Artisti që nuk u vlerësua as dje as sot NAZIF TALELLI, MADHËSHTIA QË TRONDITI MEDIOKRITETIN E KOHËS

Artisti që nuk u vlerësua as dje as sot
NAZIF TALELLI, MADHËSHTIA QË TRONDITI MEDIOKRITETIN E KOHËS
Edhe sot i tremben talentit të tij

Pak ditë më pas nga ndarja nga jeta e aktorit të madh Nazif Talelli isha në shtëpinë e tij. Në momentin që troktita në derë nga brenda u dëgjua një zë fëmije: “Erdhi gjyshi… erdhi gjyshi….”. Dera u hap dhe unë pashë një vajzë të vogël, vetëm 5 vjeçe, e quanin Dea. Ajo nuk e dinte që gjyshi saj, Nazif Talelli nuk jetonte më. Prindërit nuk kishin mundur t’i tregonin dot të vërtetën që gjyshi i saj që prej disa ditësh nuk do të kthehej më në shtëpi…

Mbesa e tij, Dea, e kishte dashur fort. Priste që ai të kthehej. Bashkë me Dean, ishte dhe nipi i Talellit, Noeli, 9 vjeç. Ai e dinte të vërtetën, por rrinte pranë së motrës që të kujdesej që ajo të mos shqetësohej. E konsideronte veten më të rritur. Kur unë hyra brenda, Dea tha: “Ua po ky qënka një gjyshi tjetër!” E kuptova që mbesa e Nazif Talellit nuk dinte ende asgjë, ndaj i thashë: “Gjyshi do të vonohet edhe pak, por do të vijë…”. Në atë çast te sytë e nipçes së tij, Noelit, pashë lot.

Ai edhe pse ishte disi më i rritur në të vërtetë i besonte motrës se gjyshi i tyre do të kthehej një ditë… Ndërsa pija kafenë, vura re se në atë shtëpi Nazif Talelli u mungonte të githëve. Trishtimi ndihej në sytë e të birit, Leonardit, të sytë e së bijës, Suelës dhe te fjalët e së shoqes, Fatimes.

Pas pak dola në rrugë. Bënte vërtet ftohtë… Të afërmit e tij kishin të drejtë: Nazif Talleli kishte filluar të na mungonte të gjithëve, i mungonte Korçës. Talelli ishte një aktor i madh, por për 28 vjet me radhë, çuditërisht ai u vështrua vetëm me një sy. Talelli ishte aktori i heshtur që me madhështinë e tij tronditi mediokritetin e kohës”. Kështu e nisi rëfimin mbi jetën artistike të Nazif Talellit, aktori i mirënjohur i Korçës, Koço Qendro, i vlerësuar me çmime kombëtare, ballkanike dhe ndërkombëtare.

Dhe ndërsa vijon të rrëfejë, vështrimi i tij lëngështohet nga një mall i largët, nga disa të fshehta që ndoshta i dinë të gjithë, por që nuk i thonë. Nën ndjesinë e mallit dhe të sinqeritetit të një aktori të madh që nuk vuan nga xhelozitë dhe meskiniteti, Koço Qendro, tha: “E vërteta është se aktori Nazif Talelli nuk u vlerësua asnjëherë, as dije, as sot.

Pirro Mani

Rrëfimi i aktorit të estradës dhe teatrit, Koço Qendro viojon më tej: “Nëse Piro Mani nuk do të kishte ardhur regjisor në Korçë, Nazif Talelli do të kishte mbetur gjeolog i përjetshëm diku në minierat e Bitinckës apo të Rrehovës. Talelli lindi në vitin 1938 në fshatin Pilur të Dvollit. Shkollën e mesme e përfundoi si teknik gjeolog. Me të fillur punë nisi të aktivizohej me lëvizjen amatore të estradave. Në kohën që kishte qenë ushtar ishte aktivizuar dhe me estradën e ushtarit.

Rasti e solli që në një konkurim të estradave të ishte edhe regjisori Piro Mani, madje në rolin e kryetarit të jurisë. Kur Talelli doli në skenë, Piroja mori një pozicion tjetër. Nisi ta ndiqte me vemendje. Talelli luante rolin e një fshatari. Ishte një fshatar i çuditshëm. Atë figurë të realizuar prej tij nuk e kishim parë deri atëherë. Po luante rolin e një fshtari të humbur. Të paktën kështu të jepte përshtypjen, por kur nisi të fliste, na solli një fshatar tjetër, tepër befasues: ishte i zgjuar në ato që thoshte, i hidhur, dinte ta thoshte gjithçka me humor. Krijonte me një mjeshtëri të rrallë nëntekstin, aq sa mund të mendoje: “ky po na tregon një fshtar të denjë për kohën apo po tallet me fshatarin e kohës së kooperativave!”

