Nënshkruhet faza e parë e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes të fazës së parë të ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.

Në fjalën e saj, gjatë prezantimit të marrëveshjes, Balluku theksoi se ky hidrocentral do të luaj një rol të rëndësishëm në rritjen e kapacitetit prodhues të energjisë, si dhe në zvogëlimin e mundësive të përmbytjeve në zonat Shkodrës.

Ministrja tha se kjo fazë do të zgjas 18 muaj dhe se ka të të bëjë me punën përgatitore që do i hap rrugën fazës së dytë, asaj të ndërtimit të hidrocentralit.

 

“Jemi të lumtur që nënshkruajmë sot marrëveshjen për fazën e parë të hidrocentralit të Skavicës. Faza eparë përfshin gjithë punën përgatitore duke përfshirë studimin gjeologjik, mjedisor e social, që është shumë i rëndësishëm. Kemi 18 muaj në dispozicion e më pas në fazën e dytë do nënshkruajmë marrëveshjen për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Skavica do luajë rolin e rregullatorit për hidrocentralet e tjera në kaskadën e lumit Drin. Do rrisë me 20% prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme në vend e do rrisë kapacitetet prodhuese të të gjitha hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Po kështu ai do sjellë zvogëlimin e përmbytjeve në ultësirën e Shkodrës e kontrollin e derdhjeve gjatë periudhës së shirave. Kemi zgjedhur kompaninë amerikane Bechtel pasi ka pasur përvojë të shkëlqyer në menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore për sa i përket impaktit social në zonën ku do ndërtohet hidrocentrali dhe kemi besim se do bëhet më e mira për banorët e zonës.” – tha Balluku.

Read Previous

Mijëra pensionistë, pa të ardhura në pandemi, KLSH: Problem, aplikimet e reja dhe shpërndarja

Read Next

Mbytet pushuesi ne Velipojë, dy te tjerë shpetohen nga roja bregdetare