Libri “Tregime të moçme shqiptare” do të prezantohet sot në librarinë “Maruani” në Paris nga përkthyesja Evelyne Noygeus

Në kuadër të promovimit të letërsisë për fëmijë në Francë, libri dygjuhësh “Tregime të moçme shqiptare” shqip-frëngjisht, botuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën do të prezantohet sot në librarinë “Maruani” në Paris nga vetë përkthyesja e librit z. Evelyne Noygeus.

Nga ana e saj edhe libraria Maruani ka ftuar të mëdhenj e të vegjël, nga mosha 7 vjeç në 77, “për të marrë pjesë në një lexim të përrallave ballkanike nga vetë Evelyne Noygues, përkthyesja e “Përrallave të vjetra shqiptare” të Mitrush Kutelit.” ” Ju ftojmë të zbuloni Shqipërinë”, shkruan në ftesë libraria Maruani, “që është një vend me plot male, liqene dhe pyje, ku jetojnë gra dhe burra, por edhe zana e shumë personazhe të tjerë të mrekullueshëm.”

 

“Ky animacion do të shoqërohet me një meze të lehtë, ku sigurisht janë të ftuar të vegjël dhe të mëdhenj.Bonus i vogël: çeqet e librave janë në dispozicion për fëmijët me kostum.”

Zonja Evelyne Noygues që në fillim të viteve ’90 ka qenë Atashe kulturor në Tiranë në lidhje me përkthimin ka treguar për arteka.al:

“I kam njohur Tregimet e Kutelit mbas vitit 1991 kur isha në Tiranë. Disa miq të mi kishin në shtëpinë e tyre botimin e vitit 1965. E kishin ruajtur brez mbas brezi dhe e përdornin për fëmijët ose për t’u treguar përralla nipave. Tani një kopje e tregimeve të Kutelit ndodhet në bibliotekën e Institutit në Paris (ku mësova edhe unë gjuhën shqipe) falë donacionit të Prof. Ardian Marashi, përgjegjësi i gjuhës shqipe të Inalco-ja (Institut National des Langues et Civilisations).

Të gjithë studentët e gjuhës shqipe në këtë institut kanë mundësi ta marrin në shtëpi dhe ta lexojnë. Është një fat ky për ta, fat të cilin unë nuk e kam pasur kur isha vetë studente atje.

Duke përkthyer tregimet e Kutelit, tashmë unë kam fatin të hyj thellë në prozën e tij lidhur me baladat, këngët e kreshnikëve qe i përkasin traditës gojore të letërsisë shqipe.

Botimi dhe shpërndarja e librave shqip, si dhe e përkthimet e tyre, ruajnë lidhjet gjuhësore me diasporën nëpër botë, e cila gjithnjë kërkon të ruajë identitetin e vet.

Qendra e Botimeve për Diasporën po bën një punë shumë të dobishme, duke propozuar dhe shpërndarë tekstet letrare dhe shkollore. Është një ndihmë e madhe për të gjithë ata që duan të rrinë në kontakt me kulturën shqiptare.

Shpresoj se në të ardhmen QBD-ja do të vazhdojë me botime letrare të përbashkëta nëpër vende te ndryshme.

Përkthimin i tregimeve të Kutelit e kam filluar duke lexuar baladat dhe këngët, vargjet mbi të cilat ai u mbështetet për të shkruar tregimet e tij. Pastaj kam lexuar edhe në frëngjisht autorë, si: Charles Perrault, Andersen ose vëllezërit Grimm.

Kështu jam munduar të kuptoj mënyrën si kane ndërtuar gjuhën, si kanë përdorur variacione, si kanë përpunuar ritmin etj.

Dua të them se më ka ndihmuar shume fakti qe ia kam lexuar tregimet vajzës dhe i kam ripërpunuar duke marrë parasysh edhe reagimet e saj, duke qenë se ajo është në moshë që lexon shumë përralla.”

Znj.Evelyne Noygues, është shqiptardashëse dhe promovuese e kulturës shqiptare në Francë. Ajo së bashku me Arben Selimin janë perkthyes te njerit prej 24 librave te fumetistit te famshem belg Hergé, te cilat kane si personazh kryesor reporterin Tintin./Voal

 

 

Read Previous

Fermeri 24 vjeçar dogji ish-mesuesen sepse nuk i rinovoi kontratën e qirasë së tokave

Read Next

Pamje trishtuese në kufirin Spanjë-Marok. Dhjetra të plagosur e kufoma e emigrantësh