Shtet i hakeruar, me votues të patronazhuar…

Nga Ylli Manjani

Shtet i hakeruar, me votues të patronazhuar…

****

Është e pabesueshme se si një vend anëtar i NATO-s, nuk shqetësohet fare, po fare, fare për të dhënat personale e zyrtare që gjenden në tregun e zi të hakerave.

Siç shpjegojnë qartë e thjeshtë ekspertët, teknikisht i gjithë problemi ka ardhur për shkak të agregimit të serverave që përmbajnë të dhëna në fusha të veçanta. Ky agregim, që nuk lejohet të bëhet sipas standardit ISO të adoptuar për sigurinë kibernetike, është bërë për qëllime elektorale. Pra për të pajisur patronazhistët politikë me të dhëna për votuesit. Shkurt, pushteti kontrollon votuesit në terren dhe kudo ata janë!!!

Ky është kulmi i antiligjshmërisë, TË PANDËSHKUAR as nga drejtësia e zonjës Kim!!! Si thotë mo, si thotë? “Askush nuk është mbi ligjin”… Posi, posi.

Ja pra që paska edhe mbi ligjin dhe mbi NATO-n, po deshe!

Hakerat e Iranit, po sipas shpjegimit të ekspertëve e gjetën terrenin gati, pikërisht nga agregimi i serverave që nuk duhej të kishte ndodhur. Pra, ata vërtet kanë hakeruar serverin e DAP, por për shkak të agregimit me servera të tjerë, ata arritën të hyjnë në të gjitha të dhënat që ka shteti.

Së fundi edhe nëpër banka.

Kulmi!

Ky është fundi i sigurisë së një shteti anëtar i NATO-s.

Ama reforma në drejtësi ecën përpara, posi!!!

Nuk ja mban të shkundë mirë me disa veprime krejt të thjeshta hetimor se kush urdhëroi agregimin e serverave. Ja kaq duhet të bëjë. Ta gjejë kush e urdhëroi, kush e ekzekutoi dhe për ç’qëllime?

Këtu duhet kërkuar edhe përgjegjësia për mos mbrojtjen nga hakerimi. Doni persona konkretë?

Po mo, të gjithë ata persona të autorizuar që janë mbajtës të çelësave të aksesit nëpër servera janë rrethi i personave që do çojnë tek urdhëruesit e agregimit të serverave. Rrethi tjetër i personave janë ata që kanë kopjuar të dhënat me flash disk, veprim rreptësisht i ndaluar ky.

Në fund, qershia mbi tortë, struktura e AKSH vendoset e gjitha nën hetim për mënyrën si e kanë ushtruar detyrën.

Kujtoj, gjithashtu, se sasia e parave publike të shpenzuar pa garë e tendera në këtë sektor është marramendëse.

Nuk vlen më të komentohen deklaratat për “kundërofensive ndaj hakerave” sepse ato ishin thjesht trutë e gomarit për të mbushur trutë e njerëzve… Koha tregoi se hakerat kanë tashmë çdo gjë në dorë.

Read Previous

Këlliçi: Tirana ka nevojë për ndërhyrje emergjente, së bashku do të krijojmë një model të ri

Read Next

Rama shtron darkë për drejtorët e policisë, iu jep udhëzimet për zgjedhje