Çuçi bën sikur nuk dëgjon thirrjen qytetare për dorëheqje, përgëzon policinë për drogën e kapur në Vlorë

Teksa sonte në mbrëmje do të mbahet protesta e dytë e mbështetur nga opozita për largimin e Bledi Çuçit, Mirela Kumbaros dhe Gledis Nanos, Ministri i Brendshëm, ka reaguar pas njoftimit të policisë për goditjen e një rasti të trafikut të drogës në drejtim të Italisë, ku në afërsi të Karaburunit u sekuestruan 992 kg kanabis dhe u arrestuan 3 skafistë nga Vlora dhe 2 shtetas ukrainas. Çuçi shpërfill protestën ashtu sic bëri edhe në reagimin e tij të parë ndërsa komplimenton policinë për operacionin në Vlorë.

“Operacioni i sotëm ndërkombëtar në Vlorë mes Policisë së Shtetit dhe Guardia Di Finanza për goditjen e një grupi të trafikut të drogës me mjete lundruese dhe sekuestrimin e një rreth 1 ton marijuanë, është një tjetër dëshmi domethënëse e profesionalizmit dhe forcës goditëse pa asnjë kompromis kundër krimit të organizuar”, shprehet Çuçi.

Në vijim, ministri përgëzon të gjithë efektivët që u bënë pjesë e operacionit, duke theksuar se kjo luftë do të vazhdojë.

“Përgëzime të gjithë oficerëve shqiptarë e italianë që morën pjesë në këtë operacion të mirëkoordinuar nga ajri, deti dhe toka. Qëndrojmë frontalisht të vendosur për të vijuar luftën e vazhdueshme me të keqen, me bindjen se vetëm në këtë mënyrë krijojmë siguri për shoqërinë dhe garantojmë të ardhmen tonë”, shprehet ai.

 

Read Previous

Rritja e çmimeve për shportën e ushqimeve dhe karburantin vazhdon edhe në korrik, inflacioni arrin në 7.5% dhe thyen rekordin e 20 viteve

Read Next

Zjarret/ Peleshi thirrje banorëve të evakuohen në rast nevoje