dëgjojnë, të gjithë ata të të cilëve sytë, hundët, goja, veshët u janë taposur me baltë nga 70 vjet propagandë karikaturizuese për Mit’hat Frashërin, – është homazhi i tij ndaj rinisë shqiptare dhe luftës së saj kundër armikut dhe po ashtu nderimi që ai i bën, fjalët e tij, 30 mijë dëshmorëve të atdheut, ndonëse sipas tij, liria e Shqipërisë u uzurpua pas kësaj lufte.”

 Dhe ja çfarë thotë në artikullin, “Përpjekja e Shqipërisë”, botuar në gazetën “Flamuri”, pikërisht ai, udhëheqësi i Ballit Kombëtar:  “Në fakt, më shumë se 400 fshatra dhe shumë lagje të qyteteve u shndërruan në gërmadha. Mijëra e mijëra banorë mbetën pa strehë, pa të ardhme. Ende sot, shihen rrënimet e këtyre shkatërrimeve dhe varret e të rënëve, nga Peja, në Gjakove, deri në Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe në gjithë jugun e vendit, rreth 30 mijë luftëtarë e viktima të rënë, nuk do t’i shohin më familjet e tyre, as atdheun e tyre. Ata u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë!”.” 

Edi Rama thotë “sipas tij”, pra Mithat Frashërit, “liria e Shqipërisë u uzurpua pas kësaj lufte”. Pra nuk ka siguri as këtu dhe duhet të vendosë “sipas tij“.

Edi Rama nxjerr në pah, vë në fokus, shifrën 30 000 dëshmorë të atdheut, (2000  më shumë se 28 000 që thoshte komunizmi). Shifrën 30 000 dëshmorë e citon si të thënë (fjalët e tij) nga Mithat Frashëri. Në fakt, vetë duket që bën një zëvendësim të fjalëve. Mithati thotë 30 000 “luftëtarë e viktime të rënë” dhe jo “dëshmorë”. Nëse “luftëtari i rënë” mund të quhet dëshmor dhe “viktima” thjesht “viktimë”, atëherë nuk e dimë sesa “dëshmorë” janë nga 30 000, por Edi Rama i bën dëshmorë të gjithë dhe këtë ia atribuon Mithat Frashërit, kur ky vetë (i cituar) nuk e thotë.

Duket e vërtetuar që shifra 28 000 dëshmorë, pra edhe 30 000 dëshmorë është tepër e fryrë, disa herë më e madhe se e vërteta. Nëse këtë e ka thënë Mithat Frashëri (që në fakt thotë “luftëtarë dhe viktima të rënë” dhe jo “dëshmorë”) kjo nuk e bën të saktë shifrën, dhe as e nderon autorin e fjalimit në varrim që ta citojë kur qartësisht nuk e ka të saktë. Pra “kemi gënjyer të gjithë nga pak” (edhe ne si komunistë edhe ata si antikomunistë). Në varrim thuhen vlerat e vërteta dhe jo të rreme.

Pra edhe këtë citim autori Edi Rama e shfrytëzon për të përforcuar pozitat kyçe të propagandës së komunizmit se në Shqipëri ka patur 28 000 dëshmorë dhe jo disa herë më pak siç duhet të ketë qenë e natyrshme, qoftë edhe me një logjikë të thjeshtë. Numrat më të vegjël janë nderim më i madh për ata që vërtetë kanë rënë në luftë me pushtuesin dhe zmadhimi pa kriter është anullim i sakrificës së tyre në emër të një “sakrifice kolektive” që nuk ka qenë e vërtetë. Kjo bëhej pikërisht për të minimizuar të drejtat e atyre që do të thonin “tjetër është gjaku i dhënë” e tjetër janë “fjalët” (kanë kuptim të plotë fjalët e një partizani që thoshte “Trima ishim të tërë, por më trima ishin ata që u vranë”). Për t’ua qepur gojën familjeve partizane që patën të rënë, u thoshin ju jeni një nga 28 000 dhe jo një nga 1000 ose 2000. Aq herë më i vogël sa ka qenë numri i vërtetë i dëshmorëve aq herë më i madh do të ishte nderimi për ta. Populizmi këtë teknikë mosmirënjohëse ka “ti je një nga shumë” (kur në të vërtetë është një nga pak). E kanë provuar shumë aktivistë politikë këtë shije mosmirënjohje kur pasi kanë dorëzuar punën u është thënë “se mos ishe vetëm ti”.

