Opozita kërkon të diskutohet sot në Kuvend për skandalin e Ramës në SHBA

Opozita ka kërkuar që të ndryshohet rendi i ditës sot në Kuvend, për të diskutuar për çështjen e skandalit të Edi Ramës në SHBA.

Në kërkesën e deputetëve opozitarë thuhet se duhet të ndryshohet rendi i ditës për të përfshirë një mocion për debat me Ramën.

Në kërkesën e opozitës thuhet se kryeministri shqiptar është përfshirë në këtë skandal, pasi në padinë e dorëzuar në gjykatën amerikane theksohet se Rama ka realizuar të paktën 5 takime të fshehta me ish-zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal. Ky i fundit është arrestuar pasi ka marrë një ryshfet prej 225 mijë dollarësh nga njerëzit e Ramës për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.

Opozita thekson po ashtu se Charles McGonigal është nën akuzë se ka bashkëpunuar me oligarkun rus, Oleg Deripaska, që njihet si krahu i djathtë i Vladimir Putinit. Por ndërkohë, Deripaska rezulton investitor në Shqipëri, me firmën e qeverisë shqiptare.

KERKESA E PLOTE

Ditët e fundit opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar është tronditur prej një skandali të përmasave ndërkombëtare që ka përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), Departamenti i Drejtësisë Amerikane, dhe media ndërkombëtare, më 21.1.2023 është arrestuar zyrtari i lartë i FBI, Charles McGonigal, i akuzuar për shkelje të sanksioneve ndaj oligarkut rus Oleg Deripaska, me lidhje të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin, si dhe për fshehje, manipulim dhe falsifikim të të dhëënave për kontakte të papërshtatshme me shtetas të huaj, ku përfshihet Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe dy bashkëpunëtorë të tij që nuk mbajnë poste zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

Në padinë e ngritur ndaj z. McGonigal pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias (Uashington), renditen një sërë faktesh që lidhen me të paktën 5 takime të fshehta të zhvilluara mes Kryeministrit Rama dhe z. McGonical, në praninë e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të z. Rama, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.

Kjo ngjarje e rëndë është bërë publike pas një hetimi të thelluar dy-vjecar nga zyra e FBI në Los Angeles ndaj dy zyrave të FBI në Nju Jork dhe Uashington, duke iu nënshtruar tashmë një procesi gjyqësor në gjykatat e këtyre dy shteteve.

Njëkohësisht, duke patur parasysh se oligarku Oleg Deripaska është i sanksionuar edhe nga Shqipëria, si vend kandidat që zbaton sanksionet e Bashkimit Europian, rezulton se ai vazhdon të zotërojë biznese të licensuara drejtpërdrejt nga Qeveria shqiptare, në shkelje të drejtpërdrejtë të këtij detyrimi politik dhe ligjor. Duke patur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të këtij skandali të paprecedentë, ku Kryeministri shqiptar përfshihet si subjekt hetimi dhe akuzash për përfshirje në korrupsion ndërkombëtar, minimin e besimit të publikut ndaj institucioneve të shtetit shqiptar dhe cënimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të
Bashkuara të Amerikës; si dhe, bazuar në Nenin 31 pika 2 dhe Nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, një grup prej 16 deputetësh kërkon:

1. Ndryshimin e Rendit të Ditës;
2. Në përputhje me pikën 1, përfshirjen si pikë e parë e Rendit të Ditës të një Mocioni me Debat për cështjen e mësipërme.

ImageImageImage

Read Previous

CDU dhe CSU debatojnë strategjinë e tyre ndaj të huajve

Read Next

Basha/ “Josehp Daul mik i veçantë i imi”