Berisha: Afera e djegësave po vazhdon vetëm pse është afera e Edi Ramës

Kryetari demokrat, Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp për të denoncuar vazhdimin e mega-aferës së inceneratorëve.

Berisha tha se kjo aferë po vazhdon vetëm sepse është aferë e Edi Ramës.

“Edi Ramës, Engjëll Agaçit, Arben Ahmetajt, Erion Velisë, nuk ka ligj, nuk ka institucion, nuk kë forcë në këtë vend që mund t’u bëjë gjë.

Kështu, muaj më parë, SKAP-i i partisë, në njoftimin zyrtar për këtë aferë gjigante, që tejkalon 420 milionë euro, njofton se bëhet fjalë për korrupsion, procedura prokurimesh antiligjore, falsifikime dokumentesh, larje parash, tjetërsime pronash.

Pra, një kompleks veprash penale nga më seriozet. Me gjithë këtë, kjo ndërmarrje kriminale, kjo aferë kriminale është e vetmja në Europë dhe në botë, mbi të cilën kanë rënduar akuza të tilla dhe janë shpallur në kërkim menaxherë dhe pronarë të saj, ajo vazhdon njëlloj sikundër asgjë nuk ka ndodhur, sikundër asgjë nuk është konstatuar, sikundër asnjë mandat arresti apo shpallje në kërkim nuk është lëshuar, sikundër askush nuk është burgosur në këtë aferë.

Ftoj çdo shqiptar të shtrojë pyetjen: si mundet pas të gjithë këtyre akuzave, pas shpalljes në kërkim të pseudo-pronarëve të kompanive të djegësave, qeveria e Edi Ramës dhe Ministria e Financave, të disbursojë gjer sot, rreth 100 milionë euro. Të vazhdojë të disbursojë plotësisht të gjithë shumën e parashikuar për djegësin e Fierit. Mbi 6 milionë euro. Të gjithë shumën e parashikuar për djegësin e Tiranës. Të ndërtojë, të urdhërojë OSHEE-në të ndërtojë, linjën e tensionit të lartë për djegësin e Tiranës, me një shumë prej 6 milionë eurosh.

Si mund të ndodhin këto? Këto ndodhin, kjo aferë kriminale vazhdon jetën e saj për faktin e vetëm se kjo është aferë e Edi Ramës. Është Edi Rama që në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në kundërshtim flagrant me opinionin ligjor të Entit Kombëtar të Prokurimeve Publike, që thotë se negociata e mbyllur është e ndaluar të përdoret, ka firmosur kontratën me negociata të mbyllura.

Është Edi Rama ai që ka pranuar, që të gjitha prokurimet për djegësat nga Elbasani, Tirana dhe Fieri, të bëhen vetëm nga një kompani, kompania e tyre. Ndaj dhe nëse gjer më sot, pagesat e prapambetura për kompanitë e tjera shqiptare që kanë bërë punime dhe nuk kanë marrë shumën që u takon, kanë kaluar në 120 milionë euro për vitin, kompania e Edi Ramës, Engjëll Agaçit, Arben Ahmetajt dhe Erion Velisë, ka marrë rreth 40 milionë euro gjatë këtij viti, pa kryer asnjë punim.

Kjo vetëm për faktin se është kompani e qeveritarëve,” tha Berisha.

Read Previous

Ja kush e vendosi bustin e Mbretëreshës në Kukës

Read Next

Si përfitojnë vizitorët që presin në radhë për të nderuar mbretëreshën