Kur do të jetë raundi i parë për votimin e Presidentit? Konferenca e kryetarëve vendos sot, ja propozimi i socialistëve

Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet sot në orën 12:30, si vijim i mbledhjes për fillimin e procedurave dhe përcaktimin e datës së votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se Konferenca e kryetarëve do të vijojë mbledhjen e nisur më 4 maj për të vendosur datën kur parlamenti do të mblidhet për raundin e parë për zgjedhjen e presidentit.

“Partia Socialiste ka propozuar datën 16 maj për seancën e parë.
Deri atëherë palët do të kenë në dispozicion 6 ditë për negociatat e mundshme me njëra-tjetrën për gjetjen nëse do të jetë e mundur e një emri konsensual për kandidat për President.
Sipas platformës së Alibeaj, kandidati për President duhet të jetë së pari antikomunist. PS e ka refuzuar këtë platformë. Këto ditë palët do të konsultohen me njëra-tjetrën, mund të ketë negociata dhe pse jo dhe takime për një kompromis të mundshëm. Deri tani nga qëndrimet e palëve duket se do jetë e vështirë.
Në mbledhjen e konferencës së kryetarëve do të jetë z.Alibeaj, znj. Mesila Doda, mund të jetë z. Fatmir Mediu, z. Balla nga grupi i PS dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali”, raportoi Gjençaj.

A janë gati socialistët për emra?
“Komisioni i ngritur nga PS, negociues por edhe i filtrimit të gjithë emrave, i përbërë nga Balla, Gjiknuri dhe Spiropali po kalojnë në sitë emrat, por deri tani nuk kemi asnjë emër të publikuar si propozim, duke i mëshuar arritjes së një konsensusi për një figurë të gjithëpranueshme. Synohet një konsensus me opozitën për tre raundet e para. Nëse nuk do të ketë një konsensus politik, maxhoranca e ka bërë të qartë që do ta votojë e vetme kandidatin për President. Në raundin e katërt dhe të pestë mjaftojnë 71 vota për të zgjedhur Kreun e ardhshëm të shtetit.
Opozita ka të drejtën e saj të thotë fjalën e saj, sikurse dhe maxhoranca ka të drejtë për deklarata dhe retorikë politike”, tha gazetari Gjençaj.

Read Previous

Veseli deklarohet i pafajshëm në Hagë

Read Next

Ekzekutimi i Endri Mustafës, gjykata e Shkodrës dënon me 10 vite burg të miturin