SPAK në kundërpërgjigje të spekulimeve të Artan Hoxhës: Dumani nuk ka thënë asgjë për Ilir Metën

Pas deklarimeve në media, referuar dëshmisë në SPAK të Nuredin Dumanit ku sipas gazetarit Artan Hoxha përmendet edhe emri i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, SPAK ka dalë më një deklaratë shtypi me të së cilës sqaron se:

“Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë”.

E plotë:

PROKURORIA E POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TIRANË

NJOFTIM PËR SHTYP

Në vijim të interesimit të shtuar të mediave, në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim N.D. për Presidentin  e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se:

Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.

Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit N.D. në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit).

Read Previous

Stoltenberg vlerëson rolin e Turqisë në NATO

Read Next

A është Dvorani surpriza presidenciale e Ramës sonte?