Di Lana në Boston

nga Naum Mara

Ministri i Mbrojtjes dhe Kryetari(de fakto) i Bashkisë së Korçës, që në Perëndim njihet si Nicolo Di Lana përfundoi mesukses një vizitë në një nga trojet e ardhshëm shqiptare, Boston Mass. Pas takimeve në Harvard dhe MIT, që kishin si qëllim “thithjen e trurit amerikan” në Shqipëri dhe rekrutimit të disa dyzinave me studentë, ai zhvilloi një takim shumë të rëndësishëm në Fondacionin e të maturuarve “Vatra”. Pas përqafimeve kokë më kokë dhe urimeve “Març nga ditët tona!”, fjalën e mori vetë Di Lana:

“Nuk mund të them sa i gëzuar jam që jam mes jush dhe sa kam dashur të vija më parë…Po pse nuk ke ardhur do thoni ju. punët e partisë dhe shtetit nuk më kanë lejuar, por ju premtoj që do vi sërish, sa të mbyllet lufta në Ukrainë dhe zgjedhjet vendore. Këtu, tek ju, vazhduesit e punës së Nolit, Konicës dhe grave të tyre unë shoh si mbahet gjallë ndjenja kombëtare…”

Më pas, duke theksuar rolin e të maturuarve në jetën shqiptare, ai shpjegoi rrezikun që vjen nga rusët dhe duke qënë se në brezat e rinj nuk ka nga ata që njohin rusishten kërkoi nga pjesëmarrësit e “Vatrës”, të cilët kanë bërë rusisht në shkollë, t’i bashkohen kundërzbulimit ushtarak shqiptar për të parandaluar një sulm të mundshëm të Putinit dhe bandës së tij. Kjo thirrje ngjalli një dyzim mes të maturuarve, por kur Ministri përmendi përfitimet e mëdha vetiake dhe kombëtare deri në funeral në shtrattopi, një ish-oficer shprehu gatishmërinë për të rifilluar menjëherë trainimin si agjent antirus. Eshtë vetëm 78 vjeç. Nuk është gjë e vogël varrimi me shtrat topi!

Më pas. meqë shumica e ‘vatristave” janë nga Korça, Di Lana foli rreth zgjedhjeve të ardhme vendore dhe rëndësinë e tyre për çështjen e partisë, popullit dhe kapitalizmit.

“Ne duhet të hedhim poshtë të gjitha insinuatat se gjoja Raqka është i korruptuar dhe nuk punon për interesin e Korçës. Ndaj ju ftoj të gjithëve të vini në Korçë për t’ju treguar të afërmve tuaj ndryshimet që shihni në këto 15 vjet, që kur u bëra unë kryetar. Ne do ju paguajmë gjysmën e biletës dhe do kini falas një tur në kopështin, japonez, vizitë në kompleksi Belvederja dhe ngjitje në Kullën Panoramike për ata, që nuk ju merren mendtë.”

Por “ëmbëlsira” e takimit ishte në fund, kur duke ju bërë thirrje të ktheheshin në Korçë nën sloganin “Korça, qyteti ku dua të prehem”, Di Lana i njoftoi se Bashkia ka nisur një program shumë modern për të kuruar të moshuarit me sëmundje të rënda. Mban emrin kuptimplotë “Ilaçet nuk më bëjnë gjë, s’më shërojnë plagëtë!.” Pranë Bashkisë është ngritur një grup shkencor me ushqimoristë (nutritionists), specilaistë të farmaceutikës dhe artistë, që po eksperimentojnë kurimin e sëmundjeve nëpërmjet kulturës dhe veçanërisht këngëve korçare. Po arrihet që me të kënduarit e serenatave tre herë në ditë pas buke, disa të moshuar kanë parë shënja të ndalimit të përparimit të sëmundjes dhekanë reduktuar ilaçet. “Dhe pastaj kur nuk ju bëjnë efekt këngët ju këndon Papa Spiroja trisainë?”– u hodh një ish-llogaritare hokatare, koment që nuk u prit mirë nga Ministri, Ai këmbënguli që ka dy raste, që ju është hequr perdja e syve dy të moshuarave, pasi grupi i “4 Vaskave” ju ka kënduar për dhjetë ditë rrjesht këngën “Syçkat si ato të tuat!”

Në fund të takimit, isntruktorja e “vatrës”, Brunilda Sota e përshëndeti Ministrin me këngën:

“Ja ti je veshur ushtarak,

Ngrite grushtin shpejt

Dhe përshëndetjes ju përgjigje

Me qëndrimin drejt”

Mes këngës, entusiazmit dhe thirrjeve “Me Peleshin dhe Partinë, Amerikën do arrimë!” u

mbyll një nga takimet më mbresëlënëse të këtij dimri në Boston.

Read Previous

Në mbretërinë e Princit të Vogël

Read Next

Kiko merr në mbrojtje personazhet VIP.