Kur “për’puthen” drejtësia dhe pushteti

Pa(k) koment nga Kumtari!

Në Tiranë është shfaqur së fundi premiera e filmit të James Bond “S’ka kohë për të Vdekur”.

Kjo premierë është shfaqur edhe në vende të tjera të Evropës, edhe në Britaninë e Madhe.

Por cili është ndryshimi midis premierave ne Britani dhe asaj në Shqipëri?

Në Britani morën pjesë aktorë, artistë dhe personazhe të njohura për publikun, ashtu siç edhe ndodh në të tilla evente gala.

Ashtu ndodhi edhe në Shqipëri në fakt.

Morën pjesë “yjet” më të spikatur të skenës, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kreu i SPAK-ut, Kryetari i KQZ-s, Ministri i Brendshëm dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Dukej sikur të gjithë këta “yje” po futeshin në një seminar për të mësuar se si të luftohej krimi dhe korrupsioni, e prania edhe e trajnerëve ndërkombëtarë (ambasadorëve) e bënte këtë seminar edhe më ndjellës.

Në Britani, apo kudo në vende tjera të botës demokratike, personazhe të tilla si Prokurori i Përgjithshëm, ky i SPAK-ut (eksperiment shqiptar), Drejtori i Policisë së Shtetit, jo vetëm që nuk marrin pjesë në të tilla gosti publike me politikanët, por janë aq diskret si personazhe sa dalin apo nuk dalin në TV 2 ose 3 herë gjatë gjithë periudhës së tyre në detyrë.

Në një titull të më parshëm, ne të Kumtarit i quajtëm “elita e fshatit tonë”. Pse?

Sepse, ato personazhe nuk janë aktorë teatri apo filmash, kështu na duam ta besojmë.

Ata mbajnë funksione shumë të larta shtetërore dhe janë subjekte kontrolli “checks and balance” të njëri tjetrit.

Ndërkohë ne i shohim të qeshur, të veshur shtrenjtë, dhe të përulur ndaj politikanëve.

Një politikan dhe këta drejtues të institucioneve të drejtësisë mund të takohen me njeri-tjetrin në gjykatë maksimumi, minimumi secili vazhdon rrugën dhe punën e tij në detyrat përkatëse.

Çfarë bëjnë ata?

Mblidhen bashkë si një pari fshati që i gjen në çdo dasëm e aheng që organizohet në fshat, pa vrarë mendjen për asgjë tjetër. /kumtari.al/ 

Read Previous

Situata e COVID-19 në 24/h e fundit

Read Next

Trump Talebanëve: Na ktheni mjetet tona