Veseli deklarohet i pafajshëm në Hagë

Ish-kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli ka dalë para Gjykatës Speciale në seancën dëgjimore pas aktakuzës së re, të ndryshuar të cilën Prokuroria e Specializuar e dorëzoi në gjykatë më 29 prill.

Veseli fillimisht pohoi se e ka marrë aktakuzën e re, të ndryshuar, para se gjykatësi Nicolas Guillou të urdhëronte leximin e akuzave të reja.

Pasi gjykatësi tha se “nuk është momenti për t’i kundërshtuar” dhe e pyeti Veselin nëse i ka kuptuar akuzat e reja, ish-kryetari i PDK-së shprehu dëshirën që gjykimi të fillojë sa më shpejt. Pastaj, ai u deklarua i pafajshëm.
“Deklarohem i pafajshëm”, tha Veseli, pasi paraprakisht foli për procesin gjyqësor.

“Faleminderit Z. gjykatës. I kam lexuar. Vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt dhe ta kem të drejtën time ta shpreh pozitën time dhe pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe para këtij gjyqi të nderuar. Faleminderit shumë”, tha ish-kryeparlamentari.

Pasi gjykatësi lexoi të drejtat që i ofrohen, Veseli tha se do të kishte dashur që ato të mund t’i aplikonte.

“I nderuar Z. gjyqtar, ju falënderoj për të gjitha këto të drejta dhe kisha pas dëshirë që këto të drejta të cilat i përmendët të kem të drejtë në këtë gjykatë edhe t’i aplikoj”, tha ai.

Paraprakisht, në një seancë dëgjimore në Speciale u paraqit ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili u deklarua i pafajshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 29 prill e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë disa krime të pretenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.

Read Previous

Kush do të jetë Avokati i ri i Popullit?/ Ja kush janë 13 pretendentët që kanë paraqitur kandidaturat

Read Next

Kur do të jetë raundi i parë për votimin e Presidentit? Konferenca e kryetarëve vendos sot, ja propozimi i socialistëve