BE paralajmëron qeverinë shqiptare: Harrojeni amnistinë fiskale

Këshilli i Bashkimit Europian paralajmëroi qeverinë shqiptare të mos flirtojë me amnistinë fiskale, pasi kjo do të kishte pasoja të rënda për vendin. Në raportin e konkluzioneve të përbashkëta të dialogut ekonomik dhe financiar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Këshilli i Ministrave të BE thotë se projekti i amnistisë është në kundërshtim me kuadrin e BE për luftën kundër pastrimit të parave

“Shqipëria duhet të shmangë çdo skemë apo masë tjetër si ligji për amnistinë fiskale dhe kriminale, e cila do të kompromentonte ose minonte rreshtimin me politikat e Bashkimit Europian, duke përfshirë procedurat dhe masat e BE që synojnë parandalimin e pastrimit të parave dhe evazionit fiskal,” thuhet në raport.

Në vend të relaksimit të ligjeve fiskale, ministrat e vendeve të BE i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare që të ecë në drejtimin e kundërt, atë të forcimit të luftës kundër pastrimit të parave.

“Ligji për amnistinë do të minonte gjithashtu plotësimin e kritereve të nevojshme për të delistuar Shqipërinë nga lista gri e pastrimit të parave,” thuhet në raport.

Në dokument, Këshilli i sugjeron qeverisë që të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit përmes msave fiskale që janë miqësore me rritjen ekonomike. Sipas raportit rritja e të ardhurave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është kritike për të financuar rritjen e nevojshme të investimeve produktive në kapitalin human dhe atë fizik.

Qeveria shqiptare u tërhoq përkohësisht nga miratimi i ligjit për amnistinë fiskale pas presionit ndërkombëtar. Por kryeministri Edi Rama ka deklaruar disa herë publikisht se amnistia do të miratohet, pasi ajo është e nevojshme për të mbështetur ekonominë dhe lehtësuar qytetarët shqiptarë, veçanërisht emigrantët nga një barrë e padrejtë ligjore./Oligarkia.al.

Read Previous

Pas zgjedhjeve, deputetët kthehen në Kuvend/ Projektligjet që do të miratohen

Read Next

Hapen aplikimet për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet e Bashkisë së Tiranës, afati dhe dokumentacioni që duhet dorëzuar