Shiten të gjitha biletat për Angli-Shqipëri, 90 mijë tifozë në Wembley

Përballja e Shqipërisë me Anglinë do të luhet në praninë e 90 mijë tifozëve. Federata angleze njoftoi shitjen e të gjithë biletave në Wembley, duke bërë që sfida e fundit kualifikuese e “Tre Luanëve” në shtëpi të luhet në një atmosferë fantastike. Aty do të ndikojë edhe prezenca e tifozëve kuqezi, të cilët pritet të jenë të shumtë në numër.

Kombëtarja kërkon të marrë një rezultat historik në Londër, i cili do të mbante gjallë edhe shpresat për vendin e dytë në grup dhe mundësinë e një bilete për në fazën play-off të Botërorit 2022 në Katar. Kuqezinjtë i kanë humbur të pesta sfidat e luajtura me Anglinë, duke pësuar 14 gola dhe shënuar vetëm një, teksa në sfidën e mëparshme të këtyre kualifikuese u thyen 2-0 në Tiranë.

Gjithashtu, Shqipëria nuk ka shënuar asnjë gol në fushën e Anglisë dhe janë mposhtur 5-0 në ndeshjen e fundit të luajtur në Wembley, në vitin 1989. Kuqezinjtë do të kërkojnë të ndryshojnë historinë, ashtu si ndodhi me Hungarinë, edhe sepse kanë fituar tre nga katër transfertat e luajtura në këtë edicion.

Përballë skuadrës së Edy Rejas, Anglia do të synojë të barazojë ecurinë më të mirë në histori, me 19 ndeshje pa pësuar humbje, të vendosur ndërmjet vitit 1965 dhe 1966. Edhe një barazim do t’i shkonte për shtat britanikëve, të cilët do të siguronin fitimin e grupit dhe kualifikimin direkt në Katar me 4 pikë në dy ndeshjet e fundit./A2news

Read Previous

Me armë dhe me maskë, vajza e re del natën rrugëve dhe tmerron banorët e Lezhës

Read Next

“Ne nuk do të dorëzohemi”, Cikalleshi: Gol në Wembley? Do më shijonte vetëm nëse do vlente