Prodhuesit e Nektarinës në Fier në krizë, çmimi më i ulët në vite: Nuk nxjerrim dot lekët e investuara

Prodhimet bujqësore shqiptare po përjetojnë ditët më të këqija. Nektarina ka pësuar ulje drastike e çmimit në pikat e grumbullimit. Nëse një vit më parë, 1 kg nektarinë shitej me 80-100 lekë për kilogram, viti 2022 shënon rënien drastike të çmimit të saj: në 30-40 lekë për kilogram.

Artan Troka, një nga prodhuesit më të mëdhenj të nektarinës në Fier, në zonën e Frakullës. Ai pohon për ABC-në se shumica e prodhimit i ka mbetur në arë pa vjelë, pasi eksporti i këtij prodhimi është ndalur, ndërsa tregjet vendase janë të mbingopura me nektarinë.

“Nektarina në përgjithësi ka pasur prodhim të mirë, cilësor, pa dëmtues, i mbrojtur. Por problem i madh këtu është i tregut, se nuk kemi treg ku ta çojmë. Janë me qindra tonë nektarinë që nuk po tregtohet, një pjesë e madhe ka mbetur edhe në arë pa u tregtuar.

Po pse ka ndodhur ky problem këtë vit?

“Është shtuar prodhimi i saj, nuk po ecën në eksport, tregu vendas aq tërheq, se është i mbingopur. Kështu që e vuajmë ne të tërë.”

Nuk e fsheh shqetësimin se puna dhe mundi nuk po shpërblehet këtë vit, madje as shpenzimet e kryera.

“Është shumë i lirë, 300 – 400 lekë. Në një kohë që një vit më parë ishte 800-1000 lekë për kilogram, gati dyfishi. Po me këto çmime, me 300 apo 400 lekë, nuk mbulon dot as shpenzimet e saj.”

Ai na tregon disa nga problemet që ka hasur gjatë këtyre viteve.

“Ka pasur problematika, jo kaq sa këtë vit. Këtë vit ka qenë një ulje drastike, e menjëhershme. Ne kemi bërë një investim shumë të madh, disa milionësh, disa dhjetëra milionë lekë të hedhura. Dhe e është e keqja se nuk e justifikon, nuk i merr dot ato lekë, pa lëre fitimin, nuk bëhet llaf për fitim.

Problem sipas tij mbetet eksporti i këtij fruti.

“Po nuk e dimë. Malli është shumë cilësor, shumë i shijshëm, edhe goxha i madh. Këto pikat e grumbullimit stonojnë. Merrnin dikur ato, para një jave, po tani s’po grumbullojnë fare. Tani është stopuar. Tani çfarë shesim vetë, tani çfarë kemi ndonjë tregtar vetë; nga Tirana, nga rrethet e tjera, në tregun e Fierit. Pikat e grumbullimit tërheqin shumë pak nektarinë dhe atje nuk është interesi. Ai shitet me një çmim qesharak: 200 lekë, 300 lekë.”

Kafaraj, e njohur në Shqipëri për plantacionet me luleshtrydhe, është një nga zonat me prodhimtarinë më të lartë të nektarinës në vend. Ajo numëron sot mbi 60 hektarë të mbjellë me nektarinë, e cila, jo më shumë se një vit larg, eksportohej pothuajse e gjitha në vendet ballkanike./Abc News

Read Previous

E pabesueshme! Policia shoqëron dhe kërkon fillim të ndjekjes penale për dikë, i cili në mes të plazhit hoqi një flamur turk nga kulla e vrojtuesit të plazhit!?

Read Next

PD, 5 pyetje të reja për inceneratorët: SPAK i di përgjigjet, por të çojnë ‘lart’, ku prokurorët tanë nuk shkojnë dot!