Mbaj mend që Piro Mani kishte ngulur vështrimin mbi lëvizjet e Talellit. Salla duartrokiste vazhdimisht. Taleli ishte mjeshtër i komunikimit me spektatorin. Ata kuptonin çdo ironi, sarkazëm dhe nëntekst. Dukej që ishte tepër i pëlqyeshëm për ta. E kuptonin mirë. Që nga ai çast Pirro Mani tha: “Ky aktor i duhet estradës profesioniste të Korçës”. Ndoshta nuk do të kishte ndodhur kështu, por Piro Mani këmbënguli për ta sjellë në estradë. Në vitin 1963-1964 Talelli u bë pjesë e Teatrit profesionist të Korçës

Erdhi ai…

Një mëngjes e pamë të hynte në estradën e Korçës. Ishte një njeri i qetë, me një thjeshtësi të dukshme. Mund të them se binte në sy për zgjuarësinë e tij. U prezantua duke bërë humor, madje duke shkaktuar mjaft të qeshura. Dukej qartë që kishte një talent të lindur. Nëpër ambientet e estradës nisi të pëshpëritej: “Erdhi ai…!” Ndihej një farë frike. Sigurisht ata që flisnin kështu ishin mediokrit e estradës. Ardhja e tij do të zbehtë shkëlqimin e ndonjë aktori, sepse kështu ndodh kur nuk ka të tjerë. Që të jem i sinqertë, dikush prej tyre, tha: “Na sollën këtë dvolliun që të na heqë nga puna!”

Gjatë gjithë kohës që ai qëndroi në estradë Talelli ishte vërtetë një tmerr për mediokritetin. Vetëm Pirro Mani ishte i ngazëllyer. Ai ishte i bindur për vlerat e Talellit, por Piro Mani qëndroi vetëm për pak kohë në Korçë. Pas kësaj Talellit po i jepnin mikrorole, role tepër të vogla që të mos binte në sy, të mos kishte mundësi të shkëlqente. E kam të vështirë ta shpjegoj se si organizoheshn të gjitha këto. Gjithçka ishte e nëndheshme. Mediokriteti kishte aftësinë të penetronte në të gjitha strukturat e kohës.

Ndoshta përgatiteshin që një ditë ta largonin nga estrada. E kishin frikë madhështinë e tij. Megjithatë Talelli sillej sikur të mos kuptonte asgjë. Vazhdonte të bënte humor me kolegët si më parë. Edhe me një fjalë të vetme ai dinte ta ngrinte peshë sallën Spektatori niste të qeshte sapo Talelli dilte në skenë. Ishin të sigurtë, që vetëm një fjalë e tij ishte e barabartë me një skeç të tërë.

Nuk ju kujtohet shprehja e tij te “Yjet e netëve të gjata” kur i thotë makinës së gjermanit: “Ysh or derr, hap rrugën”, është batuta më e bukur e filmit; nuk ju kujtohet magazinieri te filmi “Përballimi” ku luan rolin e një njeriu që kërkon të hajë e të pijë dhe për këtë gjë u bën lëshime kulakëve në dorëzimin e drithit. Janë role të papërsëritshme. Koha rridhte dhe ai vazhdonte të ishte gjithnjë e më shumë një aktor i madh

Partia

Befas erdhi një ditë, kur na lajmëruan se në estradë do të bëheshin shkurtime, kujton me dhimbje aktori Koço Qendro. Do të hiqeshin ata që nuk kishin patur arritje. U bë një mbledhje. Mes atyre që do të largoheshin ishte dhe emri i Nazif Talellit. Të them të drejtën për herë të parë u ndjeva keq. Kush ishte ky njeri që kërkonte të hiqte Nazif Talellin? A e dinte ai që Talelli ishte fenomen i humorit të vërtetë? Pse deri më tani Talellit i kishin dhënë role të vogla figurantësh? Çishte e gjithë kjo prapaskenë? Nuk mund të rrija i heshtur. U ngrita dhe fola. I thashë të gjitha këto. Nuk e di pse, por askush nuk u ngrit të më kundërshtonte. E vërteta është se që të gjithë e dinin që Nazif Talelli ishte një aktor i madh.

Vështrova nga Talelli dhe vura re një njeri tepër të qetë, madje m’u duk sikur po qeshte. Ishte gati të thoshte ndonjë batutë dhe gjithë mbledhja të kthehej në komedi. Në atë kohë unë po vija dy premiera në estradë. Do ta marr unë, – thashë, – në peremierat e mia, dhe nëse Talelli nuk del me sukses atëherë le ta diskutojmë… Ndoshta nuk pritej ky propozim.