Edi Rama e shfrytëzon fjalimin pikërisht për të përforcuar propagandën e komunizmit në këtë çështje dhe nuk ndryshon gjë në këtë analizë  fakti që ai e lë pa autor, por thjesht në mënyrë anonime grupin e atyre “të cilëve sytë, hundët, goja, veshët u janë taposur me baltë nga 70 vjet propagandë”. Duke e bërë propagandën “nga 45 vjeçare” në “70 vjeçare” ai heq adresimin ndaj “propagandës së vërtetë” që ishte thjesht 45 vjeçare dhe jo 70 vjeçare. Nëse ne themi sot “propagandë komuniste” i adresohemi mbartjes së propagandës së 45 vjetëve në 30 vjetët që vijnë më vonë, por thelbi qëndron para vitit 1990 dhe kjo nuk mundet të ndryshojë.

Citojmë “Sikur të mos ishte për asgjë tjetër, Mit’hat Frashëri meriton mirënjohjen tonë në shprehinë e saj më gjenuine, sepse është bartës i ndershmërisë intelektuale në pohimin e të vërtetave të veta, pavarësisht çmimit që ato kanë.”

Duke e lidhur këtë vlerësim me ato të vërteta që ka cituar Edi Rama (30 000 dëshmorë,  dhe “kushtin e spastrimin e figurave të kompromentuara me pushtuesit nazifashistë nga çdo ndihmë politike dhe aktivitet kundër regjimit komunist të Tiranës”) mund të kuptohet se ai e redukton të vërtetën vetëm në atë pjesë që i intereson.

Edhe kur duket se bën elozh, ai përsëri e fut një spicë. Ai nuk thotë thjesht “mbartës i ndershmërisë intelektuale në pohimin e të vërtetës” por shton “E vërteta e vet”. Në fakt, “ndershmëria” gjykohet kur “e vërteta nuk është jotja” por është “e huaj”. Nuk do ndonjë integritet e ndershmëri afirmimi i të “vërtetës tënde”, por do shumë ndershmëri “E vërteta që bie ndesh” me çfarë ke menduar më parë. Meqë fjala “e veta” është më e shkurtër se “e vërteta”, dhe fillon po me shkronjën “v” dhe ka një nënbashkësi shkronjash që i ka “e vërteta” (e, v, e, t, a), autori punon në çdo mënyrë, qoftë metodike për të futur sa më shumë fjalë që anullojnë çfarë ka thënë, por që nuk bien në sy. Në togfjalëshin “të vërtetave të veta” do të mbahet mend “e vërteta” dhe do të harrohet “e veta”. Mendja e dëgjuesit, dhe shpesh edhe e lexuesit nuk punon aq shpejt, sa për të mbajtur mend gjithçka thuhet. Edhe mua më shpëtoi me leximin e parë dhe thashë “paska bërë një elozh të vërtetë më në fund”. Kur iu ktheva pashë “stërkëmbëshin” që i kish vendosur vetë elozhit, vlerësimit. Dhe kjo është oratori.

Është e qartë se socialistët nuk do ta pranojnë këtë elozh e të lexojnë Mithatin si një shprehës së të vërtetave, si “bartës i ndershmërisë intelektuale në pohimin e të vërtetave”, por Edi Rama do t’u thotë se kjo që ka thënë nuk lidhet me të “vërtetën absolute”, por me “të vërtetën e tij” (sipas tij, pra sipas Mithatit, pra relative, jo absolute), pra është një vlerësim “psikologjik” për “personalitetin e tij” dhe jo një vlerësim “politik” dhe “historik”. Ai flet për “të vërtetat e tij” (subjektive, relative) dhe jo për “të vërtetën” (absolute ose objektive).

