Kandidati për kryeministër në Bullgari: Do t’ju çoj në hapësirë, do shikojmë yjet

Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme në Bullgari dhe premtimet e para të atij që konsiderohej si rivali i Bojko Borisov kanë zhgënjyer votuesit, që do të qeverisen nga dy alternativa; e para nga Borisov që akuzohet për ngritjen e një sistemi korruptiv dhe e dyta nga Slavi Trifonov, që po quhet një ‘aventurier politik’.

Borisov dhe Trifonov janë në rezultat të ngushtë në këtë garë, ndërsa për vetë qytetarët pak rëndësi duket se ka. Shumë prej tyre ndjehen të papërfaqësuar dhe këtë e konfirmoi edhe pjesëmarrja e ulët në zgjedhje.

Për t’i vënë kapakun mosbesimit, rivali i Borisov prezantoi kabinetin qeveritar me ekspertë dhe premtoi se do t’i çojë bullgarët në hapësirë.

 

“Do të anëtarësoj Bullgarinë në Agjencinë Europiane Hapësinore. Do të bëj gjithçka për të dërguar një burrë dhe një grua bullgare në NASA. Do bëj gjithçka që është e mundur që edhe një astronaut nga Maqedonia e Veriut t’u bashkohet atyre. Do fillojmë të shikojmë yjet”, tha Trifonov.

Deklaratat e tij janë interpretuar si provokim në Shkup. Sipas Radio Europa e Lirë me këto mesazhe ai është i pabesueshëm dhe i vështirë për të biseduar heqjen e vetos për negociatat.

Kjo deklaratë është parë si provokim i rëndë në Shkup, por edhe si mesazh se vështirë që të bisedohet me të për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.

Diplomatë dhe ish-diplomatë maqedonas thonë po ashtu, se me klasën politike aktuale bullgare vështirë se do të hiqen paragjykimet që kanë ata për Maqedoninë e Veriut dhe historinë e saj.

“Çfarëdo qeverie që mund të formohet vështirë se do të mund të eliminojë paragjykimet e doktrinës dhe konceptit bullgar se vetëm Bullgaria është ajo që duhet të zgjidhë të ashtuquajturën çështje maqedonase, apo se vetëm ajo duhet të vendosë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut”, thotë Marjan Gjorçev, ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në Sofje. /Tema/

Read Previous

2 miliardë dollarë investim për portin e Durrësit? Kompania nuk është as arabe, rrënjët i ka në ishujt Kejmen

Read Next

Kontrolli teknik i automjeteve nga privati te shteti: Shërbimi është rritur, toleranca ndaj defekteve është ulur!