Fetë në dialog – dhe së bashku kundër Coronës

Nga Christoph Strack

59402850_507.jpg

Fetë janë shkaku i konflikteve. Organizata “Religions for peace” lufton kundër këtij fenomeni. Angazhimi i grave është mjaft i dukshëm. Tani përfaqësues nga e gjithë bota takohen në Gjermani për të dialoguar.   

“Nuk ka mizori,” thotë Alice Wairimu Nderitu, “që të mos paraprihet nga gjuha e urrejtjes. Le të veprojmë së bashku kundër gjuhës së urrejtjes.” Keniania është këshilltare speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për evitimin e gjenocidit. Ajo flet në  hapjen e një konference botërore katërditore të “Religions for Peace” në Lindau në Bodensee. Dhe qëndron aty për disa ditë për të zhvilluar takime. Kur bëhet fjalë për fenë, nuk mund të “imagjinoni një partner më të mirë” se këtë organizatë, thotë ajo.

Gjuha e vendosur e kenianes së re sqaron shumë gjëra. Nga njëra anë: feja është shpesh edhe shkak i konfliktit dhe dhunës. Gjuha e urrejtjes ka shpesh ngarkesë fetare. Nga ana tjetër: Kushdo që kërkon njerëz të feve të ndryshme, të gatshëm dhe të aftë për të dialoguar, herët a vonë do të përfundojë te “Religions of Peace” (RfP).

59401305_507.jpg

Keniana Alice Wairimu Nderitu në fjalën e hapjes

Në dialog me njëri-tjetrin

Shoqata me seli në Nju Jork, e themeluar para 60 vjetësh, mbahet si organizata më e madhe ndërfetare joqeveritare në botë me lidhje në rreth 70 vende. Synimi i saj është të promovojë paqen përmes dialogut ndërfetar. Me mbështetjen e qeverisë gjermane që nga viti 2019 ajo organizon një herë në vit një konferencë të madhe në Lindau në Bodensee, qytet, i cili prej dekadash ka fituar reputacion për dialogjet e nivelit të lartë të fituesve të Çmimit Nobel.

Në këtë takim të parë me temën “Feja dhe diplomacia” morën pjesë rreth 900 delegatë nga 60 vende nga të gjitha rajonet dhe fetë e botës. Me rastin e hapjes foli presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier. Një konferencë tjetër me temën “Gratë, besimi dhe diplomacia” u zhvillua vetëm virtualisht nga Lindau në vjeshtën e vitit 2020, për shkak të koronës. Kancelarja Angela Merkel ishte një nga referueset. Ministri i Jashtëm Heiko Maas, ministria e të cilit ofron mbështetjen financiare dhe ka edhe një departament të veçantë për këtë temë, nuk ka mundur të vizitojë asnjë nga tre takimet. 

Në lidhje direkte me 90 vende

Deri të enjten (07.10) do të ketë një “konferencë hibride”. Rreth 150 vetë ndodhen në Lindau, rreth 900 të tjerë nga 90 vende janë në lidhje të drejtpërdrejtë. Disa, si Alice Wairimu Nderitu apo Hindi Vinu Aram nga India, ishin në hapje në sallën e kongresit, të tjerët – nga Japonia, Abu Dhabi apo edhe nga Augsburgu u lidhën direkt.

Një gjë bie në sy gjatë bisedës me pjesëmarrës. Ndërsa në Gjermani dhe Evropën Qendrore njeriu shpesh ka përshtypjen se pandemia e koronës po humbet fuqinë, të tjerët ende luftojnë me të. “Ne ndodhemi në mes të pandemisë”, thotë indiania Vinu Aram, drejtore e Shanti Ashram. Këto fjalë i dëgjon shpesh nga delegatët nga Azia ose Afrika. Dhe sekretarja e përgjithshme e “Religions of Peace”, që u zgjodh në këtë detyrë në Lindau në 2019, egjiptiania Azza Karam, e cila ka punuar për 20 vjet në organizatat ndërkombëtarë në Nju Jork, theksoi: “Askush nuk është i sigurt, pa qenë të gjithë të sigurtë”.

Qysh në vitin 2019 u bë një përpjekje (dhe jo mjaft e arritur) që një e treta e pjesëmarrësve të ishin nën 30 vjeç. Në 2021 kjo u arrit edhe për shkakun se “Rinia” është një temë. Tema kryesore këtë herë është “Brezat në dialog”. Temat e planifikuara janë “Paqja dhe siguria”, “Mbrojtja e mjedisit” dhe “Puna humanitare”. Ndonjë aspekt trajtohet edhe pas dyerve të mbyllura, në një hapësirë të mbrojtur. Kështu në fund të konferencës në vitin 2019 rreth 15 përfaqësues të shumë feve nga Mianmari u ngjitën në skenën e sallës së Kongresit në Lindau dhe folën për një dialog të mirë, të vështirë dhe planifikimin e projekteve të përbashkëta. Që vendi do të merrte pastaj në mënyrë dramatike një drejtim tjetër nuk e mendonte askush atëherë.

59401686_507.jpg

Imazh nga takimi i vitit 2019, kur salla ishte plot, aktualisht për shkak të kufizimeve prej pandemisë pjesëmarrja është e kufizuar

Korona rrit nevojat

Diskutime të tilla dhe puna për krijimin e besimit janë një pikërendesë e punës së “Religions for Peace”, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Por edhe kjo ka ndryshuar për shkak të pandemisë korona dhe mungesës së furnizimeve mjekësore në shumë pjesë të botës. Renz Argao, katolik nga Filipinet, është koordinatori i Komitetit Rinor Ndërkombëtar të RfP. Menjëherë pas shpërthimit të pandemisë korona, grupet e të rinjve të RfP në vendin e tij u përpoqën të ndihmonin njerëzit më në nevojë me ndihma materiale si artikuj higjienikë, ilaçe apo edhe ushqim. Kur e dëgjon të flasë plot gjallëri të riun Argao, nuk e kupton që ai sapo ka marrë doktoraturën dhe punon si psikolog klinik. Nëse një ndihmë e tillë është dhënë në baza ndërfetare, siç parashikon RfP, grupeve u jepet ndihmë financiare nga organizata. Si rrjedhojë u bënë pagesa në 21 vende.

Edhe Greta e Ugandës e pranishme

Në fokus këto ditë në Lindau është edhe angazhimi kundër ndryshimit të klimës. Për këtë kontribuon edhe aktivistja e „Fridays for Future” nga Uganda, Vanessa Nakate, një lloj Grete Thunberg e vendit të saj. Si e krishterë ajo angazhohet për mbrojtjen e mjedisit nga respekti për botën e krijuar nga Zoti. Nakate është edhe më e re se kryetarja e Sinodit të Kishës Protestante në Gjermani, Anna-Nicole Heinrich (25), e cila foli gjithashtu në hapje duke përmendur sfidën e ndryshimit të klimës. Roli i grave të angazhuara në shoqëri është i dukshëm në RFP. Dhe është edhe më i dukshëm, kur ke ndërmend imazhin e zakonshëm të fesë në Evropë. /DW/ 

Read Previous

Shqipëria shpall emergjencë të furnizimit me energji elektrike

Read Next

Në valën e rritjes së çmimeve përfshihet edhe transporti publik