Kiko bëhet avokat i McGonigal

Nga Lutfi Dervishi

I tronditur nga zhurma e madhe në SHBA dhe ahengu i papritur në Shqipëri, Kiko vendosi të dalë vullnetarisht avokat publik i z. McGonigal. Jo në sallën e gjyqit, kuptohet, por aty ku bëhet gjyqi i vërtetë, aty ku akuzat flutorojnë si katjusha ruse dhe mbrotja aktivizohet automatikisht si sistemi “patriot” amerikan, aty ku edhe erës më të rëndë i thonë parfum dhe idealisti i thonë llum, aty ku mushka mbetet me barrë dhe logjika merr leje të gjatë krijuese …. mu bash në ekranin e Televizionit.

Kiko vendosi njërin gisht të putrës së djathtë, aty ku njerëzit thonë se kanë mendtë, dhe nisi ligjëratën pa ja dhënë fjalën moderatorja.
“Fati zonja dhe zotërinj, ndihmonë të fuqishmin. Kjo maksimë anglo-saksone nuk diskutohet. Kush e ka në gen këtë e ka. Të tjerët ta mësojnë. Këtu biem dakord, besoj ,se zotëria ka qenë i fuqishëm. Shumë i fuqishëm.

Çfarë janë këto akuza qesharake? 225 mijë dollarë. Mblidhni more ment e kokës. Po flasim për shefin e kundërzbulimit të FBI-t në Nju Jork zotëri? Aty ku kanë selinë 193 vende. Kupton t’i apo jo? Çfarë e dini FBI-n ju, prokurorinë e Kavajës?!

Akuza, në fakt nuk ka akuzë, ka vetëm një statement. D.m.th një deklaratë ku flitet për ca dollarë. Por…

Nuk kriminalizohet dollari zotëri?! Dollari është i pafajshëm! Ja ta zemë se ti e nderuar zonjë- më shiko në sy të lutem, gjen në rrugë një tufë më dollar. Çfarë do të bësh?! Nëse ke dy mend në kokë.. Jo po më thuaj? Se po më the do t’i dorëzoj në polici- atëherë unë them se këtu kemi të bëjmë me mendësi fshatari! Fshatari ka mbetur akoma te këmbimi mall- me mall, të jap vaj ulliri më jep një kollare. Kupton ti logjikën e fshtarit? Shkon dorëzon dollarë që të marrë fletë nderi?! Pa pikë respekti për institucionin që mban në këmbë globalizmin! Ju lutem se këtu nuk toleroj dot. Respekt për dollarin!

Dhe, mos u bëni qesharakë. Nuk i kuptoni gjërat? Dakord. E pranoj këtë. Kjo është një lojë e madhe. E kuptoni që ka akuzë, pra statement, por ka edhe Grand Jury. Nuk keni sesi ta kuptoni këtë zonëj se jeni mësuar me drejtësinë sovjetike. Këtu bëhet fjalë për sistemin anglo-sakson zonjë! Nuk ka tërci e vërci me anglo-saksonët. Pra shihen provat, kopsiten dhe vendosin amerikanët atje, pra – grand jury. Ata thonë i fajshëm apo i pafajshëm. Jo ne këtu. Se bëjmë gabim të madh.

Drejtësia anglo-saksone zonjë nuk është neni 148, i kodit penal shqiptar që flet për shpërdorim detyre.

Eshtë nen sovjetik po nuk e keni kuptuar akoma. Anglo-saksonët kanë të shenjtë precedentin zonjë. I dini precedentët që kemi krijuar këtu ne. Po t’i referohemi precedentit pastruese që ju gjetën 420 mijë euro në Tiranë e kuptoni sa poshtë ka rënë akuza në Uashington?!! Se këtu e nderuar zonjë po i bëjmë gjyq z. McGonigal me nenin 148 të shpërdorimit të detyrës. Ky nen është thes llastiku ku mund të futësh gjithë shtetin brenda. Nuk duhet të kalojë në histeri dhe të bëjmë gafa historike. Ajo që mund të bëjmë ne është tjetër gjë.
Ne këto do të presim dhe do të studiojmë lëvizjet. Lëvizjet janë gjithçka. Fakte nuk ka! është lojë e madhe shumë kjo. Përplasen interesat amerikane me ato ruse. Kush e kupton e kupton. Kupton ti? Pra për të kuptuar çfarë po bëjën amerikanët duhen parë lëvizjet.

Kë takoi zotëria në Shqipëri? Kryeministrin? Doemos kë të takonte? Rojen e parkingut? Aa paska takuar edhe ngrënë drekë me kryebashkiakun e Kukësit.. Ore vendosni pak trurin në punë. Eshtë kryebashkiak anglo-saksonësh zotëria atje. 85% të votuesve i ka në Angli! Kuptoni apo jo? He, he, he. Se thoni kryebashkiak i Kuksit me një farë përçmimi. Thellohuni zonjë, më fal zonjushe. Vetëm ai zotëri dhe Charlsi I III menaxhojnë njerëz përtej detit. Po ku marrin vesh bijtë e mitrës orientale të Enver Hoxhës…

Ai zotëria për mua ka bërë vetëm një gabim- dhe gabim të rëndë.
Ai ka gënjyer dhe mashtruar një zonjë atje. I ka thënë se do të ndahem, e më the të thashë.

Një xhentëlmen nuk gënjen një zonjë.?”
Kjo nuk i falet aq më tepër ajo zonja kishte mbiemrin Guerriero, pra luftëtare, luftarake. Kjo është e rëndë, por nuk është fakt penal!

Read Previous

Unaza e Elbasanit burim aksidentesh/ Banorët në protestë pas vdekjes së 20-vjeçarit

Read Next

Nga Hysni Gurra: Ky është i pari kryeministër etatist i Shqipërisë në 32 vjet demokraci.