Misteri i qytezës së vogël: 103 raste me kancer, tek njerëzit që ndoqën të njëjtën shkollë të mesme

 Gazeta Kumtari 

Al Lupiano arriti ta mposhtte kancerin. Por gjithmonë e më shumë njerëz rreth tij po sëmuren me tumor të rrallë në tru. Kjo e bëri atë dyshues dhe nisi të kërkonte për t’i shkuar në fund çështjes. Si përfundim, Lupiano i lidh të paktën 100 raste me tumor në qytezën e tij të lindjes me një detaj të pabesueshëm: të gjithë të prekurit kanë shkuar në të njëjtën shkollë të mesme!

Shkolla e mesme ‘Colonia’ në Woodbridge të shtetit amerikan të New Jersey është në qendër të një misteri mjekësor, që ka trazuar SHBA.

Çështja nisi kur gruaja e Lupiano, Michele u diagnostikua me kancer në tru në gusht të vitit 2021. Amerikani kishte ekzakt të njëjtin kancer në tru 22 vite më parë. Sipas mjekëve të tij, shanset që kjo të ndodhë janë 1 në 1 miliard.

Por kjo nuk është e gjitha: në të njëjtën ditë si gruaja e tij, mjekët gjetën një tumor në tru te motra e Lupianos. Tre njerëz, tre tumore të rralla. “Ishte sikur të ishim goditur të tre nga rrufeja në të njëjtën ditë,” thotë Lupiano. Motra e tij vdiq pak më vonë nga sëmundja.

14 vite më parë, Lupiano mësoi se kishte një rast të ngjashëm në qytet, kur dy motra ishin prekur nga tumori në tru brenda tetë ditësh.

Në këtë moment, Al Lupiano bëri zbulimin shokues: Të pestë ishin diplomuar në shkollën e mesme ‘Colonia’. Një shkollë publike e ngritur në vitin 1967, me 1300 studentë.

Lupiano vazhdoi të kërkonte dhe zbuloi gjithmonë e më shumë raste.

Ai kujton: “Mendova me vete: çfarë po ndodh këtu? Nisa të mendoj se çfarë kemi të përbashkët? Dhe nëse do të vazhdojë”.

Më në fund ai ndau në Facebook zbulimet e tij dhe mori mesazhe nga ata që kishin qenë nxënës në shkollë apo që kishin punuar aty. Al Lupiano arriti të mblidhet 103 raste me kancer në tru brenda gjashtë javësh. Shumica ishin diplomuar mes viteve 1975 dhe 2000.

“Ky është një zbulim domethënës,” thotë Sumul Raval, një nga neuro-onkologët më të njohur në këtë shtet, i specializuar për tumoret në tru. “Normalisht në shkollë të mesme nuk merr rrezatim. Vetëm nëse në atë zonë ka diçka që nuk e dimë”, thotë Raval. Ai bën thirrje për një hetim urgjent.

John McCormac, kryebashkiak në Woodridge, thotë: “Mund të ketë një problem real këtu dhe qytetarët duhet ta dinë nëse ka rrezik. Të gjithë jemi të shqetësuar dhe duam t’i shkojmë deri në fund. Kjo nuk është normale”.

Duke nisur që nga fundjava, hetues radiologë të ndryshëm kanë nisur të shqyrtojnë hapësirën brenda dhe jashtë shkollës.

Al Lupiano është i sigurt: “Kjo nuk mund të jetë kurrë thjesht një koincidencë”.

Read Previous

FAO: Çmime rekord për ushqimet në mbarë botën

Read Next

Berisha për formulën e zgjedhjes së Presidentit të ri: Me zarf, njësoj si Kodi i Mafies