Citim i gjatë:

“Kthimi i këtyre eshtrave, në fakt është një borxh ndaj dikujt që një fjalë më detyron tua them me këtë rast atyre që ndihen të sëkëlldisur nga ky rikthim.

Mit’hat Frashëri, i dha Shqipërisë gjithçka kishte dhe gjithçka mundi.

Ëndërroi dhe punoi pa u lodhur për këtë vend. Gaboi, patjetër që edhe gaboi, por ndër tërë sa bëri edhe në gabim, as nuk bëri vetë dhe as nuk nxiti kurrë me gojën apo me penën e tij një krim.

Kështu që kush e sheh arkmortin e tij sot këtu, si një provokim ndaj një historie që e shkruajtën fitimtarët, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se sa krime, ndryshe nga Mit’hat Frashëri bën ata që e shkruan dhe na e mësuan ne me pahirin e gjysmë të vërtetës, historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos.

Ashtu sikundër, nga ana tjetër, kush gabimisht e sheh këtë arkmort dhe praninë time këtu si kryeministër në dritë, jo në hije, siç ishte zoti Mit’hat, si revansh simbolik ndaj fitimtarëve, ndërkohë që përcjellim në banesën e fundit një figurë shumë dimensionale të historisë së Shqipërisë, që ishte po, edhe udhëheqës i Ballit Kombëtar, – bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se çfarë faji të pashlyeshëm ndaj atdheut bën shumë ndjekës të asaj organizate që jo vetëm u rreshtuan në krah të armiqve gjakatarë të popullit, por u rreshtuan edhe kundër vetë Mit’hat Frashërit, i cili komitetit Shqipëria e lirë i shkruante shprehimisht: “Nuk mund të kemi në mesin tonë, njerëz që kanë lyer duart me gjak, duke bashkëpunuar me pushtuesit”.

Koment:

Edi Rama nuk shpjegon se si ka mundësi që gjërat të qëndrojnë të shkëputura. Vepra kryesore e Mithat Frashërit ka qenë Balli Kombëtar, sepse “Balli Kombëtar” ishte zgjidhje politike që do t’ju jepte zgjidhje gjërave të tjera. Me elokuencë ai nuk atakon “Ballin” por thotë “gaboi, patjetër që gaboi” (dhe për historinë komuniste ka vetëm një gabim “krijimi i Ballit Kombëtar” dhe asgjë tjetër). Komunistëve nuk u intereson asnjë gabim tjetër, veç këtij. “Balli Kombëtar” vë në rrezik gjithçka sepse ishte forca kryesore antikomuniste. Edi Rama e shkëput Mithat Frashërin nga “Balli Kombëtar”. Me stil, ai pak a shumë do të thotë “edhe komunistët kanë bërë krime” dhe kaq. Natyrisht që një fjalë në një rivarrim nuk do të ishte ndonjë punim shkencor, por nuk ka atakuar asnjë themel të propagandës komuniste, por thjesht thotë “edhe mund të ketë gjysmë të vërteta”. Në një paragraf kur pritej ndonjë vlerësim për “Ballin Kombëtar” ai e shfrytëzon për të thënë “çfarë faji të pashlyeshëm ndaj atdheut bën shumë ndjekës të asaj organizate që jo vetëm u rreshtuan në krah të armiqve gjakatarë të popullit, por u rreshtuan edhe kundër vetë Mit’hat Frashërit” dhe vë në gojën e Mithat Frashërit identifikimin “njerëz që kanë lyer duart me gjak, duke bashkëpunuar me pushtuesit”. Edhe nëse Mithati e paska thënë për disa nga të vetët (që nuk dihet se nuk citohet si e ku), po PKSH-ja a ka thënë ndonjëherë “njerëz që kanë lyer duart me gjak, duke bashkëpunuar me pushtuesit (ta zemë jugosllavë, ose serbë)”?

