Rruga më e lehtë është të shash tjetrin për fatkeqësinë tënde

Nga Kumtari

1 tetor 1991, pas një vizite dhe pritje madhështore që shqiptarët i kishin rezervuar Sekretari të Shtetit James Baker në mars 1991, rihapet ambasada amerikane në kryeqytetin shqiptar.

Shqiptarët kishin hedhur pas krahëve një histori 45-vjeçare me fuqitë e lindjes, BRSS dhe Kinën, kishin një “uri” të jashtëzakonshme për perëndimin dhe vlerat perëndimore.

Vlera, të cilat nuk i njihnin, por i përqafuan me po të njëjtin zell që kishin përqafuar vite të shkuara vlerat e Bllokut Komunist.

Hapja e ambasadës së SHBA ishte një pikë kthese, me plot shpresa dhe ëndrra për një popull që vuajti një nga regjimet më të egra në botë.

Por a ia vlejti, a u përmbushën ëndrrat dhe pritshmëritë e popullit shqiptar këto 30 vite?

Përgjigja e kësaj pyetje është tepër e vështirë për t’u dhënë me një “PO” apo “JO” të prerë.

Në 30 vite, në planin e përgjithshëm, Shqipëria ka bërë hapa të dukshëm përpara, por në raport me mundësitë që kishte, këto 3 dekada kanë qenë edhe një dështim me përmasa të mëdha.

Shteti i së drejtës nuk ka funksionuar asnjë ditë.

E drejta e pronës nuk shkoi në vend kurrë.

Zhvillimi i qëndrueshëm nuk duket gjëkundi.

Gati gjysëm milioni shqiptarë kanë ikur  përfundimisht, kanë braktisur vendin.

Rendi, siguria dhe drejtësia nuk kanë qenë kurrë më parametra të një vendi demokratik.

E shkuara komuniste nuk u dënua kurrë.

Proceset integruese i nisëm të parët dhe jemi të fundit. Duket se integrimi në Evropë do të mbetet thjesht një ëndërr e largët.

Investimet e vendeve të fuqishme perëndimore si SHBA, Gjermani, Francë etj, janë minimale ose hiç.

Pra, investimet e këtyre vendeve të fuqishme kapitaliste nuk i përgjigjen retorikës së tyre “Shqipëria aleati ynë i fuqishëm, strategjik etj”.

Çfarë është Shqipëria sot pas 30 vitesh?

Një vend ku e drejta për të thënë fjalën e lirë nuk ka asnjë kufizim, madje deri edhe mund të shpifësh pa asnjë shqetësim.

Por, një vend ku e drejta kushton shumë, meritokracia nuk gjen vend kërkundi, ligji nuk është i barabartë për të gjithë.

Një vend ku më të diturit i vështirësohet jeta dhe servilit e të paaftit i hapen rrugët e karrierës.

Një vend kur aleatët tanë, për çështje stabiliteti kanë përkrahur ose nuk kanë treguar vigjilencën e duhur përballë korrupsionit, vrasjes dhe vjedhjes së votës nga pushtetarët vendas.

James Baker nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se ky vend, ndër më pro amerikanët në glob, të ishte sot pas 30 vjetësh në këtë gjendje.

Ndoshta nuk do ta kishte menduar as qasjen e qeverisë së vendit të tij që i ka lejuar të ndodhnin këto paudhësi.

As ata mijëra shqiptarë që dolën e pritën në mënyrë aq madhështore atë 30 vjet më parë në Sheshin Skënderbej nuk kishin këto pritshmëri.

Pse dështoi Shqipëria të bëhej një vend me zhvillim të qëndrueshëm dhe demokratik?

Na e ka fajin Amerika?

Jo!

Ne dështuam si shoqëri pasi nuk ditëm vetë të jemi si japonezët apo gjermanët, popuj të cilët kontribuan për të ngritur vendin e tyre nga hiri dhe nuk e vodhën.

Nuk e konsideruan kurrë shtetin si nocion të huaj, si diçka që duhet përfituar prej tij apo si diçka që duhet ta vjedhësh.

Fakti që shumica e shqiptarëve, si populli i thjeshtë, si shtetarët, e konsiderojnë shtetin si diçka që duhet ta vjedhësh, të përfitosh prej tij, nuk është faj as i Evropës as i Amerikës.

Të parët që do duhet ta donin dhe ta ndërtonin vendin duhet të ishin shqiptarët vetë.

Fatkeqësisht kjo gjë nuk ndodhi.

Dhe rruga më e lehtë është të shash tjetrin për fatkeqësinë tënde.

/kumtari.al/

Read Previous

OSHEE blen energji me çmim rekord, frikë për kthimin e kufizimeve

Read Next

“Harry dhe Meghan i Japonisë” martohen më 26 Tetor