ELENA GJIKA (DORA D’ISTRIA) (22 janar 1828 – 17 nëntor 1888)

Në një ditë si kjo, plot 195 vjet më parë, më 22 janar 1828, lindi në Bukuresht të Rumanisë Elena Gjika, shkrimtarja romantike rumune me prejardhje shqiptare, më së shumti e shquar për stilin e veçantë në qasjen e saj letrare dhe në emblematizimin e çështjes kombëtare shqiptare të shekullit të 19-të. Edhe pse lindi e jetoi larg Shqipërisë, Elena mbarti frymën e rrënjëve të saj dhe e përçoi atë frymë edhe në aktivitetin e saj letrar dhe patriotik.

Elena ishte e bija e Katarina Gjikës dhe Mihail Gjikës (Ghica) dhe mbesa e princit mbretëror të Vllahisë Grigore Gjika (Ghica) IV. Rrethanat e familjes arsimdashëse ndihmuan në arsimimin dhe në formimin e Elenës. Ajo studioi fillimisht letërsi në Drezden, Gjermani, pastaj në Vjenë, Austri dhe më vonë në Berlin, Gjermani, ku u diplomua në fushën e letërsisë së vjetër greke.

Elena u kthye në vendlindje, Rumani, në 1849 dhe u martua me dukën rus Aleksandër Koltsov-Massalski dhe kështu ajo u bë dukesha Helena Koltsova-Massalskaya. Çifti jetoi për disa vite në Rusi, kryesisht në Shën Petersburg, por nuk i priu shëndeti në klimën ruse dhe udhëtoi për në Evropën Qendrore, duke vizituar disa shtete, por pastaj vendosi të jetojë në Firence, Itali, ndërsa herë pas here udhëtonte drejt Francës, Irlandës dhe Shteteve të Bashkuara.

Elena bëri emër për herë të parë si shkrimtare aty nga viti 1855, ndërsa shkruante kryesisht në frëngjisht me emrin Dora d’Istria. Ajo botoi një sërë veprash që treguan jo vetëm aftësitë e saj në rumanisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, latinisht, greqishten e vjetër dhe moderne dhe rusisht, por edhe njohuritë e saj për temat shkencore, pikëpamjet e saj liberale mbi temat fetare dhe politike, si dhe si një talent në parashtrimin e pikëpamjeve të saj.

Vepra e saj e parë ishte “La vie dans l’Eglise monastique Orientale-“Jeta monastike në Kishën Lindore” (Bruksel 1855; Botimi II, Paris 1858), ku ajo bëri thirrje për shfuqizimin e urdhrave të manastirit. Ajo vepër u pasua nga “La Suisse allemande” – “Zvicra gjermane” (Gjenevë 1856, 4 vëllime, gjermanisht; Bot. II, Zyrih 1860, 3 vëllime), një përshkrim i Zvicrës dhe populit te saj, me një pjesë që përshkruan një ngjitje në malin Monk.

Në shkrimin “Les femmes en Orient” – “Gratë në Orient” (Zyrih 1859, 2 vëllime), ajo promovonte emancipimin e grave në Levant (Mesdheu Lindor), në një tjetër, Des femmes, par une femme-“Rreth grave, nga një grua” (Bot. II, Bruksel 1869, 2 vëllime), ajo krahasonte gjendjen e grave në Evropën latine, me ato në Gjermani, dhe kërkonte me fjalë të mprehta trajtimin e barabartë të burrave dhe grave. Përpara kësaj, ajo botoi “Ekskursions en Rouméllile et en Moree – “Ekskursione në Rumeli dhe More” (Zyrih 1863, 2 Vëllime), ku ajo përpiqej të tregonte se Greqia e lashtë kishte të njejtën detyrë Civilizuese si Gjermania e kohës së saj.

Ajo gjithashtu botoi tregimin “Au bord des lacs helvétiques” – “Lundrim në liqenet zvicerane (Gjenevë 1861), romanet “Fylétia e Arbenoré prej Kanekate laoshima” (Livorno 1867), “Gli Albanesi in Rumenia”, një histori e princeve Gjika, nga familja e saj, në shekujt e 17-të deri 19-të (Bot. lIl, Firenze 1873), dhe “La poésie des Ottomans” (Bot II, Paris 1877), si dhe shkrime të shumta mbi historinë e letërsisë, poezisë, çështje politike, shoqërore dhe fetare, historike, arti etj. në revista të mirënjohura franceze (sidomos në Revue des Deux Mondes), belge Libre Recherche, italiane Diritto, Antologia nuova, Rivista europea etj dhe revista zvicerane, greke, rumune dhe amerikane.

Elena Gjika ishte gjithashtu edhe piktore. Ajo ishte anëtare e disa shoqërive të studiuesve, të tilla si Akademia italliane, ajo u vlerësua edhe si qytetare nderi nga parlamenti grek dhe shumë qytete italiane.

Elena mori pjesë intensivisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik monarkist dhe e shtypjes kombëtare që rezultonte. Për meritat e saj, ajo u radhit mes 10 femrave më të ngritura intelektualisht në botën e asaj kohe.

Elena Gjika (Dora d’Istria) e përkrahu fuqishëm Rilindjen Kombëtare Shqiptare dhe mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar te saj, si Jeronim de Rada, Dhimtër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. Ajo trajtoi tema që lidheshin me organizimin e lëvizjes kombëtare sidomos ne vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ndjenja e madhe e revoltës ndaj së keqes dhe nevoja e ndërgjegjësimit kombëtar shfaqen gjithandej në krijimtarinë e saj të moshës së pjekurisë. Në një mori studimesh si “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalité albanaise d’après les chants populaires, 1866), “Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore” (Les ecrivains albanais de I’ltalie Méridionale, 1867), “Shqiptarët në Rumani” (Gli albanesi in Rumenia, 1873), etj.. Elena Gjika i bëri jehonë luftës shumëshekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman.

Përveç titujve të nderit, Elena Gjika është nderuar edhe në mënyra të tjera. Për shembull, në shenjë mirënjohjeje pēr rolin e saj në njohjen e çështjes Shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindas dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan asaj librin me titull : “Dora d’lstrias —Shqiptarët” A Dora D’lstria – Gli Albanesi, 1870), një përmbledhje vjershash patriotike.

Elena Gjika (Dora d’Istria) ndërroi jetë në Firence, në moshën 60 vjeçare, më 17 nëntor 1888. Humbja e saj në moshë relativisht të re pikëlloi qarqet patriotike të kohës, por ata që njohën kontributet e saj ishin të lumtur për trashëgiminë letrare e kulturore që la.

—marrë nga faqja Mit’hat Frashëri

Read Previous

Sekuestrohen gjashtë dokumente të tjera të klasifikuara në shtëpinë e Joe Biden

Read Next

Pique, i penduar për lidhjen me Clara Chia Marti