Citim: “Kështu që ky akt i kësaj qeverie gabimisht të supozuar nga përçarësit si shprehi e një pale të vjetër kundër një tjetër pale të vjetër, mbase vlen dhe për një reflektim. Mjaft kemi arsyetuar dhe gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të gjykuar e të dënuar në mungesë. Jo nga një gjykatë, por nga gjyqi i pafundëm rraskapitës i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit.” 

Pra ceremonia nuk do të jetë anullim i gjykimit të mëparshëm për Mithatin, por vetëm anullim i gjykimit në mungesë (me eshtrat jashtë). Tani gjykimi do të jetë me prani fizike” (brenda në atdhe). Dhunimi i varrit ishte një “gjykim” i “pranisë fizike në territor” (brenda atdheut).

Duke mos e pastruar plotësisht territorin (opinionin publik), duke mos e marrë popullin me veten në nderim, kjo mund të ndodhte dhe ndodhi.

Nuk ekziston në fjalën e tij diçka që të nënkuptojë “këtej e tutje s’ka më kështu”. Për ne që po e marrim seriozisht analizën e fjalës së tij dhe është e vështirë të kuptojmë çfarë po thotë, e jo më për ata që duan vetëm qartësi “shpate” dhe jo qartësi arsyetimesh të ndërlikuara.

Citim:

 “Mjaft kemi trilluar e kemi shpifur pa arsyetuar dhe pa gjykuar në ndershmëri dhe në ndërgjegje. Mjaft me përdorimin dhe shpërdorimin e atyre që nuk janë më, duke u vënë në gojë ç’nuk kurrë nuk kanë thënë dhe madje ç’nuk kurrë as mund të kenë menduar për t’i lëshuar pastaj si flakadanë të përçarjes. Kthimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit nuk i merr askujt pjesën e tij të historisë e aq më pak, secilit prej nesh aftësinë e arsyetimit apo të gjykimit. Një varr nuk e mbulon kurdoherë një njeri të vdekur. Shumë herë jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore fillon kur mbaron fryma. Nuk ka të bëjë zhdukja e turpit nëse ideja rron, kur ajo ide ngjall 1000 shpresa dhe entuziazëm tek të tjerët dhe bashkë këto janë jetë e vërtetë.” 

Të tilla këshilla nuk vlejnë të thëna në tym. Trillimi dhe shpifja nuk është kolektive. Pranimi mund të jetë kolektiv dhe partiak, por autorisia qëndron gjithmonë në një grup të vogël. Edi Rama u thotë të gjithëve “mjaft”. Është si t’u thuash “mjaft” besimtarëve e jo të mbledhësh klerikët që i drejtojnë e udhëzojnë me fjalimet e tyre. Ata që drejtojnë turmat janë historianët dhe politikanët. Ata janë pak dhe jo shumë. Ka më shumë mundësi që ata t’i thonë Edi Ramës “mjaft” sesa ky t’u thotë atyre “mjaft”. Autori nuk na thotë konkretisht se çfarë ka dalë ndryshe (para rivarrimit) nga “gjykimi me ndershmëri e ndërgjegje” që të merret si shembull. A  ka ndonjë gjë nga e cila të jenë tërhequr autorët e “propagandës komuniste”?

Edi Rama qartësisht thotë se kthimi nuk është “interpretim i ri i historisë”. Në vend të thotë “interpretim i ri” ai thotë “nuk i merr askujt pjesën e tij të historisë”. Historia është pasqyrim i realitetit dhe kriteri i gjykimit është “e vërteta” dhe “historia e vet” në fakt përkthehet në “e vërteta e vet”. Thjesh po pranon që do të jetojmë edhe këtej e tutje secili me të vërtetën e vet, dhe ardhja e Mithatit nuk e ndryshon këtë.

Citim:

“U prehtë në paqe, në nëndheun e Shqipërisë Mit’hat Beu e koha pastroftë më tutje baltën që më së pari, i nderuari shqiptar buzëhollë Aurel Plasari dhe unë mesa munda, filluam t’ia pastrojmë sot.” 

