Nga Sali Berisha.
7 Marsi, dita e mësuesit! Sot është dita të shprehim mirënjohjen tonë më të thellë, falenderimin më të përzemërt ndaj mësueseve dhe mësuesve tanë, këtyre misionarëve që me dritën e dijes, edukatës dhe qytetërimit ndriçojnë mendjen e fëmijve tanë. Le t’ju urojmë atyre mbarësi në familjet e tyre dhe suksese gjithnjë dhe më të mëdha në misionin e tyre të lartë e fisnik, edukimin e fëmijëve tanë.
Sot mësuesit në Shqipëri janë të skajuarit dhe injoruarit e narkoshtetit. Ata zhyten nga viti në vit në varfëri edhe më të madhe dhe marrin sot si rrogë mujore 30% më pak se në 2013. Atyre nuk ju paguhet transporti dhe mësuesit e vërtetë janë zëvendësuar nga militantë të partisë së krimit.
Në sistemin arsimor në degradim të vendit tonë, më dramatike është gjëndja e nxënësve të shkollave tona. Narkoshteti u ofron sot fëmijëve të Shqipërisë si ushqim të premtuar mungesën e ushqimeve, helmet që shkatërrojnë shëndetin dhe jetën e tyre, kokainën, heroinën, kanabisin, përdhunimet dhe prostitucionin e mbuluar, fshehura nga shteti.
Kurse shkollat dhe sistemi arsimor ecin drejt shkatërrimit të vërtetë, buxheti për arsimin në këto vite është përgjysmuar dhe vidhet e shpërdorohet masivisht nga narkozyrtaret . Në vitet e fundit janë mbyllur 760 shkolla fillore dhe 9 vjeçare.
Gjendja e sotme alarmante e arsimit në Shqipëri është një kushtrim thirrje për çdo mësues, nxënës, prind dhe qytetar të këtij vendi për të bërë gjithçka për përmbysjen një ditë e më parë të monizmit të bazuar në vjedhjen krimin, drogën të Edi Ramës në Shqipëri.
Nderim mësueseve dhe mësuesve tanë! Gëzuar festën!