Deklaratat e Ramës për SPAK/ Ambasadorja Kim: Reforma në drejtësi do të jetë e suksesshme kur të mos ketë politikanë që kërkojnë ndjekje penale për emra specifikë

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim i është përgjigjur edhe njëherë deklaratave të kryeministrit Rama për SPAK. Në një intervistë për emisionin “Open”, Kim thotë se reforma në drejtësi do të quhet e suksesshme kur të mos shohim politikanë në pushtet ose jo që të bëjnë thirrje për ndjekje penale për individë të caktuar.

Sipas ambasadores, SHBA nuk do të shohë përmendjen e emrave specifikë, por ngritjen e një sistemi që ka vullnetin e saj dhe aftësinë për të zbatuar ligjin njësoj për të gjithë.

Eni Vasili: E kuptoj dhe meqenëse jemi këtu tek reforma në drejtësi, dhe sigurisht, pritshmëria e qytetarëve Shqiptarë, edhe për faktin se ajo është mbështetur shumë nga ju, ka vërtetë pritshmëri shumë të mëdha, le të ndalojmë. Kryeministri Rama ditët e fundit ka bërë disa deklarata, akuza le t’i quajmë, kritika të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar që të hetojnë kundërshtarët politikë, Berisha dhe Meta. Çfarë do ta konsideronit ju këtë, një shkundje ekstreme, të justifikuar, apo ka diçka që nuk shkon tek ndarja e pushteteve, një shkelje nëse mund ta quajmë të tillë?

Ambasadorja Kim: Fola për këtë pak ditë më parë, kur Ministri i Drejtësisë përsëriti atë që kishte thënë Kryeministri. Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është se kur shohim reformën në drejtësi, do ta dimë se vërtet ka pasur sukses kur të mos quhet më normale apo me vend që udhëheqësit politikë, qofshin në pushtet apo larg pushtetit, por sidomos nëse janë në pushtet, të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të individëve specifikë. Ajo që duam të shohim nuk është përmendja e emrave specifikë, por një sistem drejtësie të ngritur dhe institucione që kanë si vullnetin ashtu edhe aftësinë për të zbatuar ligjin, barabar, për këdo, në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin. Ligji të aplikohet barabar. Ndaj, pres me kënaqësi ditën kur mund ta kemi këtë besim tek sistemi i drejtësisë i Shqipërisë, tek prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë.

Read Previous

Jehonë në Ballkan/ “Parlamenti shqiptar refuzoi të dënojë masakrën e Srebrenicës”

Read Next

Yuri Kim i përgjigjet Ramës pas kërcënimeve të tij ndaj SPAK