Lajmi për një ‘spiun’ në presidencë/ Tedi Blushi: Është një ‘fake news’, raporti i SHISH si gazetë e Sigurimit të Shtetit

Tedi Blushi, zëdhënësi i presidentit Ilir Meta ka reaguar pas lajmeve për përfshirjen e një nëpunësi të Presidencës në veprimtari të paligjshme, bazuar në një raport të SHISH.

Blushi shkruan në llogarinë e tij në Facebook se lajmi është fake news, ndërsa raportin e SHISH e quan material promovues propagandistik që ngjason me revistën e Sigurimit të Shtetit ‘Në shërbim të popullit’.

Akuza të tilla në adresë të Presidencës, thekson Blushi bëhen me qëllim eklipsimin e aferës së inceneratorëve.
Reagimi

Nuk ka asgjë të vërtetë në përmbajtjen e një “fake news” që prej disa javësh riqarkullohet në media, për gjoja nënkuptimin e përfshirjes së një nëpunësi të Institucionit të Presidentit të Republikës në veprimtari të paligjshme, gjoja sipas një raporti të SHISH, që është veçse një material promovues propagandistik për aktivitetin e tij, ku nuk përmendet kurrkund Presidenca dhe që ngjason me Revistën e Sigurimit të Shtetit “Në shërbim të popullit”.

Sqarojmë opinionin publik se përpjekja e gazetarit E.Q për të ngritur një tymnajë mbi Institucionin e Presidentit të Republikës dhe vijimi i konsumimit të pretendimeve të ngjashme nga portalet më karagjoze në vend dhe më në mbrojtje të aferës së inceneratorëve, dëshmojnë për një mungesë të theksuar profesionalizmi dhe një tendencë bajate dashakeqe për disa klikime më shumë.

Të gjithë shqiptarët e dinë se ku punojnë spiunët dhe tradhëtarët e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar!

Read Previous

Kush më përfaqësoi mua në Bruksel?

Read Next

Me në fund dhëndri gjeti nuse! Po tani çfarë do të thotë?