Pasi ka thënë 70 vjet baltë, tani ia lë vetes dhe Aurel Plasarit meritën e fillimit të heqjes së baltës. Nuk thotë “iu bashkuam atyre që janë përpjekur për heqjen e baltës”.

Përfundim

Varri u çvirgjërua, iu hoq shentërimi që dukej se do të prodhonte ceremonia e “elitës që nuk e mori popullin me vete”.

Dhe nuk duhej të ndodhte siç nuk ka ndodhur me varrin e Naim Frashërit apo të Abdyl Frashërit. Varrin e Naimit nuk e mbron asgjë tjetër veç dakortësia popullore për figurën e tij.

Pse ndodhi me varrin e Mithatit? Sepse qëllimisht e morën varrin dhe e mbajtën për vete pa e ndarë me popullin.

Kjo ishte përgjegjësi e dyanshme e majtë dhe e djathtë.

E majta ofroi qeverinë të paktën dhe e bënë ceremoninë. Mund ta merrnin popullin e vet socialist e ta bënin edhe më të madh ndikimin e tyre, por vendosën e nuk e morën. Ndërkohë që vendimin e kanë marrrë më parë se të bëhej ceremonia, do të donin garanci që nuk do të ishte opozita që do të sillte njerëzit e saj në ceremoni. Po elita e djathtë ç’pati që nuk e bëri popullore ceremoninë, nuk e mbushi me popull, por iu bashkua të majtës që e donte vetëm një ngjarje “elitare”. A i ka dhënë opozita garanci qeverisë që ajo nuk do të çonte njerëzit e saj në ceremoni? Me siguri po, ndryshe kjo ngjarje do të bëhej autogol për qeverinë, sepse njerëzit e saj nuk do të donin të ishin në ceremoni, ndërsa njerëzit e opozitës do të donin të ishin. Në emër të kujt, opozita organizoi “mosardhjen e popullit” (të saj) në ceremoni duke e lënë varrin pa “shentërinë e popullit” që do të ishte mbrojtja më e fuqishme?! Kështu qeveria në bashkëpunim me opozitën nxori jashtë loje faktorin popull me ndjesi kombëtare.

Pas dhunimit të varrit, Uran Butka, që është autori kryesor i pasqyrimit të veprës së Mithat Frashërit në një intervistë për News 24 thotë “Unë mendoj se nuk duhet ta politizojë askush?” Duke qenë inisiator i ceremonisë (meqë Edi Rama thotë se Uran Butka më kërkoi të sillnim eshtrat) dhe duke qenë se me siguri duhej të jepte edhe garanci që kjo nuk do të shfrytëzohej “politikisht” (kuptohet nga e djathta), Urani mundet të ketë qenë i bindur se organizimi “elitar” pa popull, por me “figura” do të ishte një organizim “dinjitoz”. Në fakt “dhunimi i varrit” tregon se e ka patur krejt gabim. I ka bërë hesapet pa “hanxhinë”, pra pa popullin e djathtë e pa popullin e majtë. Sikur një nga “popujt” të kishte me vete, nuk do të kishte ndodhur, por nuk pati as të djathtë as të majtë në ceremoni dhe tani nuk mundet ta thërrasë më popullin, sepse iku shansi dhe reagimet janë kretj “meite”, “të varfëra” dhe askush nuk mund të bëjë gjë tani. Gjëja duhej bërë në 14 nëntor 2018. Ne vetë e bëmë. Ishim atje, bashkë me nxënës, mësues dhe drejtues. Kaq popull kishim, kaq e morëm. Ftuam edhe të tjerë, nuk deshënm.

Fati i varrit,  heqja e shentërisë së tij, u vendos nga “elita pa popull”.

Ky është një dëm afatgjatë i jashtëzakonshëm.

Read Previous

Shënim për gjashtëvjetorin e furrikut milanez

Read Next

Klodian Zoto vazhdon të paguhet 29 mijë euro në ditë