Rama injoron raportet ndërkombëtare për korrupsionin në Shqipëri: Po e luftojmë si asnjëherë më parë

Në konferencën e parë Kombëtare të Anti-Korrupsionit kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur se Shqipëria ka fillur që të ndahet nga një fazë kur korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çdo kontakt të tij me të.

Edi Rama: E pamë të udhës të shoqëronim nxjerrjen e raportit të anti-korrupsionit me këtë konferencë sepse besojmë që është shumë e rëndësishme të ndajmë me publikun dhe vështirësitë dhe të përpiqemi të vendosim në perspektivë këtë sfidë të vazhdueshme e cila asnjëherë nuk mbaron sepse në asnjë shtet të botës, çështja e korrupsionit nuk është zgjidhur përfundimisht, por për të kuptuar se Shqipëria ka filluar të ndahet nga një fazë kur korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çdo kontakt të tij me të. Ka qenë deri pak vjetësh koha kur të gjitha shërbimet për qytetarët jepeshin me kontakt të drejtpërddrejtë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se pothuajse askush nuk e mendonte pak vite më parë se drejtësia do të ndëshkonte figura politike të rangut më të lartë dhe se do të vinte dita që askush më nuk do të ndjehej i paprekshëm.

Edi Rama: Për reformimin e drejtësisë do të thosha diçka që ma ha mendja se biem dakord që të gjithë pavarësisht bindjeve që mund të kemi, pavarësisht simpative që mund të kemi në aspektin politk: Kush e mendonte deri pak vite më parë se në këtë vend do të ndëshkoheshin nga drejtësia figura politike të rangut më të lartë, se do të vinte dita vetëm pak vite më pas që askush më nuk do të ndjehej i paprekshëm dhe që anëtarë qeverie, përfaqësues të zgjedhur, deputetë do të merreshin nën hetim dhe do të akuzoheshin nga një prokurori tërësisht e ndarë nga politika dhe tërësisht e fokusuar nga misioni i saj për të bërë drejtësi. Nuk besoj se dikush në këtë sallë do t’i përgjigjej pozitivisht kësaj pyetjeje se a beson që pas pak vitesh do të ndodhte kështu dhe jo anëtarë qeverie, deputetë të opozitës, por të partisë në pushtet. Ne kemi pasur dikur anëtarë qeverie që pushkatoheshin.

Read Previous

Tetë tendera të rindërtimit janë fituar nga kompani, pronarët e të cilave kanë patur probleme me ligjin.

Read Next

Lumi Vjosa dhe degët e tij drejt shpalljes ‘Park Kombëtar’