Majmuni Kiko merret sërish në pyetje

Nga Lutfi Dervishi

Pas lajmit se në kontenierin me banane në Durrës mungonin disa arka me banane, majmuni Kiko që u bë i famshëm sepse rrahu tre policë dhe një turist grek u thirr sot me ngut në Prokurori si i dyshuar kryesor në trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Ne i dimë të gjitha. Të kemi thirrur për të dhënë mundësinë të thuash atë që ti di rreth trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Çfarë pune kam unë me kokainën?
Në bisedën e kaluar më thatë se keni ardhur në Shiqpëri se ju pëlqejnë bananet dhe ndjenjën që të japin bananet këtu nuk e gjen në asnjë vend të BE-së dhe madje as në vendet aspirante për në BE.
Të vërtetën kam thënë.
Ke qenë ndonjë herë në Portin e Durrësit.
Jo.
Arsyeja?
Më kanë thënë se porti dhe qyteti kontrollohen nga mafia.
Ashtu. A mund të jesh me specifik?
Jo, sepse kam ndërmend të jetoj më gjatë.
Shqipëria është nga vendet më të sigurta në botë.
E kam lexuar. Prirem të besoj atë që lexoj, por sikundër e dini u bë 5 vjet që jetoj këtu. Unë, siç thoni ju shqiptarët, i kam sytë në ballë. Në fakt sytë nuk i kam në ballë, sytë ashtu si ju i kam në fytyrë, por ju betoheni për sytë e ballit…
Pse përpiqeni të dredhoni? Ne mund të japim statusin e dëshmitarit të penduar.
Nuk plotësoj kriteret. Nuk kam bërë asnjë krim. Për çfarë të pendohem.
Për shembull mund të pendohesh pse ke ardhur në këtë vend? Pse ke lindur? Pse të pëlqejnë bananet? etj etj.
Zoti Prokuror pse nuk më bëni pyetje konkrete që edhe unë të përgjigjem konkretisht.
Sot në portin e Durrësit, në ngarkesën e ardhur me banane. Mungojnë disa arka.
Po më akuzoni se i kam vjedhur unë?!
Jo, por kemi dëshmitarë që sot je parë që në mëngjes me disa banane në duar. Dhe sot ke qenë veçanërisht i lumtur!
Zoti Prokuror është e vërtetë se bananet kanë qenë në dorën time, por jam gati të vë dorën në bibël, kuran, torah, kushtetutë, statutin e PD-së të rithemeluar dhe kudo të duash ti: bananet i kam patur në dorë, por arkat shkojnë tjetër kund! Pastaj unë kam alegji nga “pluhuri llokumeve”!
Ku e ke dëgjuar këtë “pluhur llokumesh”?
Më kanë thënë se u hidhet bananeve që të mos prishen gjatë transportit.
A mund të jesh më konkret?
Për këtë pyesni më mirë qentë e kufirit të portit. Ata shquhen dhe paguhen për nuhatje, unë jam thjesht një bananengrënës.
Tani do të na tregosh ne se kë duhet të pyesim?
Nëse më lejoni i nderuar kush tjetër ka nderin të përgjigjet sot para jush përveç meje.
Janë punëtorët e ngarkim – shkarkimit dhe shoferi.
Domethënë, unë majmuni Kiko, punëtori dhe shoferi. Pra dy brekëgrisur dhe një pa brekë si puna ime?!!! Po shefi i sigurisë së portit? Përgjegjësi i turnit? Pronarët e kompanisë porositëse? A i keni marrë provat shkresore?
Çfarë po flet o majmun?
Në intervistën e parë të thashë që një nga arsyet e rrahjes së turistit grek ishte se grekët thonë se kanë ardhur në këto troje para nesh majmunëve. Por duke ju referuar pyetjeve të Sokratit pra metodës sokratike, do të bëja disa pyetje pasi të merrja procesverbalin e mbërritjes së kontenierit.
1.A ka dëmtim të jashtëm të kontenierit, të plumbçeve?
2-Kontenieret survejohen 24/7 me kamera. Të kqyren kamerat kush i është afruar kontenierit dhe kush ka ndërhyrë?
3. A kanë punuar kamerat? Nëse jo, pse?
4.-Sa ditë ka kontenieri në port? Të kqyren telefonatat e pronarit dhe administratorit të firmës së bananeve.
5.-Sa ka qenë koha nga dalja e kontenierëve (nga vendi ku kontenieret qëndrojnë të rrethuar me roje dhe kamera) deri te skaneri?
6.-Kush dhe me çfarë mjeti u transportua kontenieri deri te skaneri?
7.-Sa është totali i arkave dhe sa arka mungojnë?
8.-A janë marrë të gjitha gjurmët e gishtave në siperfaqen e arritshme të kontenierit?
9. ….
More majmun nuk po heq doë nga përpjekja për të devijuar hetimet? Ti do të na mësosh ne si bëhen hetimet? E di ti kë ke përballë?
Prokurorin!
Jo prokuror sidokudo po prokuror që ka kaluar vettingun!

Read Previous

Policia e Krujës jep detaje nga masakra e ndodhur në Fushë Krujë

Read Next

Zbulohen hollësi të reja mbi masakrën me tre viktima në Fushë Krujë