Kriza e PD simptomë e krizës së sistemit politik

Nga Altin Gjeta

“Partia Demokratike gjendet në momentin më kritik në historinë e saj 30-të vjeçare”. Kështu janë shprehur figura të rëndësishme brenda partisë dhe vëzhgues të jashtëm të jetës politike në Shqipëri. Në plan të parë burimi i krizës së PD-së gjendet tek humbja e zgjedhjeve të 25 prillit dhe shpallja persona non-grata nga Departamenti i Shtetit (DASH) të Sali Berishës, themeluesit dhe liderit që ka shënjuar historinë e partisë në opozitë dhe pushtet për më shumë se dy dekada.

Humbja e zgjedhjeve në krye të tetë viteve opozitë ishte një goditje fortë për PD-në dhe opozicionin shqiptarë në tërësi. Në terrenin parapolitik, parademokratik dhe parakapitalist ku operon Shqipëria prej tre dekadash shteti është shëndërruar në aktorin dhe burimin kryesor ekonomik në vend. Kësisoj, kush zotëron pushtetin akaparon shtetin dhe pjesën e luanit në ekonomi, edukim, shëndetësi, punësim, e kështu me rradhë. Fitorja e mandatit të tretë rradhazi nga Partia Socialiste (PS) e ka lënë PD-në jashtë këtij modus operandi.

Nga ana tjetër, përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar prishi status quo-në në parti. Lulzim Basha e ka legjitimuar qëndrimin e tij në krye të PD-së për tetë vite nga mbështetja herë e hapur, herë nën heshtjen dualiste të Berishës. Goditja e këtij të fundit nga DASH dhe mandej nga vetë Basha nxorri në pah marrëdhënien problematike mes tyre, e cila kishte lënë në hije dobësitë strukturore të partisë dhe gabimet e njëpasnjëshme si përjashtimi i figurave me peshë në 2017, dalja nga sistemi politik, shkëputja e lidershipit të Bashës nga antarësia dhe elita intelektuale rreth PD-së, si dhe mbajtja e proceseve të brendshme zgjedhore fasadë.

Megjithatë, përpjekja për ta lokalizuar këtë krizë vetëm tek dera e PD-së është e gabuar dhe nuk merr në konsideratë strukturën dhe realitetet politike ku ajo operon. E vërteta është se PD-ja po manifeston një pjesë të krizës së sistemit politik, sepse në këtë çast ajo duket se është hallka më e dobët e zingjirit të ndryshkur politik të Shqipërisë post-komuniste.

Gjatë këtyre viteve Shqipëria nuk ia ka dalë në asnjë moment të instalojë një sistem demokratik funksional. Para së gjithash elita politike post-komuniste ka dështuar me vetëdije të ndërtojë një sistem drejtësie të pavarur dhe profesional. Shteti i së drejtës është mekanizmi kryesor që garanton jo vetëm mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individit në një shoqëri demokratike, por bën të mundur balancimin e pushteteve, kontrollon dhe mban përgjegjës abuzuesit me pushtetin. Kështu, drejtësia shërben si një valvul sigurie që kanalizon tensionet sociale dhe politike duke garantuar qarkullimin e elitave dhe qeverisje më të përgjegjshme.

Në mungesë të shtetit të së drejtës, institucioni i zgjedhjeve mund të shërbente si mekanizëm kontrolli dhe rregullatori të pushtetit dhe jetës së brendshme të partive politike. Mirëpo, zgjedhjet në Shqipëri janë minuar në çdo qelizë dhe nivel. Gjetjet e raportit të fundit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 25 prillit, si përdorimi burimeve shtetërore nga PS-ja për fushatë, blerja masive e votës dhe patronazhimi i votuesve janë vetëm maja e ajsbergut në detin e madh të manipulimit kirurgjikal të vullnetit të zgjedhësve.

Kontestimi i zgjedhjeve iu ka dhënë alibi kryetarëve të ruajnë pozitat e tyre brenda partive politike duke përdorur pothuajse të njëjtat metoda që përdor partia në pushtet. Kjo ka minuar besimin e qytetarëve tek politika, ka bunkerizuar partitë politike duke i shëndërruar në institucione politike ekskluzive. Sipas studiuesve Acemoglu dhe Robinson arsyeja themelore pse kombet dështojnë qëndron në faktin se ato krijojnë institucione politike dhe ekonomike të mbyllura. Ky model sipas tyre prodhon mjerim social dhe ekonomik, si dhe deprivon qytetarët nga liritë dhe të drejtat themelore. Në sistemet e mbyllura politike burimet ekonomike kontrollohen dhe vendosen në funksion mbajtjes në pushtet dhe pasurimit të një grushti njerëzish në kurriz të shumicës së lënë jashtë.

Në rrethanat ku ndodhemi, gjasat që Shqipëria të ndërtojë një sistem drejtësie funksional dhe të pavarur në një kohë afatshkurtër janë të pakta. Prandaj, mekanizmi i vetëm që mund të hapë sistemin politik janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme në nivel brendapartiak dhe politik. Pa kaluar në këtë shteg, Shqipëria do vijojë të prodhojë kriza ciklike me pasoja shkatërrimtare për vendin. Kriza që ka mbërthyer PD-në sot është veçse një nga simpotmat e kalbjes së të gjithë sistemit politik post-komunist. Pa garantuar mekanizmin e votes dhe garës së vërtetë nuk ka rrugëdalje nga dara e autokracisë as për PD-në as për vendin.

Read Previous

Ibrahimoviç: Falë atyre këmbëve ne hamë…

Read Next

“Populli”