Politikanët ne Shqipëri, nuk e kanë me njëri-tjetrin, e kanë me ne

Nga Basir Çollaku

Donald Trump, ish presidenti i Shteteve të Bashkuara, teksa fliste bashkëkombasve të tij amerikanë, për ngjarjen e paprecedentë, bastisjen e banesës së tij në Florida, kontrollin e shtëpisë së një Presidenti amerikan, pandodhur kurrë më parë, ndër të tjera tha:
Nuk e kanë me mua. E kanë me ju.
Në Shqipërinë fatkeqe, kjo thënie është aksiome që ndodh prej 80 motesh. Sherr, debat, zënka, protesta deri në dhunë, vrasje, djegie, burgosje, skandale pafundësisht tej imagjinate. Kemi 32 vite në kurth. Në një grackë, Në një lojë të porositur, brenda së cilës rrotullohemi dhe shpesh e më shpesh vetëm ndërrojmë anë, trajtë, formë, por asnjëherë përmbatje.
Ne jemi vend që prodhojmë naftë në kufijt e mjaftueshëm të konsumit të brendshëm, por asnjë mililitër nuk marrim prej saj. Atë e kanë plaçkitur të tjerët. Ndërsa ne e blejmë më shtrenjtë se çdo vend që nuk prodhon asnjë litër. Sepse ne na vjedhin, ditën dhe natën, pa na pyetur, pa na marrë asnjë second leje. Ne jemi ata që heshtim, nuk reagojmë, nuk i ndalojmë, si memecër e shurdhër të lindur
Ne jemi vend që prodhojmë energji elektrikë hidrike, mbi 70 përqind të gjithë prodhimit, me lëndë të parë falas dhuratë nga Zoti. Sërish abuzojnë, vjedhin, sa gjendemi nën teka gjeneratorësh, errësirës, apo çmimeve gjithnjë e më të kripura, më shumë se të tjerë vende, pranë dhe larg nesh, që nuk kanë luksin tonë të prodhimit.
Ne jemi vend me pasuri të mëdha minerare nëntokësore, nga krom, bakër, hekur-nikel, qymyr, mermer, ujë, e mjaft të tjera. Por sërish administrimi, shfrytëzimi i tyre, përfitmi për banorët vendas, është inekzistent. Zonat, qytetet, krahinat nga merren këto pasuri, janë një mjerim akuzues për plaçkitësit, me adresë qeveritarët e këtyre dekadave
Ne kemi një klimë, ditë diellore si rrallë vend tjetër, ujë, pyje, tokë, të rrallë për bujqësi, blegtori, pemtari, një mundësi prodhimi për çdo produkt që Zoti lejon dhe jemi në krizë ekstreme për çdo mall që ekziston. Ne jmë bërë magazinë importesh për të përmbushur licenca pushtetarësh apo klientëve të tyre.
Ne kemi një antikitet mahnitës, një trashëgimi kulturore të pazakontë, një pasuri me vlerë të madhe, e cila është në duar barbarësh. Kemi kanibalë të gatshëm për tia shitur maskarait të parë antishqiptar që u vjen me para në dorë, që bën marrëveshje të pistë me pushtetarët dallkaukë e jo vend-dashës nëpër zyra shtetërore.
Ne kemi lashtësi në dije, por po prodhojmë injorancë në vatrat e edukimit, duke vrarë mizorisht të ardhmen e Shqipërisë. E bëjmë këtë me një dashakeqsësi ekstreme. Jemi duke kontribuar në asgjësimin tonë, shpërbërjen e kombit, thërmimin e shkërmoqjen e tij, racës dhe trojeve ku mbijetuam prej mijëra vitesh.
Ne kemi qindra mijë të rinj, të ikur në 30 vite në Evropë dhe nëpër botë, janë e nesërmja e kombit që me skema, mënyra, forma kriminale keqqeverisjeje, vjedhjeje, pamundësish jetese në dheun e tyre, janë detyruar të largohen. Janë përzënë. Ne jemi bërë një popull i thinjur në pak vite, plakur përtej çdo lloj pritshmërie, duke kthyer Shqipërinë në një azil të moshuarish. Në një ishull njerëzor të padobishëm. Fëmijët jashtë pa prindër, prindër brenda pa fëmijë. Shtëpi bosh pa njerëz, e njerëz jashtë të pastrehë. Kemi ndërtuar një shkretëtirë pa punonjës të kualifikuar, pa zanatçinj, pa shërbime, duke mbushur zbrazëtirën e prodhuar qeveritare, me aziatikë, afrikanë. E gjitha ka ndodhur si shenjë e ekzekutimit të shfarosjes sonë të përbashkët.
