“Harry dhe Meghan i Japonisë” martohen më 26 Tetor

Mbesa e Perandorit Naruhito, Princesha Mako, më në fund pas shumë vitesh do të martohet me të dashurin e saj, ish-shokun e saj të klasës, njërin “nga populli”, duke u përgatitur të heqë dorë nga të gjithë titujt perandorakë.

Zëdhënësi i Familjes Perandorake njoftoi se Princesha Mako dhe i dashuri i saj, Kei Komuro, do të martohen më 26 tetor.

Princesha Mako, vajza e Princit të Kurorës Fumihito, vëllait të Perandorit Naruhito,  u njoftua të martohej me të dashurin e saj në 2018, por dasma u shty. Gazetat shkruanin se shkak i kësaj shtyerje të dasmës kishte të bënte me disa vështirësi financiare të familjes së dhëndrit

Pritet që pas martesës çifti ta ndërtojnë jetën e tyre në Shtetet e Bashkuara, ku dhëndri Komuro punon si avokat.

Historia e lidhjes së tyre prej vitesh ka pushtuar mediat japoneze.

Deklarata e zëdhënësit të Familjes Perandorake vuri në dukje se vëmendja ekstreme e mediave ndaj familjes së Princeshës dhe të dashurit të saj Kei Komuro për vite me radhë shkaktoi te Princesha Mako Çrregullime të Stres Posttraumatik (PSTD).

Edhe gruaja e perandorit Naruhito, Perandoresha Masako, gjithashtu për vite me radhë vuajti nga çrregullime psikologjike  për shkak të presionit të tepruar nga opinioni publik që ajo të lindte një mashkull si trashëgimtar të fronit. Në Japoni, në përgjithësi mbizotëron një qasje negative ndaj sëmundjeve mendore.

Dashuria në shkollë dhe pengesat

Princesha dhe i dashuri i saj u takuan në vitin 2012 ndërsa ishin studentë në Universitetin Ndërkombëtar të Krishterë në Tokio.

Ata u fejuan në vitin 2017 dhe kishin planifikuar të martoheshin vitin tjetër. Por ndërkohë, në media filluan të qarkullonin disa thashetheme për disa probleme financiare të nënës së Komuros. Sipas mediave, ajo kishte marrë një hua nga ish i fejuari i saj dhe nuk e kishte shlyer atë.

Edhe pse pallati perandorak i mohoi akuzat se martesa e çiftit u shty për këtë arsye, Princi i Kurorës Fumihito shprehej se është e rëndësishme që problemet financiare duhet të zgjidhen para dasmës.

Gjithashtu qarkullojnë fjalë se Princesha Mako nuk do ta marrë menjëherë shumën prej 150 milion Jen (1.3 milion dollarë), një pagesë e menjëhershme që u bëhet anëtarëve të familjes që largohen nga pallati.

Pritet gjithashtu që Princesha të mos pranojë ceremonitë e kryera në dasmat e familjes mbretërore.

Princesha Mako e Japonise në Pallatin Perandorak, 22 Tetor 2019 /REUTERS/Kim Hong-ji/

Nëse këto pritshmëri realizohen, Princesha Mako do të jetë anëtarja e parë femër perandorake që do të largohet nga pallati në këtë mënyrë.

Sipas ligjit japonez, anëtarët femra të familjes perandorake duhej të hiqnin dorë nga statusi i tyre kur martoheshin “me një të zakonshëm”. Sidoqoftë, për anëtarët meshkuj të familjes, nuk ka një kërkesë të tillë.

“Harry dhe Meghan i Japonisë”

Kei Komuro për vite me radhë ka qenë në qendër të vëmendjes dhe polemikave, por në fillim të kësaj jave, ai i ndezi polemikat edhe më shumë kur zbarkoi në Tokio para shpalljes së martesës së tij, këtë herë me flokët e tij në formën e një bishti kali.

Kei Komuro (C), i dashuri dhe i fejuari i Princeshë Mako mbërrin në aeroportin Narita, Prefektura Chiba nga SHBA, në 22 Shtator 2021. (Foto nga Kazuhiro NOGI/AFP)

Në një vend ku pamja luan një rol të rëndësishëm në gjykimet për njerëzit, për disa kjo prerje flokësh ishte dëshmi edhe më e fortë se martesa e Komuro me Princeshën Mako ishte e papërshtatshme. Kjo në fakt tregon edhe sesi çifti ka qenë nën presionin e madh të publikut që nga viti 2017, kur ata shpallën fejesën.

Nga problemet financiare të nënës së Komuros deri tek fakti se ai ishte në gjendje të hynte në shkollën juridike falë marrëdhënieve të tij me familjen mbretërore, janë disa nga akuzat që kanë zënë titujt e mediave japoneze prej vitesh.

Por ka edhe një përkrahës të çiftit, të cilët mendojnë se i kanë rezistuar mirë vëmendjes obsesive të mediave që i ka rrethuar ndër vite. E gjithë kjo e kombinuar me lajmin se ai do të transferohej në Amerikë pas dasmës, dyshja u bë e njohur si “Harry dhe Meghan i Japonisë”.

Read Previous

Rruga më e lehtë është të shash tjetrin për fatkeqësinë tënde

Read Next

Nga e hëna shkollat e gjithë vendit i rikthehen normalitetit