Në mbedhje kishte rënë bomba… Gjithkush e dinte që pas kësaj Talellin nuk do të guxonte dot njeri ta largonte nga estrada pa patur ndonjë arsye. Ata që nuk ndiheshin mirë nga prania e Nazif Talellit, sigurisht u ndjenë sërish të rrezikuar. Ai dallonte shumë nga të tjerët”

Dritëro Agolli

“Nuk vonoi shumë dhe ne dhamë premierën e parë, vazhdon rrëfimin e tij Koço Qendro. Unë luaja bashkë me Nazif Talellin te skeçi “Njeriu pa kokë”. Ai kishte rolin e një fshtari, ndërsa unë rolin e një agronomi nga qyteti që e kishin caktuar të punonte në fshat, por që agronomit koka dhe mendja i kishte mbetur te familja e tij në qytet. Mbaj mend që salla nuk reshti një çast së qeshuri. Duartrokitjet nuk kishin të pushuar. Ne sallë ishte dhe Dritëro Agolli. Qeshte me të madhe. Batutat e Talellit ishin kaq të bukura, kaq të goditura, kaq domëthënëse, kaq me nëntekst dhe kaq të kuptueshme sa vetëm ai mund t’i interpretonte në atë mënyrë.

Kishte një aftësi të jashtëzakonshme në komunikimin me spektatorin. Kur shfaqja përfundoi, Dritëro Agolli na shtrëngoi dorën. Megjithatë Taleli edhe lavëdrimeve të Dritëroit u përgjigjej me humor. Lojën e Talellit Dritëroi e ka përmendur edhe në një libër. Pa asnjë mëdyshje, mund të them se loja e Nazif Talellit ishte një çudi.

“Epo tani e kemi hak ta pimë nga një gotë”, i tha Talelli, Dritëroit. Taleli ishte një njeri që i pëlqente shoqëria. Sa herë aktorët e Tiranës apo të rretheve të tjera vinin për konkurime në Korçë, shtëpia e tij kthehej në hotel, ku pihej, bëhej humor dhe gdhihej nata pa e kuptuar. Dy nga miqtë e tij më të mirë kanë qënë Pëllumb Kulla dhe Mërkur Bozgo.

Talelli, aktor i papërsëritshëm

Megjithatë e vërteta është se Talelli që ditën që hyri në estradë dhe deri ditën që doli në pension mbeti aktor i papërsëritshë. Me dhjetra role të tij mbahen mend edhe sot e kësaj dite. Si të tilla mund të permend lojën e tij te “Festa e brigadës”, te komedia me një akt “Opingat e xha Sheros”, “Njeriu pa kokë” e dhjetra të tjera.

Pikërisht në këtë kohë, Nazif Talelli ra në sy të regjisorëve të Tiranës. Vinin vazhdimisht dhe e kërkonin për të lujatur në filma, por çuditërisht partia nuk e lejonte. Justifikimi ishte i thjeshtë: “Po iku Talelli, estradën kush do ta bëjë!”. Në të vërtetë, askush nuk dëshironte që Talellit t’i hapej rruga për të nxjerrë në pah gjithë madhështinë e tij. Përse ndodhte kështu, as sot nuk e di. Megjithatë vazhdimisht përpiqeshin të gjenin një arsye për ta larguar nga estrada. Sigurisht kjo gjë asnjëherë nuk u bë e mundur.

Ai kishte fituar një emër të madh. Kudo që shkonim, në çdo fshat të Korçës apo nëpër qytete, Talelli ishte një nga aktorët më të respektuar. Dinte të bënte humor me çdo njeri. Atje ku ishte Talelli kishte jetë Sot kur I sjell ndërmend të gjitha këto, më kujtohen rolet e Tallelit të interpretuara me Niko Qiricin, Spanja Pipën, Spirko Karanxhën, Aleko Prodanin, Marko Bitrakun, lindita theodhorin, Fatbaradha Hoxhën etj. Rolet që kam luajtur me të nuk kam për t’i harruar dot kurrë.në shpirtin e tij kishte një humor të shëndetshëm.

Nostalgji

Sa herë që sjell ndërmend jetën e tij më kujtohen edhe fjalët e bashkëshortes së stij, Fatimes. Shpesh më thoshte; “U dashurova me Talellin, në kohën kur ai ishte gjeoog në Rehovë dhe jo aktor, mua më kishin caktuar mami në një fshat aty afër, por që nga çasti që u njoha me Talellin, ndjeva se jeta ime do të ndryshonte për mirë. Nisa ta kisha të vështirë të qëndroja larg tij.

Tashmë e kuptoj pse nipi dhe mbesa e tij presin që të hapet dera dhe ai të hyjë brenda. Mungesën e tij e ndjen gjithë Korça. Por a do të vlerësohet ndonjëherë Nazif Tallelli, këtë nuk kam për ta besuar kurrë… E njëjta gjë po ndodh me këtë aktor të madh, si dje edhe sot. Pse? Nuk di ta shpjegoj dot… Por unë e di që shpirti i tij edhe atje në qiell është duke bërë humor…
Me këto fjalë i jep fund rrëfimit të tij, aktori i mirënjohur i Korçës, Koço Qendro.

-Marrë nga “Rrëfime nga Korça”.

Read Previous

Mbi 10 mbijë maturantë aplikojnë për studime jashtë Shqipërisë

Read Next

U ngacmuan gratë/ Plas grushti mes pushuesve në Vlorë