Tetë tendera të rindërtimit janë fituar nga kompani, pronarët e të cilave kanë patur probleme me ligjin.

Media ka zbuluar 3 shoqëri që kanë përfituar 18.6 milion euro, pronarët e të cilave kanë qënë nën hetim nga prokuroria.

Kompania G.P.G., ka përfituar 15.8 milion euro tendera për ndërtimin e banesave individuale në zonën e Durrësit.

Gjatë periudhës që është hapur njëri tender, një nga pronarët e kësaj firme, ka qënë nën hetim për skemë mashtrimi me tatimin mbi vlerën e shtuar.

Ai dyshohej se në bashkëpunim me firma të tjera prisnin fatura fiktive për të justifikuar punime dhe shërbime të pakryera, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.

Gjykata ka pushuar çështjen në qershor 2020, disa muaj pasi ai kishte marrë pjesë në garën e projekteve të rindërtimit.

I arrestuar në shtator 2019 dhe nën hetim për skemë mashtrimi me TVSH rezulton edhe një nga pronarët e CEC group. Kompania ka përfituar 4 kontrata nga rindërtimi me vlerë 130 mijë euro.

Dion–Al ka përfituar po ashtu 2.67 milion euro nga rindërtimi, ndërsa një nga pronaret e saj ka qënë nën hetim për skemë mashtrimi me tatimin mbi vlerën e shtuar.

Ligji për prokurimin publik nuk lejon dhënien e tenderave kompanive të cilat kanë pronarë apo administratorë të dënuar. Nga rindërtimi kanë përfituar edhe kompani me pronarë të dënuar dhe nën hetim, pa ditur se cili do te ishte vendimi i gjykatës, çka do të rrezikonte ecurinë e kontratës për një proces emergjent siç ishte rindërtimi./ Euronews/

Read Previous

Kapet me drogë djali i mikut të Edi Ramës

Read Next

Rama injoron raportet ndërkombëtare për korrupsionin në Shqipëri: Po e luftojmë si asnjëherë më parë