Shënim për gjashtëvjetorin e furrikut milanez

Nga Astrit Cani

Sot bahen 6 vjet prej kur çova tarabën e furrikut milanez ktu në kërthizë të lagjes kineze. Megjithse e konsideroj si strehë nuk e kam kthye kurr në strofull, ngase megjithëse ngjaj përditë e ma shum me ariun, nuk e njof letargjinë, madje ndër ata që njof jam prej atyne që flej ma pak, por idealja nuk asht kjo, dhe ideali nuk asht ky.

Duhet pasë gjithmonë nji librari diku, që të jetë nji arkë Noeje e kulturës por njiherit e pajisun me tapetin fluturues të imagjinatës që s’duhet lanë kurr me xanë pluhun.
Lexuesit e mi janë plakë. Ata që ishin në fillim tetëdhetat kur e hapa tash janë pranë të nandëdhetave. Dhe dashninë që kemi ne shqiptarët për librin e kanë vetëm ata t’atij brezi, çka e ban furrikun nji vend anakronik, të paktën në lidhje me aktualitetin e sotëm antikulturor. Anakronik por me shum jetë.
Grimca ka pasë pa fund, dhe ka me pasë gjithmonë.
Nji ditë erdhi nji ruse që la shprehjen kavollo si shprehje habitore që e përdorim ende sot.
Mandej erdhi nji korrier i Mondadorit me më pru punën me papaq, dhe un e prita me llokume, ku më rrëfeu se ishte shkodran.
Nji herë tjetër erdhi nji monopolist i librit të përdorun që po më bante si perandor dhe sa hyni tha due e ble si aktivitet ktë librari. Mirëpo kjo nuk asht librari, ia prita. Çka asht? ma ktheu. Asht shpi. Më kujtohet kur sulltani i pat ble shpatën Skenderbeut. E përdori sa e përdori, mandej i shkroi kryetrimit tonë: more, a thue më ke dhanë ndoj hekër çkado. Jo, ia pat kthye kampioni jonë, thjesht harrova me të thanë se për me e vringëllue si duhet lypet edhe krahu jem e ate s’kam si me ta nisë.

30 metra ma andej te kryqëzimi me betonalen, nji mjeshtër i tastierës lot me ritëm perfekt pjesët ma të bukura të muzikës klasike. Për vedi, por edhe për këdo që don me i ndie. Ai nuk i thotë kujt mos u merrni me muzikë klasike se nuk e kuptoni. Kshtu edhe un nuk i thom kujt mos e merr ktë libër me e lexue se nuk e kupton.
Profesorat e vjetër kanë qejf kur i këshilloj ose i përkthej un.
Mysafirët ma të dashtun dhe ma dashamirë kanë qenë ktu gjermanikët Lernett-Holenia, Schreber, Kafka, Werfel, Junger, Spengler, Freud, Jung, Durrenmatt, Walser, Rilke, Zweig, Mann Thomas, Mann Klaus, Mann Heinrich, Benjamin, Doblin, Von Doderer, Perutz e me radhw, e mandej francezwt e anglosaksonwt Huysmans, Baudelaire, Balzac, Flaubert, Radiguet, Genet, Cioran, Rimbaud, Mallarmé, Borel, Villiers de l’Isle-Adam, Alfred Jarry, Hugo, Maupassant, Sand, Shakespeare, Quincey, Carlyle, Coleridge, Wells, Woolf, Eliot, Plath, Ballard, Poe, M. R. James, Cormac McCarthy, Henry James, Updike, Foster Wallace, … rusët që s’kanë nevojë me ua përmendë emrin, ndonji spanjoll si Cervantes, ndonji italian si Dante, ndonji universal si Li Bai, si Xhelaludin Rumi, si Nastradini, si epet e vjetra indoevropiani. Ndonji gjuhëtar si Pokorny.
Ndonji shqiptar si Frederik Rreshpja, si Petro Zheji, si Migjeni si Trebeshina.
Por edhe muzikantët, kineastët, fizikanët dhe astrofizikanët.
Muzika, studimi dhe gastronomia nuk munguen kurr mes ktyne mureve, që asht nji hapsinë e vogël por me liri autentike.
Me Annie Ernaux na ndodhi që para se të merrte Nobelin e mbanim në banjo, mandej e vumë në vetrinë. Dhe asht kshtu, me kalue prej banjos së Furrës deri te vetrina, pra me përshkue njato 12 metra, don me thanë në fakt me ba xhiron e botës.
À propos: a e keni lexue librin e Xavierit De Maistre: Udhëtim rreth dhomës sime… ky shënim mund t’ishte fare mirë nji nisje për udhëtimin rreth furrës sime.
Kjo asht nji copë Europe, si duhet me kenë.
Lumtunia asht gjaja e fundit që duhet me prodhue Europa, para se të dalin prej skene. I mbrami projekt i saj jetësor.
Gëzuar!!

Marrë nga Facebook-u autorit

Read Previous

Kiko befason prokurorët, u del për zot 420 mijë eurove

Read Next

MITHAT FRASHËRI – PËRBALLË ELITËS PA POPULL DHE POPULLIT PA ELITË