Ambasadorët në rolin e James Bond

Nga Kumtari

Paralajmërimi Ramës për non gratan 2 të Berishës vetëm pak orë para se të shpallej nga ambasada Britanike, njëlloj si herën e parë me non grata-n amerikane, ka qenë prova më e qartë që informacionet që i përcillen Ramës në cilësinë e KM nga ambasadorët e këtyre vendeve, ky i keqpërdor për ‘lojën’ e tij, e shpeshherë edhe ‘loja’ diplomatike e ambasadorëve duket sikur bëhet në funksion të Ramës.

Është e ditur botërisht që detyra e ambasadorëve është të punojnë me qeveritë e vendeve ku shkojnë, deri këtu gjithçka është në rregull.

Por, fakti që këta ambasadorë mbështësin publikisht një qeveri, kryeministër dhe një kryetar bashkie ndër më të korruptuarit që ka patur ndonjëherë Shqipëria e tregon qartë “paqartësinë”, ose keqpërdorimin e instrumentit politiko-diplomatik ‘non grata’.

Në Shqipëri ky instrument ka ardhur për të eleminiuar politikisht me metoda jo demokratike, siç është vota, kundërshtarët e Edi Ramës, më kontresisht Sali Berishën.

Në premierën e filmit 007, Veliaj shtron tapetin e kuq sikur të ishte producenti i filmit- ju kujtohet?

Prokurorë e gjyqtarë që kanë çështje nën hetim për Veliajn, përkulen para tij në tapetin e kuq. E gjitha kjo në prani të ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar.

Shqipëria u kanabizua masivisht në vitin 2015-2016, asnjë ambassador, për be asnjë, nuk e pa këtë gjë.

Asnjë prej tyre nuk i pa tonelatat e drogës që kalonin Adriatikun në drejtim të Perëndimit.

Tirana, në raportet ndërkombëtare të anti korrupsionit renditet ndër vendet e para në Evropë.

Renditet ndër ato kryeqytete ‘parajsë’ për pastrimin e parave të krimit.

Amnistinë fiskale, e cila është kundërshtuar nga BE+Britania, Rama nuk e hoqi nga axhenda, kërkon ta miratojë me çdo kusht.

Është ky kryetar bashkie e ky KM që japin lejet e ndërtimit për kompani fantazmë, kompani që pastrojnë paratë e krimit për të cilat edhe kundërshtohet amnistia nga vetë Britania.

Ky kryetar me të cilin ambasadori ka dalë në tapetin e kuq të 007, është ai që paguan miliona euro për inceneratorin e Tiranës në mënyrë fiktive.
Inceneratorët janë mega-afera e kësaj qeverie e kryer pa garë, pa asnjë proces të rregullt siç do duhej të ndodhte në një vend normal.

Si është e mundur që nuk thotë ky ambassador apo një tjetër i ngjashëm asnjë fjale për krimin e organizuar, mungesën e konkurencës në treg e të tjera?
Të gjitha këto arbitraritete pengojnë edhe kompanitë britanike që të vijnë të investojnë në Shqipëri.

Porti i Durrësit një tjetër aferë që po bëhet pa garë. Përse mos të kishte garë, të vinin edhe kompani britanike të konkuronin një projekt të tillë të madh?

Sa kompani britanike kanë ardhur e kanë investuar në Shqipëri këto 10 vite, di të thotë ambasadori?
Mund të përdoret ndonjë alibi, ‘ç’punë ka ambasadori’ se ju vjedh ju qeveria e bashkia juaj- zë vend kjo.

Por, atëherë përse ndërhyjnë ambasadorët, kur mbi 40 mijë anëtarë të një partie politike në Shqipëri zgjedhin drejtuesin e vet, cilido qoftë ai?!

Sa shqiptarë ka patur nëpër burgjet e Britanisë në kohën kur qeveriste Berisha dhe sa ka sot që qeveris Rama? Shifra nga disa qindra, ka shkuar në disa mijëra.

Si është e mundur që shqiptarët emigrojnë masivisht në Britaninë e Madhe këto 10 vite? Pse shqetësohen mediat dhe institucionet Britanike nga kjo, dhe nga implikimi në krimin e organizuar në vendin e tyre?

Nga mirëqeverisja e Ramës ikin kaq shumë shqiptarë në Britani?

Pse është rritur numri i atyre që duan me çdo kusht të ikin? Ç’i shtyn ata?

Kush i furnizon mediat britanike që të prodhojnë “fake news” për arsyet e shpalljes së Berishës non grata se gjoja qenka për shkak të Damir Fazlliçit?

Pse nuk pyet media britanike nëse Fazlliç vetë është shpallur non grata në Britani, apo vazhdon bën biznes i qetë?

Çudia dhe çmenduria e manipulimit në një artikull të “The Times” arrin kulmin kur aty përmendet si arsye e shpalljes së Berishës ‘non grata’ një ish emigrant, Florian Dauti, si element i rrezikshëm kriminal, si person me lidhje të forta me PD, si i shpallur non grata edhe ai në Britani etj.

Burimet pranë PD kanë mohuar që Dauti të jetë diçka më shumë se një militant i kësaj partie, pa asnjë lloj funksioni tjetër.
Vetë personi ka shpjeguar se “espulsin”, jo “non grata”, janë terma të ngjashëm për nga funksioni, por të ndryshëm për nga kuptimi, e ka ankimuar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të njeriut.

Masë ndëshkimore “espuls” marrin mijëra shqiptarë e qytetarë të vendeve të tjera, çdo vit, në vendet e BE dhe Britani.

A është e drejtë që dy nga “faktet” që shiten si argument për non grata-n e Berishës, Fazlliç dhe Dauti, të jenë të mjaftueshme për ta përjashtuar atë nga veprimtaria politike?

Si është e mundur që për Ramën dhe Veliajn ka me mijëra fakte për lidhje me elemente kriminale, shto këtu edhe afera gjigante korruptive, dhe nuk përbëkan asnjë shqetësim për aleatët tanë?!

Shqiptarët janë të varfër se i vjedh qeveria dhe bashkia e tyre. Janë nevojtarë per Britaninë dhe BE sepse u ka pamundësuar një jetë të qetë qeveria dhe bashkia e tyre.

Por, ajo që duhet të dinë ambasadorët është se, shqiptarët nuk janë budallenj.

Edhe se ambasadorët kanë detyrë të punojnë me qeverinë, e dinë shqiptarët.

Por shqiptarët kanë të drejtën e Zotit të zgjedhin e votojnë kë të duan, lirisht, dhe jo kë të dojë Rama e ambasadorët.

Banda që po grabit shqiptarët prej 10 vjetësh dhe po mbyt Evropën me drogë e emigrantë ka emër, Edi Rama.

Banda që është përfshirë në korrupsion domethënës dhe që ka hedhur në erë kollonat e demokracisë në këtë vend, ka emër, Edi Rama.

Banda që pengon kompanitë nga Evropa dhe Britania të vijnë të investojnë në Shqipëri, ka emër, Edi Rama.

Read Previous

Pronarët e rinj të Çelsit nuk falin, shkarkojnë trajnerin Thoma Tuchel

Read Next

Shqipëria ngrinë marrëdhëniet diplomatike me Iranin