“Der Spiegel” ngre alarmin: Ballkani në prag të luftës, Vuçiç si Putin, synon të krijojë “Botën Serbe”

Kur flitet për sinjalet më të reja që vijnë nga Evropa Lindore dhe Juglindore, Ministria e Jashtme austriake ka një nuhatje shumë të fortë. Tek e fundit, qyteti i Lvivit, i quajtur dikur Lemberg, u sunduan së bashku me Sarajevën dhe Banja Lukën në Bosnje nga Vjena deri në vitin 1918.

Ndaj diplomatët austriakë po shohin këto ditë me shqetësim jo vetëm situatën në Ukrainë, por edhe zhvillimet në Ballkan.

“Ne e dimë se Moska ka aftësinë të shkaktojë probleme edhe në zona të tjera të botës”- thotë Alexander Schallenberg, shefi i diplomacisë austriake.

Në Ballkan, thotë ai, më e rrezikuar është Bosnja.

Nëse konflikti zgjerohet nga Ukraina në vendet e ish-Jugosllavisë, pasojat në Evropë do të ishin shkatërrimtare, paralajmëron Schallenberg.

“Nëse në Ballkanin Perëndimor do të shpërthente një luftë e re, kjo do të nënkuptonte në thelb një konflikt në oborrin e pasmë të BE-së”- thekson ai.

Prandaj ai këmbëngul se 6 vendet e mbetura jashtë BE-së në Ballkan, duhet të integrohen në bllok sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Kjo është vetëmbrojtje, dhe jo altruizëm”- thotë ai.

Sinjalet që vijnë nga rajonet e populluara nga serbët të afërmit ortodoksë të Rusisë, janë realisht shqetësuese. Përveç Serbisë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Situata është veçanërisht e zymtë në entitetin me shumicë serbe të Bosnje Hercegovinës, Republika Srpska. Me bekimin e Moskës, kryeministri i saj, Milorad Dodik, i ka intensifikuar muajt e fundit përpjekjet e tij për të arritur qëllimin e tij afatgjatë:shkëputjen nga federata.

 

Si anëtar i presidencës trepalëshe, ai është një përfaqësues zyrtar i Bosnjës, por i referohet vendit si një “foshnje e vdekur që në bark”. Në një fjalim të mbajtur në mesin e prillit para mbështetësve të tij në Bijeljina, ai thirri: “Të fala Serbisë!”, duke mos e përmendur as edhe një herë emrin e Bosnje Hercegovinës.

Read Previous

Erdogan dhe Macron diskutuan për Ukrainën në një bisedë telefonike

Read Next

Finalja mes Romës dhe Fejnordit në Tiranë/ Edi Rama zbulon bisedën me një nga të dërguarit e UEFA-s