Dopamina, neurotejçuesi i kënaqësisë

Nga Selim Kurti
____________________
Çfarë mund ta lidhë sëmundjen e Parkinsonit me varësinë ndaj drogës?
Çfarë i lidh këto vetë me atë që hamë ose mënyrën se si mësojmë?
Përgjigje: Dopamina.

Dopamina është substancë kimike e grupit të neurotejçuesve që prodhohet nga qeliza nervore (neurone) të caktuara dhe, duke vepruar si lajmëtare kimike, vendos komunikimin midis tyre.

Dy janë qendrat trunore në të cilat prodhohet dopamina: në “substantia nigra” dhe në ”area tegmentalis ventralis” (VTA), që gjenden në trurin e mesëm (mezencefal).
Keto qendra janë të vogla në përmasa, por dopamina e tyre udhëton gjithandej në qelizat e trurit.

Dopamina e ”substantia nigra”-s na ndihmon të fillojmë lëvizjet dhe të folurit. Kur qelizat e kësaj qendre fillojnë e vdesin, ne vuajmë stërmundimin e fillimit të një lëvizjeje. Ajo që pason është dridhja, si një nga simptomat e zakonshme të Parkinsonit.

Ndërsa dopamina e prodhuar nga “area tegmentalis ventralis” shpërndahet nëpër tru, kur ne (kafshët në përgjithësi) presim ose marrim një shpërblim: një këngë e bukur, kompliment, çmim vlerësimi apo një gatim për të lënë thonjtë.
Kjo dopaminë e grish trurin ta përjetojë sa më gjatë gjendjen e kënaqësisë.

Dopamina ndihmon përforcimin, duke e nxitur organizmin ta përsërisë një sjellje në vazhdimësi.
Ajo përcakton edhe humorin tonë, sepse diçka shpërblyese na jep ndjesinë e rehatisë shpirtërore, kurse ulja e përqëndrimit të dopaminës sjell humbjen e kënaqësisë nga të ngrënët e të pirët.

Dopamina na ngre edhe një kurth të rrezikshëm: kur pimë duhan (nikotinë) e droga të forta (kokainë, heroinë), nivelet e saj rriten ndjeshëm.
Euforia që përjetojnë përdoruesit, vjen edhe për shkak të dopaminës.
Kjo i shtyn ata ta kërkojnë e ta riprovojnë drogën për të përsëritur efektet e pëlqyeshme dhe kënaqësinë, por duke sjellë ndërkohë varësinë e dhimbshme.

Read Previous

Gjithçka që asht e vjedhun, duhet ti këthehet Kosovës!

Read Next

Rrëzohet Kirill gjatë shërbesës fetare