Berisha: Kërkesat e komunitetit LGBT+ kërcënojnë familjet shqiptare

Sali Berisha ka bërë të ditur qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike të drejtuar prej tij, duke e shpallur komunitetin LGBT+ dhe kërkesat e tyre për njohje ligjore, si “rrezik” për familjet shqiptare. 

Berisha mbajti një tryezë, ku deklaroi se familja tradicionale rrezikohet nga “një rrymë e cila dekonfiguron familjen dhe shndërron prindërit në numra”.

Edhe për këtë çështje, ashtu si për shpalljen e tij non-grata nga SHBA-të për shkak të korrupsionit domethënës dhe minimit të demokracisë, Berisha fajëson George Sorosin, për të cilin thotë se po përdor “miliarda” për të “imponuar koncepte të ekstremit të majtë”.

Në Shqipëri ka patur debate të shumta, pas kërkesave të organizatave LGBT+ për njohje ligjore të marrëdhënieve mes personave të së njëjtës gjini. Partia Demokratike, dikur e drejtuar nga Lulzim Basha, ka qenë kundër martesave gay, por Berisha e ka çuar retorikën si kreu i kësaj force politike, në një tjetër nivel, duke i konsideruar kërkesat e komunitetit LGBT+ si kërcënim ndaj familjes.

Pas shpalljes non-grata nga SHBA-të dhe së fundmi edhe nga Mbretëria e Bashkuar, Berisha e ka pozicionuar veten si konservator dhe PD ka përqafuar qëndrimet e tij. Ai shpesh ka lavdëruar liderin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili ka një qëndrim anti Soros dhe anti LGBT+, që e ka çuar shpesh në përplasje me Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, socialistët me në krye Edi Ramën, nuk kanë qëndrim zyrtar për këtë çështje.

Deklarta e Berishës: 

“Nuk mund të mohoj dhe duhet të jemi të vetëdijshëm se përballen dy rryma, në Shqipëri dhe në botë. Një rrymë e cila tejkalon familjen dhe vlerat e saj, një rrymë e cila dekonfiguron familjen dhe shndërron prindërit në numra dhe sigurisht një shumicë tjetër e cila beson në vlerat familjare.

Problemi është edhe më dramatik, sepse kjo rrymë që tejkalon familjen dhe vlerat e saj, apo i refuzon ato, i shmang, kjo rrymë kërkon të imponohet politikisht, sociologjikisht, të imponohet në forma të ndryshme.

Nuk mund të mos theksoj se në krye të kësaj rryme qëndron George Soros. Po përse qëndron Soros? Dy arsye janë. E para, është multimiliarderi, i cili investon më shumë, tejkalon të gjithë donacionet. Ai përdor miliarda të cilat i ka kryekëput frut të spekulimit.

Ai përdor miliardat për të imponuar koncepte, që cfarë janë absolutisht koncepte të ekstremit të majtë.

E gjykoj se mbrojtja e familjes dhe vlerave të saj, mbrojtje e gjithëanshme, është një imperativë, është një domosdoshmëri dhe ne si forcë konservatore, e kemi patur dhe do ta kemi si vlerën më themelore të shoqërisë.

Ndaj, unë nuk po zgjatem, por kam ardhur të dëgjoj mendimet dhe pikëpamjet tuaja, për familjen në rrezik, për dramën që përjeton sot shoqëria shqiptare”.

Read Previous

Vrasja në Himarë/ Familja nga Tropoja ishte kthyer nga Anglia për pushime, pushuesit përplasen me drejtuesin e skafit që i mori jetën fëmijës

Read Next

Berisha: Drama e sotme po luhet në familjet shqiptare