Garanci Sovrane abuzive? Në aferën e inceneratorëve shfaqet Anila Denaj (Dokumente)

Afera e inceneratorëve përfshin në rrokullimën e saj edhe Ministrinë e Financave, në kohën kur drejtohej nga Anila Denaj.

Ky institucion, deri më tani, dukej se ka pasur një rol të pasiv në këtë skandal, të kufizuar vetëm në lëvrimin e faturave të urdhëruara nga Ministria e Infrastrukturës për kompaninë koncensionare të landfilleve.

Por, roli i saj aktiv në favorizimin e kompanive koncensionare të landfillëve ka nisur në vitin 2020, kur rreth 80 përqind të jetës ekonomike të vendit ishte paralizuar për shkak të pandemisë Covid-19.

Në maj të atij viti, kompania “Integrated Energy BV” që menaxhon landfillin e Sharrës dhe “Integrated Technology Waste Treatment” (ITWT), e cila menaxhon koncesionin e landfillit të Fierit, kanë përfituar hua me kushte lehtësuese dhe garanci shtetërore, nëpërmjet skemës së “Garancisë Sovrane”, megjithëse ato nuk ishin në vështirësi financiare.

Në foto: Kontrata e Huasë sipas skemës së “Garancisë Sovrane” e kompanisë koncesionare të landfillit të Fierit, “Integrated Technology Waste Treatment”

Të dy kompanitë kanë fituar kontrata koncensionare me qeveria shqiptare për ndërtimin e landfill + incenerator dhe pagesat për shërbimin janë ofruar pandërprerë nga autoriteti kontraktor, Ministria e Infrastrukturës.

Skandali i Garancisë Sovrane

Zyrtarë të lartë të “Partisë së Lirisë” denoncuan në fillim të kësaj jave faktin se kompanitë të lidhura me biznesmenin në kërkim, Klodian Zoto, kanë përfituar dhjetra milionë lekë nga “Garancia Sovrane” qeveritare, e miratuar për të mbështetur bizneset private të pezulluara gjatë pandemisë Covid-19.

“Boldnews.al” ka siguruar kontrata e huasë, të nënshkruara ndërmjet kompanive private dhe një banke të nivelit të dytë.

Në 22 Maj 2020, koncensionari i landfillit të Fierit nënshkruan një kontratë huaje me një bankë në Durrës, për financimin e një vlerë 7.2 milionë lekë të reja, me qëllim kryerjen e pagesave për punonjësit.

Kontrata e huasë mbështetet në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 227, datë 06.04.2020 “Për miratimin e garancisë shtetërore të huasë, me bankat e nivelit të dytë, për pagat e tregtarëve dhe shoqërive tregtare, aktiviteti i të cilave është prekur nga vendimet e Këshillit të Ministrave për menaxhimin e pandemisë Covid-19”.

Në foto: Kompania koncesionare “ITWT” merr hua me Garanci Sovrane shumën prej 7.2 mln lekë të reja për pagesat e punëtorëve

Dy muaj më herët, në Mars 2020, qeveria miratoi planin e masave për sigurinë ndaj virusit Sars-Cov-2, duke urdhëruar pezullimin e përkohshëm të pjesës më të madhe të aktivitetit ekonomik në vend.

Për shkak të situatës, Qeveria miratoi “Garancinë Sovrane”, një fond prej 15 miliardë lekë të reja, të cilat do të viheshin në dispozicion të kompanive private, për të likujduar pagesat e punonjësve që detyroheshin të qëndronin në shtëpi.

Qeveria ngarkoi Ministrinë e Financave që, në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë, të vendosnin për miratimin ose jo të huasë nëpërmjet “Garancisë Sovrane” për llogari të kompanive private.

Këto të fundit duhet të plotësonin disa kritere dhe, natyrisht, edhe të dëshmonin se nuk kishin aftësi paguese për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Sipas dokumentave të siguruar nga “Boldnews.al”, nga fondi i “Garancisë Sovrane” ka përfituar edhe kompania koncensionare e inceneratorit të Fierit, “ITWT”, në pronësi 70 përqind të biznesmenit Zoto.

Miratimi i huasë me kushte lehtësuese për këtë kompani ngre dyshime se ajo është favorizuar pa të drejtë nga Ministria e Financave.

Zoto ishte paguar rregullisht

“Boldnews.al” ka raportuar më herët se Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, autorizoi në Tetor 2020 drejtorin e asaj kohe të Agjencisë Kombëtare të Mbetjeve (AKUM), Alqi Bllakon, që të nënshkruante marrëveshjen e shtyrjes së punimeve për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, me argumentin e vonesave për shkak të pandemisë Covid-19.

Në foto: Autorizimi i Belinda Ballukut për Alqi Bllakon

Kompania “Integrated Technology Waste Treatment Fier” kishte nënshkruar në vitin 2017 kontratën koncensionare me qeverinë shqiptare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Fierit.

Sipas kontratës, kompania private do të kryente punimet me të financat e saj dhe do të paguhej me këste mujore nga Ministria e Infrastrukturës, bazuar në situacionet e punimeve.

Kontrata parashikonte gjithashtu se vepra publike duhej të përfundonte në Tetor të vitit 2019 dhe kompania do të siguronte të ardhura nga shitja e energjisë së prodhuar nga incenerimi i mbeturinave për 7 vjet.

Në përfundim të afatit fillestar, kompania e Zotos nuk kishte arritur të kryente punimet dhe kërkoi shtyrje deri në Mars 2020.

Në këtë periudhë, aktiviteti ekonomik kombëtar u pezullua dhe kompania koncensionare kërkoi sërish shtyrje të afatit të punimeve, i cili u miratua deri në Mars 2021.

Në kërkesën e kompanisë për shtyrjen e dytë të afatit qëndronte argumenti i bllokimit të punimeve për shkak të pandemisë.

Por, të dhënat zyrtare të Thesarit të Shtetit treguan se kompania private, megjithëse deklaroi se kishte ndërprerë punimet, ishte paguar rregullisht nga Ministria e Infrastrukturës edhe për periudhën Mars-Maj 2020, kur pretendohej që nuk kishte kryer aktivitet.

Në 7 Tetor 2020, Ministria e Financave lejoi urdhër-pagesën e Ministrisë së Infrastrukturës për llogari të ‘Integrated Technogy Waste Treatment Fier”, në vlerën 218.500.000 lekë të reja.

Kjo pagesë është shoqëruar me shënimin “pagesë incenerator Fier, situacion progresiv për periudhat mars, prill, maj 2020”.

Në foto: Pagesat e Thesarit për koncensionarin e landfillit të Fierit, për periudhën Mars-Maj 2020

Kjo faturë, nën dyshime si fiktive, vendos në pikëpyetje rolin e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Megjithatë, pagesat e pandërprera për koncesionarin e Zotos në Fier ngrenë dyshime edhe për rolin e Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, e cila ka miratuar “Garancinë Sovrane” për koncesionarin e Fierit.

Të dhënat e Thesarit të Shtetit, degë e Ministrisë së Financave, dëshmojnë se kompania “ITWS” është paguar rregullisht nga Ministria e Infrastrukturës edhe për periudhën e “pezullimit për shkak të Covid-19”.

Pra, kompania nuk ka qenë në vështirësi financiare, pasi pagesat ndaj saj nuk janë ndërprerë asnjëherë./Boldnews.al

Read Previous

Vrasja e Madrit Ulqinakut jo rastësisht, dyshimet qe fshihen pas vrasjes afer stadiumit “Elbasan Arena”

Read Next

Greqia çlirohet nga monitorimi ekonomik i BE/ Kryeministri: Ditë historike