Rama shkon të takojë Hashim Thaçin në burgun e Hagës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po viziton ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në burgun e Hagës, më saktësisht Haaglanden.

Vizita e Ramës mund të konsiderohet si një ndër vizitat më interesante që një kryetar qeverie ka zhvilluar në historinë politike.

Në orën 11:30, kryeministri shqiptar ka nisur takimin e tij me Thaçin, i cili pritet të zgjasë tre orë.

Ish-presidenti i Kosovës është paraqitur këtë të martë në seancën e radhës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Historia ka dëshmuar se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është vizituar nga krerë qeveritarë vetëm për takime formale.

Mund të sjellim shembullin e kryeministrit holandez Mark Rutte në vitin 2011 apo ish-kryeministren norvegjeze Erna Solberg në vitin 2015.

Por asnjë agjendë e tyre nuk përmbante një kornizë të tillë politike dhe miqësore.

Kujtojmë që burgu ku po mbahen ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjendet jashtë Hagës, në periferi të Scheveningen-it.

Haaglanden është një burg unik në Holandë, pasi është i vetmi që ka një qendër kujdesi për të paraburgosurit.

Takimi i fundit mes palëve daton më 29 qershor të vitit 2020 – tre muaj para se Gjykata Speciale në Hagë të konfirmonte aktakuzën ndaj Thaçit.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Prishtinë, Rama do të pritej edhe nga presidenti – asokohe – i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri shqiptar shoqërohej nga ish-ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Qëllimi i vizitës së Ramës ishte pikërisht “për të mësuar më shumë” në lidhje me aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë u konfirmua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet në kohë midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se ish krerët e UÇK-së dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën.

Kjo, përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 29 prill të 2022, e njëjta zyrë do të dorëzonte aktakuzën e ndryshuar kundër ish krerëve të UÇK-së.

Në njoftim thuhet se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja.

Këto të fundit, i referohen krimeve që pretendohet të jenë kryer në Gjilan dhe në fshatrat e Suharekës.

Read Previous

Petrit Vasili publikon parashikimet e Komisionit të Venecias për vetingun e gjyqtarëve

Read Next

Kush do të jetë Avokati i ri i Popullit?/ Ja kush janë 13 pretendentët që kanë paraqitur kandidaturat