Ne shqiptarët shpërndarë në pesë shtete, jemi sot dëshmitarë se qeveritarët tanë vëllazërohen me armiqtë kohëgjatë në rajon dhe armiqësohen me vëllezërit e gjakut e gjuhës. Jemi popull me eksod biblik por jo për arsye të tilla. Kemi stërvitur veti të luftës e dëmit me svetes duke majmur lakminë oreksin, babëzinë, e keqbërësve tanë.
Ne jemi një nga vendet që kemi kaluar diktaturën 50-vjeçare më të egër komuniste pasojat e së cilës vazhdojnë ende. Një periudhë masakrimi, persekutimi, nga një ushtri punëtorësh e bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit. Një strukturë e pushtetit të fshehtë, të cilët gjenden ende me shumicë nëpër institucione të pushtetit, politikës, drejtësisë, ekonomisë. Njëlloj sot, 32 vite pas pretendimit tonë të ndërrimit të sistemit, ndryshimi nuk ka prekur qytetarët, ata që u bënë prodhues të ndryshimit, e asnjëherë përfitues të tij.
Ne kemi një klasë politike e cila ka pandryshueshmëri njerëzore nga vitit 1990-të. Kanë ngjarë rrotacione por jo largime. Ikjet kanë qenë vetëm vdekjet natyrale. Licenca bashkësisë së kaluar për të qeverisur, sunduar, pushtuar, qeverisjet dhe ekonominë, është e paskaduar nga koha e qoftëlargut. Këmbimet nëpër data elektorale kanë qenë dhe janë makiazhi në këto tre dekada.
Ndërkombëtarët, ambasadorë, diplomatët, të dërguar me punë, komisionerë, e raporterë, nga SHBA dhe Evropë, kanë qenë dhe janë gjithnjë të punësuar të vendeve të tyre. Por me kalimin e viteve, me mjaltosjen e pushteteve në Tiranë, gjithnjë e më shumë prej tyre, u shqiptarizuan në shtim vesesh e pakësim vyrtytesh
Në vendin tonë, mediet u bënë streha e kryepushteteve, hapësirë publike e private me leje për të gënjyer sipas dëshirave e porosive të pushteteve e politikës. U shartuan me biznese e pjesë të bashkëpunëtorëve të sigurimit, të cilët u bnëë drejtues, mendimtare, lajmëtarë, për të kontrolluar pa ndërprerë ushqimin e opinionit publik. Bëmat e diktatorës në vend të ndalimit me ligj, zënë hapsirat informative kryesore nëpër gazeta e televizione prej 32 vitesh. Mediet, janë instrumenti kryesor, me të cilin kanë manipuluar opinionin e koduar njëri-tjetrin. Janë vrasës të paguar.
Sot, 32 mote pas shkrepjes së pluralizmit, nuk gjen dot një spiun, punëtor, bashkëpunëtor, të papunë, një politikan të varfër, një zgjatues diktature në hall. Bizneset e mëdha, ekonomia, ka qenë dhe është nëpër duart e tyre apo pasardhësve biologjikë të tyre.
Në jemi ndoshta ndër popujt e rrallë që jetojmë mprej 80 vitesh në diktaturë dhe gënjeshtër, ndërsa ata politikanët kostumndërrues qeshin pas kurrizit tonë, me pafuqinë tonë për ti ndëshkuar. E gjithë kjo komedi e zezë, është dëshmi se politikanët në Shqipëri, ndoshta ngjashëm me vende të tjera, por jo në këtë formë vrasëse si ndër ne. Nuk e kanë pasur as e kanë asnjëherë me njëri tjetrin, ndëshkimin, urrejtjen, mllefin, persekutimin, dorëvënien nëpër pasuritë e njëri tjetrit. Jo asnjëherë. Ata e kanë pasur dhe e kanë gjithmnonë e gjithnjë me NE. Duke na shndërruar përditë e më tepër në specie të padobishme për ta, pasi kanë marrë me duart tona, gjithçka..

Read Previous

Po mbante fjalim për arritjet e presidentit, ndërron jetë papritur diplomati saudit, momenti dramatik bëhet viral në rrjet

Read Next

Hutohet sërish Biden. Brenda pak sekondave i jep dorën të njëjtit person dy herë