Diktatura e Absurdit

Do ta nis shkrimin tim me një strofë nga teksti i një kënge për fëmijë, me titull “Mbretëria me kokë poshtë” të shkrimtares argjentinase María Elena Walsh.

“Më thanë se në mbretërinë me kokëposhtë
askush me këmbë nuk kërcen atje
se një hajdut është roje dhe gjykatës një tjetër
dhe se dy dhe dy bëjnë tre”

Jetojmë në “Mbretërinë kokëposhtë”, në diktaturën e Like-ve dhe Share-ve, në diktaturën e aplikacionit “Aktiv1st”, ku nga pas kemi një patronazhist, ku hiperoptimizmi që shet qeveria është kthyer në modë, dhe ku për çdo gjë “fajin e ka Saliu”.

Drejtësia e re, ajo e cila siç na u tha u mbështet nga amerikanët, para pak ditësh na tregoi se nuk është as më shumë e as më pak por puzzle i fundit për të plotësuar lojën e diktaturës së absurdit në të cilën kemi hyrë me indiferentizmin tonë.

Opozita, sot është viktimë e represionit brutal që qeveria e Edi Ramës është duke përdorur në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe aspak të kundrejt gjithçkaje që i rrezikon pushtetin. Nuk është e nevojshme që diktatura të ketë armë apo të ketë dënime me vdekje e internime për t’u quajtur e tillë. Çdo qeveri e cili vendos me fuqi kartoni të komanduar, që rrëmben dhe nënshtron të gjitha pushtetet dhe që shkel ligjet dhe Kushtetuën është diktaturë.

Diktatura e absurdit tonë kërkon nënshtrimin e njeriut ndaj dizajnit diktatorial me lajle- lujle, përmes ruajtjes së mjerimit dhe injorancës njerëzore, përmes tregimit të forcës dhe pushtetit madje edhe duke u mbështetur nga korrupsioni që sjell Kimi, Smithi, Soreca apo Vlahutini.

Diktatura e absurdit na kërkon t’i përkasim turmës, të jetojmë në mënyrë të sforcuar, të mos i kërkojmë të drejtat me pretekstin se “ja e hoqëm Ramën, po kush do të vijë”, të bëhemi të nënshtruar se “nuk mund të zgjedhim prapë Saliun”, të gëzojmë kur gjykata merr vendime të komanduara nga pushteti vetëm e vetëm se ai që humbet është Saliu, të zgjedhim të mos shkojmë në votime se Ramën nuk e duam po ama nuk mund të votojmë Saliun, të pranojmë Alibeajn qesharakun anormal, vetëm që të mos pranojmë Saliun.

Njësoj na ndodhi edhe kur për pesëdhjetë vjetë jetuam në diktaturë, njësoj erdhi edhe ajo, duke na ushqyer me propagandën kundër kulakëve, të cilët u bënë obsesion për turmën njëjtë si sot po bëjnë Saliun.

Pas vendimit të gjykatës, unë shkrova: “Demokracia vdiq. Të gjithë mund të presim ngushëllime.”, e konsiderova të tillë momentin jo se humbi Saliu, e kam thënë shpesh herë, nuk më bëhet vonë për këtë gjë, por sepse sipas logjikës sime, në atë vendim ne humbëm të drejtën për të jetuar të lirë. Ai vendim na ka vendosur përballë dilemës në duam të kthehemi në diktaturë apo duhet të luftojmë për demokraci.

Në atë vendim ne humbëm pavarësinë, humbëm të ardhmen, humbëm vetveten. E unë nuk dua të humbas asnjërën prej tyre, prandaj nuk mund të them “fajin e ka Saliu” e as “po hoqëm Ramën kë do vendosim” por duhet të luftoj dhe ta refuzoj këtë diktaturë absurdi./Dosja.al

Read Previous

Berisha: Gjendja alarmante e arsimit sot, kushtrim për përmbysjen e monizmit dhe të Edi Ramës

Read Next

Qytetarët ankohen për kopshte e çerdhe/ Këlliçi: Prioriteti im kryesor do të jetë ndërtimi i tyre në çdo lagje të Tiranës