Kush e ka radhën?

Nga Syri.net

Vetëm tre ditë pas zgjedhjeve lokale, Policia dhe IKMT i vunë i tritolin një hoteli në Dhërmi.

Nuk ishte vijimësi e punës së IKMT-së, ishte hakmarrje e Edi Ramës ndaj kundërshtarit. Pronari i hotelit ishte babai i komisionerit që numëroi kutinë nga ku Fredi Beleri doli fitues i garës për kreun e Bashkisë së Himarës.

Rasti tregon qartë përdorimin e instrumenteve shtetërore për qëllime të pushtetit të KM.

Gjatë fushatës elektorale ndodhi çudia në Shqipëri, zyrat e ALUIZNI-t në disa qytete të vendit punuan edhe ditë pushimi (e shtunë), rastet janë denoncuar nga SYRI.tv.

Kjo gjë ka ndodhur me hotelin në Dhërmi, gjatë fushatës institucionet vendore kanë marrë vendimin për legalizimin e objektit, atëherë kur apriori mendohej se pronari ishte votues potencial i pushtetit, dhe menjëherë kur një familjar i pronarit të hotelit është pozicionuar kundër pushtetit, ky i fundit nxjerr mjetet e rënda të asgjësimit të kundërshtarit. Pa respektuar as formalisht institucionet shtetërore dhe të drejtësisë, të cilat praktikisht i ka nën kontroll, Edi Rama nuk duron, nuk pret asnjë procedurë, dhe këtë padurim e ka; kur ka për të marrë hak dhe kur ka për të grabitur. Rasti në fjalë i përfshin të dyja.

Një nga cilësitë e shumta të KM tonë është edhe hakmarrja, cilësi të cilën e ka tepër primitive dhe me kosto shumë të lartë për xhepin e atyre që qeveris (taksapaguesit).

Hakmarrja e Ramës ndaj Beketit i ka kushtuar shqiptarëve miliona euro, ashtu siç pritet t’u kushtojë edhe hakmarrja ndaj dy pronarëve të tjerë mediash në vend, njëra e vënë nën sekuestro dhe tjetrës duke i shembur hotelin pa pritur vendim gjykate.

Pse është hakmarrje primitive?

Ndërkohë që një biznesmeni i heq sekuestron e pallatit të ndërtuar pa leje në mes të Tiranës vetëm pak ditë para ditës së zgjedhjeve, sepse ky biznesmen po investonte për fitoren e një kandidati të tij, pronarit të hotelit në Himarë i çon fadromën me arsyetimin e ndërtimit pa leje vetëm 3 ditë pas zgjedhjeve.

Pyetja që lind është: kush e ka radhën për t’u përballur me hakmarrjen e pushtetit?

Të shohim në ditët në vijim se kush e ka mërzitur më shumë udhëheqësin gjatë festivalit (fushatës) të fundit të tallavasë kombëtare.

Por mos u habisni që ai të hakmerret qoftë edhe ndaj dikujt që ky e ka ftuar për të kërcyer dhe nuk është ngritur, sepse është kaq primitiv dhe inatçor.

Read Previous

Hapen aplikimet për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet e Bashkisë së Tiranës, afati dhe dokumentacioni që duhet dorëzuar

Read Next

Shqetësimi i bodigardëve të regjimit…